E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria nuk ka kolaboracionistë, s’i dënuan Gjykatat Ndërkombëtare”

 

Përfaqësuesit e shoqatës së ish-të përndjekurve politikë dalin kundër qëndrimit të PS-së se me ndryshimin ligjor po dëmshpërblehen kolaboracionistët. Në lidhje me debatet e hapura nga ana e partive politike, Ndregjoni shprehet se “do t’ju thosha këtyre zotërinjve se pas Luftës së Dytë Botërore të gjithë kolabaracionistët e shteteve që u përfshinë në Luftën e Dytë Botërore u dënuan nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare. Të vetmit që nuk u dënuan ishin shqiptarët. Kjo për arsye se shqiptarët ishin në shërbim të kombit shqiptar dhe jo të pushtetuesve dhe regjimit. Kështu janë dënuar të gjithë kolaboracionistët sllovenë, rumunë, bullgarë, kroatë dhe bullgarë”. “Fatmirësisht ishte vetëm Shqipëria që nuk kishte asnjë kolaboracionist. Kolaboracionistët shqiptarë ishin vetëm akuza të diktaturës komuniste që vendosi Enver Hoxha dhe nuk kishte asnjë të vërtetë historike që këta bashkëpunuan me pushtuesit nazifashistë, përkundrazi ata ishin kundër diktaturës naziste, fashiste dhe komuniste”, deklaroi Ndregjoni. Ai ka vlerësuar votimin e djeshëm në Kuvend, duke deklaruar se “ky ishte një plotësim i detyrimit që klasa politike i kishte kësaj shtrese që prej 18 vitesh”. “E përshëndes vendimin e marrë, kjo maxhorancë përveç se detyrimit që kishte ndaj kësaj shtrese, iu përgjigj as më pak e as më shumë luftëtarëve të parë të NATO-s që janë ish-të përndjekurit. Është kjo shtresë që ka luftuar për t’u anëtarësuar në këtë aleancë të madhe ushtarake”, deklaroi Ndregjoni. Ai theksoi se “ky ndryshim përkon me hyrjen në NATO, pasi ky eveniment nuk është i politikanëve, por e shtresës që ata e cilësojnë si ish-të përndjekur politikë”. Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës së ish-të Persekutuarve Politikë, Ndregjoni thekson se qeveria nuk duhet të bllokojë procesin e shpërndarjes së fondit së akorduar nga ana e qeverisë. “E rëndësishme është që të mos bllokohet procesi i ndarjes së parave për shtresën e ish-të persekutuarve politikë dhe të ecet paralelisht me të. Pra vendimi i marrë nga Parlamenti për ndryshimin e ligjit të mos ndikojë në shpërndarjen e parave të miratuara nga Këshilli i Ministrave”, deklaroi Ndregjoni.          b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›