E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha pranon krizën e kartave. “Shpresojmë në zgjidhjen e ekspertëve”

Kreu i qeverisë: “Megjithatë, jemi të vendosur që kartat të mos shpërndahen falas”. Berisha, akuza Ramës: “Është në krizë morale në mënyrë konstante”

Shaban Sulçe

Pasi kishte mohuar dhe shmangur shqetësimet e opozitës për javë me radhë, kryeministri Sali Berisha ka pranuar dje ekzistencën e krizës politike që rrezikon zgjedhjet e 28 qershorit dhe që ka të bëjë me procesin kaotik të shpërndarjes së kartave të identitetit. Përtej retorikave të tij se kriza për kartat ekziston vetëm në mendjen e kreut të PS-së, Edi Rama, Berisha ka pranuar ekzistencën e kësaj krize kur gjatë konferencës së djeshme për shtyp deklaroi se priste dhe shpresonte në gjetjen dhe arritjen e një zgjidhjeje që do të ofronte grupi i ekspertëve të të dyja palëve, të cilët janë duke negociuar për këtë çështje. Por kryeministri Berisha deklaroi gjithashtu se qeveria ishte e vendosur që të mos “lëshonte pe” në qëndrimin e saj që kartat e identitetit të mos shpërndaheshin falas. “Është e vërtetë që ne jemi të hapur për variantin që duhet zgjedhur. Opozita është e mirëpritur të japë variantet e saj. Por ta ndajmë fjalën krizë. Ajo ekziston vetëm te Edi Rama, i cili është një njeri non-stop në krizë dhe në mënyrë konstante. Përsa i përket çështjes së kartave mund të them se po diskutojnë ekspertë për të gjetur rrugën më të përshtatshme dhe zgjidhjen e duhur”, - tha kryeministri Berisha. Sipas tij, vetëm gjatë ditës së djeshme ishin kryer më shumë se 17 mijë aplikime të shtetasve pa pasaportë.

Aplikimi
I pyetur nga gazetarët në lidhje me datën e saktë në të cilën Shqipëria do të aplikojë për të qenë vendi me statusin e kandidatit për anëtar i Bashkimit Europian, Berisha tha se data e saktë do të shpallet nesër (sot). Ndërkohë kryeministri deklaroi se kishte marrë mbështetje të plotë gjatë vizitës së tij në Francë nga presidenti francez, Nikola Sarkozi. “Falënderova presidentin Sarkozi për mbështetjen që i dha Shqipërisë në anëtarësimin në NATO. Presidenti Sarkozi pati edhe ai vlerësimin se kjo ishte një arritje historike për Shqipërinë. Presidenti Sarkozi më garantoi mua dhe mbarë qytetarët shqiptarë se ai dhe Franca na mbështesin në rrugën e integrimit në Bashkimi Europian, duke e cilësuar këtë proces të pakthyeshëm”, - vijoi Berisha gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Kryeministri u pyet gjithashtu nga gazetarët në lidhje me mënyrat e përzgjedhjes së kandidateve dhe shpalljes së listave të Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Për këtë Berisha u përgjigj se gjithçka do të procedohej sipas Statutit të Partisë Demokratike.

Reagimi i PS-së

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Socialiste ndaj deklaratave dhe sulmeve të kryeministrit Berisha në drejtim të kreut të PS-së Edi Rama. Zëdhënsja e kryesisë së Partisë Socialiste Mimi Kodheli tha se kryeministri Berisha është në dëshpërim për humbjen e pashmangshme që e pret në zgjedhjet e 28 qershorit. Kodheli tha se shqiptarët në 28 qershor do të zgjedhin të ardhmen e Edi Ramës dhe jo të shkuarën e Sali Berishës. “Njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara thotë një fjalë e mençur, që sot i shkon shumë përshtat Sali Berishës, i cili kapet pas punëve të Bashkisë së Tiranës, si i mbyturi pas fijes së barit, në përpjekjen e dëshpëruar për të shmangur humbjen e tij të sigurt në 28 qershor, kur shqiptarët do të zgjedhin të ardhmen e Edi Ramës, jo të shkuarën e Sali Berishës”, tha zëdhënsja e kryesisë së Partisë Socialiste.

27 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›