Rama: “Çdo familje në fshat do të ketë një biznes agrar”
Komuna e Libonikut në qarkun e Korçës ka qenë ndalesa e radhës së kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në kuadër të prezantimit të programit të ri qeverisës së Partisë Socialiste. Në shpalosjen e programit të ri Edi Rama bëri të ditur një nga pikat e platformës socialiste për fshatin. Duke kujtuar të gjithë problematikën e dëgjuar për dy vjet në bashkëbisedim me banorët e fshatit, për pesticide që dëmtojnë prodhimin, apo farëra, që po ashtu japin produkt të patregtueshëm, Rama premtoi ngritjen e Agjencisë së Biznesit Agrar. Ndërkohë ai premtoi se PS-ja do të angazhohet që çdo familje në fshat do të ketë një biznes agrar. “Ne do ta shikojmë familjen në fshat si një familje fermere, e cila duhet të orientohet dhe kthehet në një biznes agrar dhe gjëja më e parë që do të bëjmë, është që çdo biznes agrar, do ta përjashtojmë nga çdo taksë dhe nga çdo tatim fitimi në 3 vitet e para”, - tha kreu i PS-së Edi Rama.
Leskaj: “Programi i PS-së, në mbështetje të bizneseve”
Kryetarja e Grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka deklaruar nga qyteti i Elbasanit se biznesi dhe mbështetja ndaj tij janë pjesë e platformës qeverisëse të PS-së. Leskaj ishte në një ndërmarrje me fason, e cila si gjithë të tjerat, në këtë periudhë përballet me vështirësi të shumta, të deklaruara nga fasonistët në të gjitha takimet e zhvilluara me strukturat përkatëse qeveritare. Leskaj u shpreh se PS ka një program shumë serioz për mbështetjen që do i jepet biznesit pas 28 qershorit. Ky vend ka nevojë të zhvillohet e punësohet tha Leskaj: “Biznesi meriton të vlerësohet, biznesi meriton të mbështetet. Ajo që ne do të bëjmë pas 28 qershorit, është mbështetja që në do ti japim biznesit. Ne kemi një program shumë serioz për këtë, që ka të bëjë jo vetëm me nxitjen e iniciativave që janë në mbështetje të biznesit të vogël dhe të mesëm, madje edhe atij të madh”, - tha Leskaj.
27 Prill 2009