E Diel, 1 Nëntor 2026

Prag zgjedhjesh, qeveria parashikon rritje pagash dhe pensionesh në maj

>Qeveria Berisha ka parashikuar një rritje tjetër pagash dhe pensionesh gjatë këtij viti elektoral, por që do të marrë jetë vetëm një muaj para zgjedhjeve parlamentare. Administrata shtetërore, arsimi, shëndetësia, pensionistët kryesisht ata të fshatit, por edhe familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike do të jenë sërish në qendër të vëmendjes së qeverisë Berisha, e cila mesa duket kërkon një votë të justifikuar nga këto shtresa. Sipas parashikimeve më të fundit të kësaj qeverie, mësohet se më 1 maj të vitit 2009, rroga mesatare e 104 mijë punonjësve të administratës shtetërore do të jetë jo më pak se 46 mijë lekë të rinj. Sipas burimeve pranë Ministrisë së Financave, mësohet se në të gjithë administratën është parashikuar që të mos ketë rrogë nën 21 mijë lekë të rinj. Ndërkaq, nga 1 maji i këtij viti, do të përfitojnë edhe 2 mijë infermierë, të cilët do të kenë një rrogë mesatare prej 36 mijë lekësh të rinj, ndërsa 4 mijë mjekë me rritjen e re të rrogave që ata do të marrin, do të kenë një pagë prej 48 mijë lekësh të rinj. Referuar edhe buxhetit të shtetit, pagat dhe pensionet për vitin 2009 do të pësojnë përsëri rritje. Përsa i përket pensionistëve, më të privilegjuarit do të jenë pensionistët e fshatit. Pensionistët në qytet do të kenë një rritje prej 10 %, ndërsa pensionistët në fshat do të kenë një rritje prej 20 %. Gjithashtu, rritje do të pësojë edhe ndihma ekonomike. Për rritjen e saj, sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, qeveria gjatë vitit 2009 do të zbatojë një politikë sociale konstante. Ndërkohë, mjekët dhe arsimtarët do të do të përfitojnë rritjen më të madhe të pagave. Ekspertë të Ministrisë së Financave thanë se me shtesën që do të bëhet në maj të këtij viti, arsimtarët, mjekët dhe infermierët do të ndjejnë dyfishimin e pagës. Rritja mesatare e pagave në sektorin publik për vitin 2009 do të jetë 10 %. Rritja e pagave të mësuesve të sistemit parauniversitar është 14 %, ndërsa për ata të sistemit universitar do të jetë e diferencuar. Edhe për sektorin e shëndetësisë, rritja e pagave do të jetë mesatarisht 12.3 %, por edhe këtu rritja do të jetë e diferencuar. Numri maksimal i punonjësve buxhetorë më 1 janar të këtij viti llogaritet 107 mijë persona.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›