Policia: Ulëm me 4 për qind krimin, bllokuam 5 milionë €
26/01/2010 Harrohet vrasja e Fatmir Xhindit. Burgaj: Kemi goditur korrupsionin në administratë
TIRANE- Nën moton “Shërbejmë dhe mbrojmë” Drejtori i përgjithshëm i Policisë së shtetit Hysni Burgaj ka prezantuar rezultatet e arritura nga uniformat blu gjatë vitit 2009. Sipas Burgajt, statistikat e arritura nga puna hetimore e efektivëve të policisë janë më të mirat se vitet e kaluara. Në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, Drejtori i përgjithshëm i Policisë evidentoi kryesisht sukseset e uniformave blu, në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë trafikun e narkotikëve dhe kultivimin e tyre, ku bie në sy gati përgjysmimi i mbjelljes së kanabis. Ndërkohë për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit financiar, Policia e Shtetit raporton se ka proceduar në total 2049 autorë dhe se vlera e aseteve të sekuestruara shkon në afro 5 milionë euro. Hetimet lidhur me këtë fenomen janë shtrirë në të gjitha sektorët e administratës, ku janë zhvilluar një sërë operacionesh për ndëshkimin e punonjësve të policisë, mjekëve e deri tek zyrtarët e lartë në ministritë e ndryshme. Gjatë fjalës së tij, Burgaj shtoi se në vitin 2009, konstatohet një ulje e veprave penale me nivelin prej gati 4% dhe e krimit me vrasje në veçanti në nivelin 11 %, duke shënuar në këtë mënyrë numrin më të ulët të vrasjeve në vend. Në 2009-n u kryen 79 vrasje, ku 70 prej tyre aktualisht janë zbuluar nga policia. Ndërkohë që në 9 vrasjet e pazbardhura vazhdon të jetë edhe dosja e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, i cili u ekzekutua me gjashtë plumba më 2 maj të vitit të kaluar në Roskovec. Kjo dosje u anashkalua gjatë analizës, duke mos u përmendur fare nga krerët e policisë shqiptare, por edhe nga Kryeministri Sali Berisha. Më tej, Burgaj tregoi sesi në vitin 2009, nga ana e forcave të policisë së shtetit janë goditur 142 grupe kriminale, ndërsa janë kryer 13.100 vepra penale dhe janë zbuluar autorët për 75% të tyre, konkretisht për rreth 9 mijë. Gjithashtu ai përmendi se janë arrestuar me qëllim ekstradimi 100 persona nga 185 të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kritika edhe për aksidentet rrugore
Kryeministri: Korrupsioni i vrau katër policët në Durrës
TIRANE- Në zhvillimin e analizës vjetore të policisë së shtetit, kishin marrë pjesë Kryeministri i vendit, Sali Berisha, dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Gjatë fjalës së tij numri një i qeverisë, nuk ka kursyer kritikat, ku pikësëpari u shpreh se korrupsioni brenda uniformave blu solli ekzekutimin e përgjakshëm të katër efektivave të policisë në qytetin e Durrësit. Berisha deklaroi se ishte inspektori i policisë ai që i jepte mbulesë terroristit Dritan Dajti, duke u bërë bashkëfajtor dhe kriminel, po aq sa ai. Veç këtij rasti Kryeministri i vendit vuri në dukje një sërë problemesh në radhët e policisë së shtetit, duke filluar nga lufta kundër drogës deri në zbatimin e plotë të ligjit. Kryeministri përmendi se ligji ndalon kambistët në rrugë, por realiteti ka treguar se ata janë masakruar, dhe për të dyja këto krime ka përgjegjësi policia. Gjithashtu ai përmendi se në disa raste policia heziton të ekzekutojë vendimet e gjykatës, gjë e cila sipas tij të mos ndodhë në asnjë rast në punën hetimore të 2010-s. Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe në problematikën e aksidenteve, ku çdo ditë e më tepër raportohen viktima dhe të plagosur. Sipas Sali Berishës, pas aksidenteve fshihet pozicioni i papërshtatshëm i policisë ndaj ligjit dhe për këtë ai u kërkoi strukturave rrugore të merrnin masa me qëllim uljen e numrit të aksidenteve. Në fund ia përgëzoi rolin e policisë së shtetit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Lufta Kundër Narkotikëve
• Evidencuar 647 vepra penale.
• Autorë 555 persona, 426 të arrestuar.
• Goditur 31 grupe kriminale.
• Realizuar me sukses 26 operacione.
• Realizuar 10 operacione ndërkombëtare.
Lufta Kundër Trafiqeve të Tjera të Paligjshme
• Evidentuar 400 vepra penale.
• Zbuluar 475 autorë 161 janë arrestuar
• Realizuar 18 operacione policore.
• Operacioni ndërkombëtar “Credit Car”
• Janë goditur 23 grupe kriminale.
Lufta Kundër Korrupsionit dhe Krimit Financiar
• Evidentuar 1646 vepra penale.
• Janë proceduar 2049 autorë
• 299 të arrestuar dhe ndaluar
• 1750 të proceduar në gjendje të lirë
• Vlera e aseteve të sekuestruara 5 milionë euro
• 4 milionë sekuestruar nga pastrimi i parave
• 1 milion sekuestruar nga mallrat kontrabandë.
• Goditur 24 grupe kriminale
• Janë organizuar 38 operacione policore
• Krijimi i Sektorit Kundër Krimit Kompjuterik
ZQK Interpol Tirana
• Arrestuar 100 persona.
• Ekstraduar 90 persona të kërkuar.
• Në kërkim ndërkombëtar 185 persona.
• Ekstradimi i shumë personave me rrezikshmëri të lartë.
Instituti i Policisë Shkencore
• 9650 ekspertime të kryera nga të cilat:
• 1085 ekspertime balistike, traseologjike
• 1269 ekspertime grafike e dokumentesh
• 2550 vlerësim gjurmësh e krahasime me fotografi
• 3017 ekspertime daktiloskopike
• 1709 ekspertime kimike e biologjike
• 20 ekzaminimeve kompjuterike
• Identifikuar 783 autore të veprave penale
• Identifikuar 232 objekte armë zjarri