Berisha pranon se në Norvegji e dërguan Statkraft e Statoil
Kryeministri Sali Berisha foli për dhjetëra minuta përpara ministrave të tij për suksesin e vizitës në Norvegji. Ashtu siç kishte raportuar gazeta Tema, Berisha pranoi se ishte aty falë dy kompanive Statkraft e Statoil, pasi foli gjerë e gjatë për projektet e dy kompanive. Berisha tha se vitin që vjen Statkraft do të nisë projektin e kaskadës së Devollit. Ai deklaroi se do përmbyten rrugë, por ato do ndërtohen më të bukura. Berisha tha po ashtu se edhe projekti i gazsjellësit të Statoil do marrë jetë, por harroi të përmendte një detaj, se Berluskoni nuk e ka përkrahur këtë projekt dhe kur nuk e ka përkrahur ai, nuk dihet se si do veprojë kjo qeveri teknokratësh në Itali.
Gjeni më poshtë fjalën e Berishës.
Norvegjia kryeson në botë për të ardhura për frymë, jetëgjatësi, mjedis, energjetikë, eksportues i dytë në botë i gazit dhe furnizon kontinentin e Mbretërinë e Bashkuar me sasi gazi të njëjta me ato të Gazprom-it. Është model i zhvillimit të qëndrueshëm jeshil.
Shkova me ftesë të kryeministrit dhe me një axhendë shumë të përcaktuar. Çështje kryesore që diskutuam me mirëkuptim të plotë ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e energjisë. Norvegjia është njëshi në botë për investim e ndërtim hidrocentralesh në vendet e tjera.
Kompanitë kryesore norvegjeze janë prej kohësh në Shqipëri. Kanë fituar tendera për koncesione, kanë projektin e kaskadës së Devollit, që do prodhojë 20 përqind të energjisë në Shqipëri. Është një investim 1 miliard euro përafërsisht.
Norvegjia disponon fondin sovran të dytë në botë për investime. Gjatë drekës së punës, kryeministri norvegjez e dinte shumë mirë simpatinë tonë për një zhvillim të qëndrueshëm, përpjekjen tonë për tu kthyer në një superfuqi të vogël energjetike për energjinë e rinovueshme.
Projekti më i madh privat në këto 20 vite, projekti i kaskadës së Devollit, që aktualisht është më i madhi në Europë në fushën e energjisë ujore, do të fillojë dhe ky është një vendim përfundimtar dhe i pandryshueshëm. Ka përfunduar gjithçka dhe kompanitë austriake e norvegjeze, EVN dhe Statkraft, pasi kanë zgjidhur të gjitha problemet, gjatë muajit të parë të vitit që vjen hapin tenderat e fillimit të punimeve. Natyrisht kjo është vepra më komplekse. Qeveria do nisë ndërtimin e rrugës në përputhje me kontratën me këtë kompani dhe qytetarët e Gramshit do kenë të gatshme rrugën e re që i sjell drejt kryeqytetit përpara se të ndodhë përmbytja. Do jenë 18 kilometra, rruga më panoramike e rajonit. Do ndërtojmë vepra arti që i përshtaten shumë terrenit. Kam kënaqësi të informojë se kaskada e Devollit do jetë realiteti më i madh i investimeve publike këto vite. Skeptikët e kanë parë projektin me skepticizëm, por faktikisht kjo ëndërr e bukur do shndërrohet në realitet.
Së dyti, prapë energjia. Është tashmë e njohur se një gazsjellës, që fillon në Kaspik, në fushën e gazit Shardoniz dhe kalon në Turqi, Greqi, Shqipëri e shkon drejt Italisë, është projekti më fizibël i të gjithë projekteve të gazsjellësve për të çuar gazin e Kaspikut drejt Europës Perëndimore. Kushton 2 miliard euro më lirë se të gjithë projektet që shkojnë drejt Italisë. Është projekti që mund të ndërtohet në kohë rekord, më shpejt se çdo projekt tjetër për shkak të distancës së shkurtër. Ky projekt kishte fillimisht në bërthamë konsorciumin EGL dhe Statoil, ndërmarrjen kryesore të gazit në Norvegji, është bashkuar tani është një gjigant tjetër E-on. Është sipërmarrja e madhe energjetike e Gjermanisë. Projekti ka avancuar falë një vullneti të hekurt që ka treguar EGL dhe Statoil dhe vendeve si Shqipëria. Kemi zhvilluar një sërë takimesh me aktivitetet e Azerbajxhanit dhe Turqisë. Projekti ka mbështetje politike dhe e ka të qartë perspektivën. Diskutova me kryeministrin norvegjez që projekti gjigant të bëhet realitet.
Problemi i tretë që diskutova në filozofinë e zhvillimit jeshil është përpjekja e kësaj mazhorance për pyllëzimin e vendit me dru frutorë. Shqipëria është një vend ideal për dru frutorë. Ne kemi nisur projektin e ullirit dhe të arrorëve për ta kthyer Shqipërinë në kopshtin më të bukur të Europës. Norvegjia do japë ndihmën e saj. Pata rastin të ftoj investitorët norvegjezë në këto projekte. Investitorët shqiptarë po ashtu ishin optimistë për takimet që kishin pasur.
Pata një nder të veçantë. U prita nga Princi i Kurorës, pasi Mbreti nuk ndodhej në Norvegji. Pata një pritje shumë të përzemërt. Mbeta vërtet i prekur nga ndjenjat e tij thellësisht miqësore ndaj Shqipërisë e shqiptarëve.
Vizitova një nga hidrocentralet më të mëdha në Norvegji, një sistem mahnitës digash e tunelesh. Ishte një mrekulli e vërtetë energjetike. Edhe ne do shkojmë në këtë drejtim. Edhe u furnizova, edhe u ndava me optimizëm.
E mbyll duke i shprehur mirënjohjen kryeministrit Stoltenber për pritjen e ngrohtë që më rezervoi, falënderoj Princin e Kurorës, zv/presidentin e parlamentit, drejtuesit e Statoil dhe Statkraft dhe të gjithë ata biznesmenë që takova për simpatinë që treguan për Shqipërinë.