E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takime në Shkodër

Shkodër -Kreu i LSI-së, z. Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me qindra banorë në komunën e Hajmelit të Shkodrës, ku ka prezantuar Planin për Veprim të LSI, që ka një program mjaft të detajuar sesi të nxjerrë bujqësinë nga kriza, të nxisë prodhimin e vendit dhe të hapë 50 mijë vende të reja pune duke krijuar dhe promovuar një industri agropërpunuese. Gjatë takimit, Meta u shpreh se me këtë sistem zgjedhor zgjedhjet i fiton LSI-ja, sepse LSI-ja është forca vendimtare përcaktuese për mazhorancën e ardhshme dhe për qeverinë e re, kështu që kjo është një garanci shumë e mirë që ne të realizojmë premtimet tona kryesore, dhe angazhimet tona kryesore janë me rininë. Ne të rinjtë nuk i përdorim si dekor apo si fasadë, por ne të rinjtë dhe të rejat i vlerësojmë dhe iu kemi dhënë prioritetet më të favorshme.

“Ne vijmë me një program shumë të qartë për të gjithë Shqipërinë, për të garantuar 100 mijë vende të reja të qëndrueshme pune për katër vitet që vijnë. Është një program shkencor dhe realist, konkret për të gjallëruar ekonominë, për të gjallëruar bizneset, për të futur njerëzit në punë dhe kjo, në radhë të parë, do të thotë të futen të rinjtë në punë”-tha Meta.

Ai shtoi se LSI-ja synon të ndërmarrë reformë në arsim që ndihmon të gjithë që të punësohen më shpejt, si ata që nuk do të ndjekin studimet e larta, por edhe ata që ndjekin shkollën e lartë. Duke vazhduar më tej Meta u shpreh se, Shqipëria ka mundësi të mëdha për t’u zhvilluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›