E Diel, 1 Nëntor 2026

Kola: Për 3 muaj u regjistruan 4256 biznese të reja

 

Edhe pse biznesi shqiptar është prekur nga kriza globale, kjo nuk ka shërbyer si pengesë për të hapur biznese të reja në Shqipëri. Sipas kreut të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të biznesit, Tomi Kola, pranë këtij institucioni gjatë tremujorit të parë janar-mars 2009 janë regjistruar 4256 biznese të reja dhe janë çregjistruar 1894 të tilla. Sipas Kolës, 99.9 për qind e bizneseve të çregjistruara pranë QKR-së janë persona fizikë. Ai sqaroi se shumica e bizneseve të çregjistruara kanë kaluar si ortakë në shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara, aty ku mbizotërimi i tyre në treg ose edhe hapësirat, që i kanë krijuar vetes është me normë fitimi më të madhe se sa ajo që kanë personat fizikë. Gjatë deklaratës së tij media, Kola ka sqaruar edhe arsyet e çregjistrimeve të kryera pranë këtij institucioni. “Sa më pak kapital të kesh, aq më të vogël e hap biznesin, mirëpo dihet që sa më i vogël të jetë biznesi, aq më shumë të tilla biznese ka dhe për këtë arsye ato çregjistrohen dhe krijojnë një sh.p.k. Pra, ky është zhvillim dhe nuk është regres”, tha ai. Gjatë deklaratës së tij, Kola ka reaguar edhe ndaj efekteve të krizës në biznesin vendas, efektet e së cilës, sipas tij, nuk janë në përmasat që perceptohen. “Jemi fatlumë që nuk kemi një ndikim aq të madh të krizës ekonomike në Shqipëri. Dihet që krizat janë të përkohshme dhe kur këto vende të dalin nga kjo krizë dhe fakti që ti ke provuar që ke lidhje me botën e jashtme, tregon që me zhvillimin e këtyre vendeve, që do të mëkëmbin veten, do mëkëmbesh edhe ti”, tha Kola. QKR filloi punë në 3 shtator 2007, duke zëvendësuar procedurat e mëparshme të regjistrimit në gjykata për të gjitha llojet e bizneseve që kryejnë aktivitet ekonomik në Shqipëri, e mbështetur nga Programi i Sfidës së Mijëvjeçarit, të financuar nga SHBA. Qendra Kombëtare e Regjistrimit është institucioni i vetëm për regjistrimin e biznesit në Shqipëri me një ndalesë, ku kryhen të gjitha proceset e regjistrimit të biznesit, përfshirë dhe regjistrimin për efekt të taksave në nivel kombëtar dhe vendor, për sigurimin shëndetësor e shoqëror si dhe për Inspektoratin e Punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›