E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pranon krizën, Evropa gati financimet

 

Fabiola Çela

Edhe Shqipëria është prekur nga kriza globale. Një gjë e tillë është pranuar nga kreu i qeverisë shqiptare gjatë konferencës së donatorëve për Ballkanin. Ndërkohë ndërkombët-arët e KE-së kanë deklaruar se kanë gati fondin në rast se vendet e rajonit preken në përmasa të mëdha nga kriza globale.
Forumi
Komisioni Europian ka deklaruar se do të akordojë një fond të veçantë për Ballkanin Perëndimor. Por nga ana tjetër ata nuk kanë hezituar të shprehin hapur frikën se këto fonde mund të keqpërdoren. Gjatë një konference të donatorëve për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, krerët europianë sqaruan se paratë do të shkojnë për zhvillimin e sektorëve më të prapambetur. “Çdo euro që do të japin vendet komunitare nga ne do të monitorohet, pasi ato janë paratë e taksapaguesve tanë”, është shprehur ambasadori i KE-së, Helmut Lohan. Lidhur me këtë, kreu i qeverisë Berisha tha se, “duhet një koordinim i ngushtë për të përdorur sa më me efektivitet paratë e taksapaguesve tuaj, që ato të mos përfundojnë në korrupsion. Ju ftoj për të financuar edhe projektet kundër korrupsionit, i cili në Shqipëri është serioz dhe i përhapur”. Kriza globale dhe efektet e saj ishin në qendër të bisedimeve të kësaj konference. “Konferenca mblidhet në një moment stuhie botërore në rrafshin financiar dhe ekonomik. Edhe në këtë aspekt, kjo konferencë merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe mbarë rajonin. Ajo, jo vetëm ofron ndihmën bujare të donatorëve, por fton vendet tona të bëjnë çdo përpjekje për një përballje rajonale të parandalimit apo minimizimit të pasojave të kësaj krize, e cila në një mënyrë apo një tjetër do të prekë dhe ka prekur dhe rajonin tonë”, tha kryeministri. Në një situatë të tillë, qeveria duket e vendosur që të rishohë shpenzimet e administratës. “Duhet një kujdes i madh, sepse administrata përbën një rrezik të madh për shpërdorimin e parave publike, edhe në mënyrë të pakuptueshme, edhe duke fjetur, ndaj fryrja e saj, mosrespektimi i kritereve të saj, duhet mbajtur gjithmonë në fokus dhe në vëmendje”, tha kryeministri. Gjatë konferencës së djeshme, drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, Michael Leigh, deklaron se është parashikuar një fond i posaçëm ndihmë për rajonin. “Kemi të gatshme një paketë antikrizë për këto vende. Janë 150 milionë euro në kuadër të para-aderimit. Por, ekzistojnë edhe 600 milionë euro të premtuara nga institucionet ndërkombëtare nëse vendet e rajonit preken seriozisht nga kriza”, ka theksuar Leigh. Konferenca e donatorëve për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë mbyllet sot, ku do të vendoset edhe shuma e ndihmës që Komisioni Europian do të akordojë për rajonin.

Rriten shitjet me pakicë

Gjatë muajve të fundit të vitit 2008 shitjet me pakicë të mallrave kanë pësuar rritje. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT-i, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e katërt të 2008-ës arriti 184.4 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 20.1 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›