Berisha premton heqjen e licencave për biznesin
Kryeministri Sali Berisha ka premtuar ditën e djeshme heqjen e licencave nga kompetencat e ministrive, si dhe kalimin e tyre në sistemin on-line, në mënyrë që hapja e një biznesi të jetë shumë herë më e lehtë. “Ne do të krijojmë klimën më miqësore dhe standardet më liberale. Në shumë aspekte ne jemi shumë mirë. Paketa jonë fiskale është më e shkëlqyera, natyrisht ndonjë taksë me konotacion të dyfishtë duhet të arkivohet. Ne do të heqim licencat në të gjitha rastet e mundshme. Ministritë tona ende merren me licenca hotelesh e vendosje yjesh për to etj. Por të gjitha këto bien. Licencat do të pësojnë dy fate: më i shkëlqyeri është heqja e tyre dhe së dyti, futja në One stop shop dhe on line. Tregu, tregu dhe vetëm tregu, duhet të dominojë. Është ai që krijon cilësinë, ul çmimin dhe mundëson shërbimin më të mirë”, - u shpreh Berisha. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Drejtësisë privatizimin e shërbimit të përmbarimit dhe liberalizimin e profesioneve të lira, ndërsa nga Ministria e Transportit heqjen e të gjitha licencave për linjat e transportit.
2 Maj 2008