E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit, shtohen përfituesit

 

BLEDAR HOTI

Opozita voton kundër ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Në seancën e djeshme parlamentare, projektligji u votua me 71 vota pro, 30 kundër dhe një abstenim. Opozitarët e pranishëm në këtë seancë, Majko, Braçe, Xhafaj, Memushi votuan kundër një nismeje të tillë. Ndërsa të gjithë deputetët e djathtë e pranishëm votuan pro kësaj nismeje. Vota abstenuese ka ardhur vetëm nga deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi. Në seancën e së hënës së kaluar, opozita kishte kontestuar faktin se me këtë nismë dëmshpërbleheshin  kolaboracionistët. Kjo ka qenë arsyeja e vetme e kontestimit që ka detyruar të majtën të ndahen në qëndrimet e tyre në lidhje me këtë procedurë e paraqitur për ndryshimin e ligjit, në nenin 3, pika 3. Pas votimit të këtij ligji, të gjithë deputetët e maxhorancës e kanë duartrokitur, duke e cilësuar si eveniment të veçantë. Nisma ligjore u përgatit nga deputeti i PD-së, Astrit Bushati dhe më pas u hartua si një draft i shkrirë me propozimet e paraqitura nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Në të përfshihen përfitimi i të afërmve të klerikëve, të cilët nuk kanë lënë pasardhës. “Procedura e shqyrtimit administrativ të kërkesave dhe masa e dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në ndryshimin e miratuar në nenin 1 të ligjit. Në dispozitat kalimtare të këtij ligji parashikohet që Ministria e Drejtësisë duhet të rivlerësojë edhe një nga kërkesat e paraqitura nga ish-të përndjekurit, të cilësuara si negative. Personat që janë refuzuar kanë të drejtën që ta riparaqesin edhe një herë kërkesën e tyre. Afati i paraqitjes së kërkesave është deri më 1 korrik të 2009. Me këtë ndryshim, Kuvendi ka miratuar edhe amendamentet e paraqitura nga ana e Ministrit të Financave, Ridvan Bode. Në të parashikohet që shpërndarja e fondit të realizohet në mënyrë proporcionale dhe jo të barabartë. Ndërsa në nenin 14 është përcaktuar se “kur ish- i dënuari politik ka vdekur para ose vdes pas depozitimit të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë, familjarët e përcaktuar në nenin 8 të këtij ligjit, për çeljen e depozitës bankare, duhet të depozitojnë në Ministrinë e Financave: a) certifikatën e vdekjes së ish-të dënuarit; b) dëshminë e trashëgimisë të ish të dënuarit; c) kopje të vlefshme të dokumentit të identitetit”. Gjithashtu është përcaktuar detyrimi që mbi bazën e kësaj skeme të re, Ministria e Financave brenda vitit 2009 duhet të miratojë afatet dhe skemën e shpërndarjes së fondeve.

ndryshimet e miratuara ne ligj dje ne kuvend

Neni 1/ Në nenin 2 shtohet paragrafi i tretë me këtë përmbajtje:
“Procedura e shqyrtimit administrativ të kërkesave dhe masa e dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Neni 2/ Në nenin 3 pas shkronjës “ë” të nenit 3, shtohet shkronja “f” me këtë përmbajtje: “f” akti administrativ apo dokumenti zyrtar që provon internimin në kampe me rrethim me tela me gjemba”.
Neni 3/ Në nenin 4 në fund të shkronjës “d” pas fjalëve “për jetën e shtetasve të tjerë”, shtohen fjalët “gjatë periudhës 30.11. 1994 deri më 01.10.1991”.
Neni 4/ Në nenin 5, bëhen këto ndryshime:
1. Në shkronjën “c)”, në 3 shtohen pikat 1, 2, 4, 5, 6,7,8, 9, 10, 11, 12, 14, si dhe neni 6 i ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi faje kontra popullit dhe shtetit”.
2. Në shkronjën “ç)” në fund të fjalisë shtohen fjalët “si dhe në nenin 3 të ligjit nr.1209, datë 10.01.1951 “Mbi mbrojtjen e paqes midis popujve”.
3. Në shkronjën “d)” dispozitat ekzistuese të Kodit Penal të vitit 1952 ndryshohen si më poshtë:
Neni  71 “Sabotim”; Neni 72 “Agjitacioni dhe propaganda kundër pushtetit popullor”; Neni 73 “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve midis kombësive, racave ose feve”; Neni 74 “Propaganda e luftës”; Neni 75 “Pjesëmarrja në një organizatë kundër pushtetit popullor”; Neni 82 “Veprimtaria para çlirimit”; Neni 83 “Solidarësia ndërkombëtare”; Nenet 105, 106, 107 “Krime në lidhje me tatimet dhe detyrimet”; Neni 226 “Mos kallëzim i krimit”, paragrafi i parë për moskallëzim të një krimi kundër shtetit, të parashikuar në nenet 64, 69, 70, 71, 72, 74, 75, 82, 83 të këtij kodi.; Neni 259 “Kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit”
Neni 5/ Neni 8 ndryshohet si më poshtë:
Rrethi i familjarëve sipas këtij ligji
1. Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave.
2. Familjarët, në shkallë më të para, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë”
Neni 6/ Në nenin 19 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikën 1 fjalët “Brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji “zëvendësohen me fjalët “Brenda datës 01.07.2009”
2. Në pikën 2 fjalët “brenda afatit 1 vjeçar” dhe “kur ka kaluar mbi 1 vit nga hyrja në fuqi e këtij ligji “zëvendësohen respektivisht me fjalët “brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni” dhe “pas datës 01.07.2009”
Neni 7/ Në nenin 20, bëhen shtesat e mëposhtme:
1. Në shkronjën “c)” pas fjalëve “aktin e internimit” shtohen fjalët “aktin administrativ apo dokumentin zyrtar që provon internimin me tela me gjemba”
2. Në paragrafin e fundit shtohet fjalia me përmbajtje si më poshtë: “Në këto raste kërkuesi paraqet dokumentacionin që provon lidhjen me familjarë me ish-të dënuarin politik, si dhe dokumentacionin që provon se cilët nga familjarët përfitues të parashikuar në nenin 8 të këtij ligji janë të gjallë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›