E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton: “Në mandatin e dytë pensionet në fshat, 100 dollarë”



Në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, kryeministri Berisha është ndalur dje në disa komuna të Fierit, ku inauguroi shkollën e re 9-vjeçare të fshatit Vidhisht. Kryeministri Berisha, në përshëndetjet e tij, tha se ne qeveria e tij është zotuar që Shqipërisë rurale, fshatrave të saj, do t’u ngrejë infrastrukturën që kanë qytetet e lagjet e tyre. “Qeveria ka vendosur të rrisë pensionet e pagat e shqiptarëve 4 herë më shumë se në 8 vite të marra së bashku dhe premtoj se në mandatin e ardhshëm nuk do të ketë pension në fshat nën 100 dollarë. Ne gjetëm një pension në fshat 34 mijë lekë dhe ky pension do të dyfishohet më 1 maj të këtij viti. Ne që ju premtuam se do të dyfishonim pensionet tuaja dhe po e bëjmë këtë realitet, ne ju premtojmë se mandatin e ardhshëm, në fshatrat e Shqipërisë nuk do të ketë pension nën 100 dollarë”, - është shprehur Berisha.
Kryeministri Berisha më tej tha se qeveria do të vendosë për një trajtim të ri të familjeve më në nevojë. “Unë kam një mesazh, një thirrje vëllazërore për të gjithë kryetarët e komunave të Shqipërisë, për të gjithë qytetarët shqiptarë, të ngrihemi në lartësitë e shpirtit të mirë e solidaritetit njerëzor e të vendosim të ndihmojnë çdo familje në nevojë në komunat tona. Qeveria është e gatshme të financojë e të japë çdo ndihmë në këtë drejtim. Ne nuk duam, nuk pranojmë që qoftë edhe një qytetar i vetëm në këtë vend të qajë me lotët e ftohta të mjerimit, por të ndiejë dorën tonë, të ndiejë zemrën dhe mbështetjen tonë kudo ku ai ndodhet. Javën që vjen qeveria do të vendosë për një trajtim të ri të familjeve më në nevojë”, - u shpreh kryeministri. Berisha bëri thirrje për pajisjen e tyre me letërnjoftimet elektronike, edhe si një kusht për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, si qytetarët europianë. “Duke përfunduar, kam një premtim dhe një thirrje. Premtimi im është se, ashtu siç realizuam anëtarësimin në NATO, do të realizojmë heqjen e vizave, që edhe ne të lëvizim si qytetarë të lirë në mbarë Europën. Por apeli im është që t’i marrim letërnjoftimet elektronike, pasi pa plotësimin e këtij kushti, ju garantoj jo një, por ministrat e disa vendeve nuk do të votojnë për heqjen e vizave për Shqipërinë, sepse këtë e kanë një kusht përcaktues, identiteti i atij që ecën e viziton vendet e tyre duhet të jetë i qartë dhe i saktë. Ndaj le t’i marrim letërnjoftimet e reja dhe pasaportat për të barazuar veten tonë më qytetarët e vendeve më të zhvilluara, të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë e vendeve të tjera”, - është shprehur Berisha.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›