E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pranon bisedimet me Pollon

26/03/2005  Partia Demokratike pranon se ka pasur negociata me reformatorët e Pollos, lidhur me formulën e funksionimit të koalicionit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se kolalicioni mund të ngrihet në bazë të një arsyetimi të përbashkët, por nuk dha detaje në lidhje me kërkesat e PDR-së. "Mund t'ju them se do të negociojmë seriozisht me ta", tha Berisha. Ndërkohë, burime në PD shprehen se, deri më tani, bisedimet me PDR-në janë zhvilluar në rang teknicienësh. Reformatorët kanë kërkuar që nga PD-ja t'u lihen 6 zona të lira, ku katër prej tyre të jenë në bastionet e opozitës dhe dy të tjera të jenë në vende, ku elektorati është i lëkundur. Burime në PDR shprehen se zonat e lira të sigurta janë kërkuar në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Ndërsa janë lërë të hapura bisedimet për mbështetje në proporcional. Propozimi i bërë nga reformatorët duket se nuk është pranuar nga negociatorët e PD-së. Burimet thonë për "Metropol" se demokratët i kanë ofruar reformatorëve 2 zona të lira në bastionet e tyre, 2 të tjera në vendet ku elektorati është i lëkundur, por që pesha e fitores anon nga e djathta dhe 2 zona të tjera, atje ku beteja elektorale do të zhvillohet e ashpër. Demokratët janë të mendimit se me anë të kësaj formule, duke përfshirë dhe mbështetjen në proporcional, reformatorët mund të kenë në parlamentin e ardhshëm rreth 8 deputetë. Gjithsesi, diskutimet për këtë çështje mes reformatorëve dhe demokratëve nuk janë mbyllur ende. Bisedimet mes PD-së dhe PDR-së pritet të rifillojnë javën e ardhshme, pasi të diskutohen dhe një herë në strukturat drejtuese të partive respektive propozimet e të dyja palëve, për të dalë më pas në një qëndrim të përbashkët, lidhur me formulën e bashkëpunimit në rast të një koalicioni mes dy partive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›