E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimet, Dritëroi: Janë përmbysur heronjtë

 

Aristir Lumezi

Patriarku i socialistëve, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli flet për ligjin, që dëmshpërblen ish-bashkëpunëtorët e pushtuesit të huaj. Sipas tij, të gjitha vendet i kanë dënuar dhe burgosur bashkëpunëtorët dhe asnjëherë nuk është diskutuar dëmshpërblimi i tyre. Agolli sjell në vëmendje vrasjen e heroit të popullit Memo Metos gjatë luftës nga një tradhtar, siç e quan ai, i cili me këtë ligj pritet të dëmshpërblehet si antikomunist. Shkrimtari i njohur cilëson si antikomunistët më të tërbuar Hitlerin dhe Musolinin dhe shtron pyetjen se edhe këta do të trajtohen si heronj?
Zoti Agolli, në kuvend dje u votua ligji, i cili dëmshpërblen të pushkatuarit pa gjyq para vitit ’44 në Shqipëri. Opozita ka deklaruar se kjo kategori personash janë kolaboracionistë, si e vlerësoni ju këtë debat?
Jam njohur përmes shtypit me zhvillimet rreth kësaj çështje dhe debatit të bërë në Kuvend. Unë mendoj se duhet të bëhet në radhë të parë një përcaktim i qartë mes antikomunistëve dhe atyre që gjatë luftës apo dhe më pas, bashkëpunuan me pushtuesin, kërkuan të terrorizonin apo vrisnin. Sipas një logjike përgjithësuese që mbizotëron sot në Shqipëri në analizën e historisë dhe personazheve të saj nga ana e politikës, të gjithë ata që kanë qenë antikomunistë dhe kanë qenë vrasës i cilësojnë si heronj. Unë do të shtroja një pyetje: Ku ka antikomunist më të madh se Hitleri dhe Musolini; Si do t’i quajmë ata?
Cila ka qenë përvoja evropiane dhe botërore në trajtimin e bashkëpunëtorëve të nazizmit dhe fashizmit?
Historia evropiane dhe botërore tregon se të gjithë bashkëpunëtorët e nazizmit dhe fashizmit janë dënuar pas luftës. Kështu, njihet gjerësisht historia e Filip Petenit, heroit francez të Luftës së Parë Botërore. Në postin e kryeministrit, Peten pas pushtimit të Francës nga Gjermania naziste, u la në detyrë dhe bashkëpunoi me gjermanët. Edhe pse pas luftës ai u justifikua se bashkëpunoi me gjermanët për të ruajtur Parisin nga shkatërrimet që mund të shkaktoheshin, qeveria e De Gol e burgosi si bashkëpunëtor me nazistët. Ai u internua në një ishull të largët. Në Norvegji, Knut Hamson, një poet novelist është burgosur duke u mbajtur gjatë në burgim. Shkaku i këtij dënimi ishte përkrahja përmes shkrimeve të tij të nazizmit. Rasti më domethënës është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njihet Amerika si vendi më antikomunist në botë. Por atje u dënua me burgim nobelisti në letërsi Ezra Paund, për shkak se propagandonte nazizmin dhe fashizmin. Madje ai u mbyll në kafaz. Pra, dënimi i bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe nazizmit nuk është vetëm fenomen shqiptar. Deri në vitet ’50 si e gjithë Evropa, edhe Shqipëria ka dënuar bashkëpunëtorët e fashizmit. Më pas në Shqipëri me izolimin që iu bë vendit dhe forcimin e luftës së klasave, u tejkaluan dënimet dhe internimet ndaj atyre që nuk donin sistemin. Prandaj kërkohet që njëra kategori të ndahet nga tjetra.
Sa e vështirë është ndarja e antikomunistëve kundër sistemit ndaj atyre antikomunistëve, që bashkëpunuan me pushtuesin e huaj në Shqipëri?
Për t’iu përgjigjur më mirë pyetjes tuaj, po ju sjell një shembull, i cili është fare i freskët. Unë më kanë sjellë një ftesë për të marrë pjesë në 65-vjetorin e rënies së dëshmorit dhe heroit të popullit, Memo Meto, poetit partizan. Unë nuk pata mundësi për shkak të shëndetit të shkoja. Memo Metos, komisarit të njohur, i zuri pritë një tradhtar, bashkëpunëtor me pushtuesin dhe e vrau. Metua nuk u vra nga ndonjë nazist por nga një bashkëpunëtor me të huajin. Ai që vrau Memo Meton sot pritet të marrë dëmshpërblim si antikomunist, kuptohet nipërit apo mbesat, ndërsa familjarët e heroit të popullit, nuk e përfitojnë më këtë shpërblim për heroizmin e tyre në luftën kundër nazizmit dhe fashizmit. Në Shqipëri për fat të keq janë përmbysur heronjtë. Në Evropë dhe gjetkë, nuk është hapur kurrë ndonjë diskutim për të dëmshpërblyer ata që u dënuan si bashkëpunëtorë të nazizmit. Po spiunët që spiunonin partizanët apo njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare si do të trajtohen? Në fshatin tim janë djegur nga gjermani gjysma e shtëpive nga spiunime të tilla.
Mendoni se socialistët duhet të reformojnë qëndrimin e tyre ndaj kësaj kategorie?
Socialistët nuk ndryshojnë dot këtë qëndrim sepse është vlerësim real i historisë, por edhe pse rrjedhin nga PPSH-ja. Por unë do të thosha se nga PPSH kanë dalë të gjitha partitë politike shqiptare. Unë e kam krahasuar PPSH-në me një ‘shegë të plasur’, kokrrat e së cilës u përhapën gjithandej, në parti të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›