KQZ-ja, fushatë spotesh për pajisjen me karta identiteti
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi vendimin për sensibilizimin për pajisjen me karta të qytetarëve. Përfaqësuesi politik i Partisë Socialiste propozoi që në spotet që KQZ-ja do të bëjë me mediat elektronike dhe ato të shkruara të futeshin edhe spotet për sensibilizimin e qytetarëve me mjete identifikimi. Ai u shpreh se detyra primare e Kodit Zgjedhor, bazuar edhe në Nenin 179, janë listat e zgjedhësve dhe pajisja e qytetarëve me karta identiteti. Anëtarët e KQZ-së votuan në mënyrë unanime për këtë akt. Spotet do të jenë të përkthyera edhe në gjuhët e minoriteteve që jetojnë në Shqipëri. KQZ-ja miratoi edhe listën e mediave elektronike dhe atyre të shkruara. Numri i gazetave ku KQZ-ja do të publikojë spotet e saj për sensibilizimin e qytetarëve për të shkuar për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit do të jetë 16. Ndërsa numri i revistave, nga 4 që ishte propozimi fillestar, u lanë 2. Gazetat partiake nuk janë përfshirë në këtë listë me arsyetimin se ato kanë interes të drejtpërdrejtë që t’i ftojnë qytetarët për të shkuar në votime. KQZ-ja e ka ndarë fushatën e saj sensibilizuese në tri pjesë. Në pjesën e parë, që do të nisë më 28 maj, është programuar të bëhet informimi i qytetarëve për datën dhe orën e votimit. Në pjesën e dytë është parashikuar të bëhet edukimi i votuesve për mënyrën se si do të votohet, ndërsa në pjesën e tretë do të bëhet sensibilizimi i votuesve për të votuar. KQZ-ja miratoi një marrëveshje bashkëpunimi me OSSH-në. Në marrëveshje OSSH-ja shpreh angazhimin për furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike të ambienteve që do të caktohen nga KQZ-ja për zhvillimin e zgjedhjeve, si: godinat e KQZ-së, KZAZ-ve dhe të VNV-ve.
Luis Tanushi
14 Prill 2009