E Diel, 1 Nëntor 2026

E majta kundër afrimit të zgjedhjeve

26/03/2005  Neritan Ceka

Data e zgjedhjeve të jetë para asaj që cakton Kushtetuta, po të bëheshin zgjedhjet në fund të qershorit, do të ishte më mirë për elektoratin shqiptar. Presidenti Alfred Moisiu nuk duhet të ndikohet nga vendime tryeze të partive politike. Vendimit duhet të dalë nga specialistët, të cilët interpretojnë Kushtetutën

Lufter Xhuveli

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli, ka deklaruar se data 3 korrik është data më e mirë për të zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme. "Nuk ka pse të shkelet Kushtetuta. Nuk ja vlen të prishim dasmën për një limon". Ai ka kundërshtuar kërkesën e opozitarëve për afrimin e datës së zgjedhjeve

Vangjel Dule

Kryetari i Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, tha se data e zgjedhjeve duhet të jetë në respektim me Kushtetutën në mungesë të një konsensusi të forcave politike. Gjithsesi, ai shprehet se data përcaktohet nga marrëveshjet mes socialistëve dhe demokratëve.

"Koalicioni për Integrim" ka refuzuar kërkesën e tryezës së partive parlamentare të opozitës

LSI: PS-PD mund të bëjnë dhe një marrëveshja antiligjore

Ashtu si socialistët dhe aleatët e tyre, të "Koalicionit për Integrim" kanë dhënë përgjigje negative mbi afrimin e datës së zgjedhjeve. Në prononcimet e dhëna për "Metropol", të majtët theksojnë se data e zgjedhjeve do të vendoset nga marrëveshjet mes dy forcave të mëdha. Ndërsa vlerësohet se kreu i shtetit duhet të marrë vendimin, duke u bazuar në përcaktimet kushtetuese. Në të njëjtin qëndrim është shprehur dje dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim. Sabit Brokaj thekson se kreu i shtetit duhet të respektojë detyrimet që lindin nga Kushtetuta. Gjithsesi, ai nuk përjashton mundësinë që do të jetë një marrëveshje mes PS-së dhe PD-së, që do të vendosë dhe mbi këtë çështje.

Aleatët

Prej partive të "Koalicionit për Integrim", vetëm Neritan Ceka është shprehur pro afrimit të datës së zgjedhjeve. Megjithatë, ai nuk është kundër shpalljes së datës së votimeve më 3 korrik, siç përcakton dhe Kushtetuta. Ndërsa Vangjel Dule dhe Lufter Xhuveli shprehen se afrimi i datës së zgjedhjeve mund të vijë vetëm me një marrëveshje mes dy partive kryesore. Një mundësi të tillë e ka përjashtuar dje përfaqësuesi i PS-së, Ylli Bufi, sipas të cilit, Presidenti në vendimin e tij duhet të respektojë Kushtetutën.

Lëvizja për Integrim

Në një prononcim për gazetën "Metropol", kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, Sabit Brokaj, shprehet se shpesh marrëveshjet mes PS-së dhe PD-së janë karakterizuar nga shkeljet ligjore, ndaj si zgjidhje për afrimin e datës së votimeve, ai shikon një tjetër marrëveshje. "Deri sa PS dhe PD bënë një marrëveshje për Kodin dhe për ndarjen elektorale, që rezultoi me shkelje të shumta, mund të bëjnë dhe një tjetër shkelje për datën e zgjedhjeve. Ne jemi për respektimin e përcaktimeve të Kushtetutës. Nuk ka rëndësi për ne nëse janë para ose pas datës 3 korrik, por duhen zbatuar standardet për zgjedhje të lira dhe demokratike", tha Brokaj.

Detyrimi Kushtetues

Sipas Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti i Shqipërisë duhet të vendosë si datë të zhvillimit të votimeve, një të diel nga 3 korriku deri më 3 gusht. Kjo sepse Kushtetuta sanksionon se data e votimeve është 60 ditë deri në 30 ditë para përfundimit të mandatit të deputetëve. Duke parë se mandati i deputetëve ka filluar si i tillë më 3 shtator të vitit 2001 dhe se zgjat 4 vjet, kreu i shtetit është i detyruar që të llogarisë datën e votimeve duke u nisur nga data 3 shtator. Por, deputetët e opozitës shprehen se data e zgjedhjeve duhet të përcaktohet në muajin qershor, dhe për këtë si afat për përfundimin e mandatit të deputetëve duhet të merret muaji gusht, kur ka shpallur rezultatet e zgjedhjeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Një kërkesë e tillë është rrëzuar me shumicë votash në një votim në seancë plenare. Ndaj, kreu i shtetit tashmë është i detyruar që të vendosë për një datë në muajin korrik. Sipas Kodit Zgjedhor, vendimi nga Presidenti duhet të shpallet brenda datës 18 qershor të këtij viti. Në një prononcim të fundit, Presidenti Moisiu është shprehur se është në pritje të një reagimi nga politikanët për afrimin e zgjedhjeve, pasi muaji korrik është muaj pushimesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›