Berisha premtoi ligj të ri për sekuestrimet
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, akuzoi disa javë më parë Gjykatën e Lartë për ndryshimin e ligjit "Antimafie", që ka të bëjë me sekuestrimet. Berisha premtoi se do të ketë një ligj të ri për sekuestrimet sipas modelit anglez. Sipas tij, vendimi për shfuqizimin e ligjit nga Gjykata e Lartë është një problem për drejtësinë shqiptare. "Kemi një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2007, i cili ndërhyn duke kufizuar sekuestrimin dhe konfiskimin e produkteve të veprës penale, për krimin e organizuar. Ky vendim do të kundërshtohet me ligj. Ligji të bëhet urgjentisht dhe t‘i përmbahemi modelit britanik", tha Kryeministri. Sipas Berishës, vendimi i Gjykatës së Lartë të vitit 2007 kufizon mundësinë e rrënimit të bosëve të krimit. "Atyre po nuk ua rrënove ekonominë, pushteti u mbahet. Ndaj, ne duhet të marrim ligjin e fundit që ka votuar Parlamenti britanik. Edhe ligji që ne adaptuam është shumë i mirë. Ai ligj të sillet sa më shpejt në qeveri dhe Komisioni Europian kërkon përgjigje ligjore ndaj këtij vendimi. Kërkohet përgjigje ligjore, sepse kjo është një pengesë", vijoi Berisha. Gazeta "Shqip" publikoi disa muaj më parë një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë, për ndryshimin e ligjit "Antimafie" për sekuestrimet. Nga momenti i shpalljes së vendimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka pasur të pamundur të kërkojë në gjykatë sekuestrimin e pasurive të kriminelëve dhe të bandave kriminale.