E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lobet hebraike në botë dhe ndihma e tyre për Shqipërinë”



Shaban Sulçe

Në kohën moderne ekzistojnë shumë mite rreth të ashtuquajturit “lob hebre”. Këto mite sigurisht janë të përhapura edhe në Shqipëri, ku ky lob konsiderohet shumë i rëndësishëm në përcaktimin e fateve të botës. Megjithatë, ashtu si çdo mit, e vërteta është më ndryshe. Se si funksionon një lob hebre, se çfarë qëllimesh dhe aktiviteti kryen, për këtë kemi intervistuar Majkëll Mostin, përfaqësuesi i lobit hebre në Kanada, i cili gjendet për herë të parë në Shqipëri, ku është ftuar të marrë pjesë në takimin e organizuar nga Shoqata Atlantike e Liderëve të Rinj Politikë. Në intervistën për gazetën “Albania”, Mostin shpreh synimin për vendosjen e marrëdhënieve me komunitetin shqiptar në Kanada, si dhe gatishmërinë për të kontribuar në demokratizimin e Shqipërisë. Ai nuk heziton të shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen e tij dhe të popullit hebre në drejtim të popullit shqiptar, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte ndër të paktat vende që nuk pranoi t’u dorëzonte nazistëve hebrenjtë e strehuar në Shqipëri.

Zoti Mostin, ju jeni përfaqësuesi i komunitetit dhe lobit hebre në Kanada. A mund të na flisni shkurtimisht rreth aktivitetit dhe funksionimit të këtij grupi dhe rolit tuaj në të?
B'nai Brith Kanada është zëri i pavarur i komunitetit hebre në Kanada. Ai përfaqëson interesat e veta në qeveri, OJQ dhe sigurisht në publikun e gjerë kanadez. Që prej vitit 1875 ka qenë ndër grupet më dinjitoze dhe më të respektuara për punën e vet të madhe mbi çështje që kanë të bëjnë më antisemitizmin, racizmin, të drejtat e njeriut, përkrahjen e saj të madhe ndaj çështjeve më shqetësuese të ditës dhe mbi shërbimet sociale më të rëndësishme që ofrohen. Organizata mbikëqyr dhe lufton antisemitizmin dhe krimet e ndryshme, mbron promovimin e lirisë dhe demokracisë ndërkombëtare, drejton aktivitete të ndryshme sportive për rininë, ka një rrjet të gjerë filialesh në të gjithë vendin dhe u siguron një sërë shërbimesh sociale personave në nevojë, si për shembull programi i “shportave të ushqimit”, sigurimi i veshjeve dhe ndihmave të tjera për viktimat e uraganit “Katrina” si edhe subvencionimi i shtëpive të pleqve në Montreal dhe Toronto. Motoja e organizatës sonë është “Njerëzit në ndihmë të njerëzve” dhe ne përpiqemi me të gjitha mundësitë tona të jetojmë sipas këtij modeli për çdo ditë, duke punuar dhe mbështetur nevojat jo vetëm të komunitetit hebre, por edhe ndërtimin në të njëjtën kohë të një ure komunikimi me kulturat dhe besimet e tjera fetare, duke i mbrojtur ata në të drejtat e tyre njerëzore, si dhe çështjet e tyre. Unë aktualisht shërbej si drejtor i zyrës qeveritare për marrëdhëniet dhe çështjet diplomatike në Otava. Kjo zyrë ka marrëdhënie të rregullta me deputetë, nëpunës civilë, ambasadorë nëpër botë dhe opinion-bërës që banojnë në kryeqytetin kanadez. Ne japim edhe programe mësimore në lidhje me komunitetin hebre. Zyra e marrëdhënieve qeveritare gjithashtu lehtëson paraqitjen e B'nai Brith's në Gjykatën e Lartë në Kanada, në komitetet parlamentare dhe konsullatat e ndryshme.
Do të dëshiroja të dija më shumë rreth vizitës suaj në Shqipëri.
Veç rolit tim si drejtor i Shoqatës B'nai Brith, unë në të njëjtën kohë jam edhe anëtar i Shoqatës Atlantike të Liderëve të Rinj Politikë (AAYPL). Në këtë grup përfaqësohen liderë të rinj politikë nga të dyja krahët, qoftë të majtë a të djathtë, që është ndër të tjera i afërt edhe me Organizatën e Paktit të Atlantikut Verior (NATO). Qëllimi i AAYPL është të ofrojë një hapësirë ku politikanë të rinj të zonës euro-atlantike mund të takohen e të ndajnë përvojat dhe mësimet e shteteve të tyre. Personalisht u përfshiva në këtë organizatë vjeshtën e shkuar, kur më ftuan të merrja pjesë në një konferencë të AAYPL në Otava, e cila ishte një sukses i jashtëzakonshëm falë edhe Goran Pesic, zëvendëspresidentit të AAYPL dhe organizator i konferencës në Otavë. Konferenca e AAYPL në Tiranë, që do të organizohet nga përfaqësuesi i saj lokal në Shqipëri, Dorian Duçka, ka si qëllim specifik të lehtësojë kontaktet dhe bashkëpunimin mes politikanëve të rinj duke u përqendruar më tepër në rajonin e Ballkanit. Ne shpresojmë të krijojmë kontakte të reja dhe të qëndrueshme ndërmjet aktorëve kryesorë politikë në rajon. Konferenca do të bashkojë rreth 40 politikanë të rinj, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë si edhe këshilltarë politikë nga të dyja anët e Atlantikut dhe nga më shumë se 12 vende, të cilët do të diskutojnë sesi të ndërlidhen më mirë, të bëjnë ndryshimin përmes ideve dhe debateve mbi çështje të tilla si demokracia, qeverisja e mirë, transparenca, integrimi dhe siguria.
Në Shqipëri po diskutohet shumë rreth konceptit të lobimit. Si funksionon në përgjithësi një lob dhe në veçanti lobi hebre?
Ka shumë mite rreth të ashtuquajturit “lob hebre”, kështu që do të doja të falënderoja për mundësinë e sqarimit të kësaj teme. Do të dëshiroja ta diskutoja këtë çështje nga këndvështrimi im amerikano-verior. Pikësëpari, komuniteti hebre është si shumë komunitete të tjera, që do të thotë se nëse pyesni rastësisht 2-3 anëtarë të tij për një problem të caktuar, do të merrni si përgjigje tre mendime të ndryshme. Komuniteti hebre nuk është komunitet monolitik, pra organizata dhe individë të ndryshëm hebrenj zhvillojnë politika dhe mendime të ndryshme mbi çështje të ndryshme, kjo reflekton diversitetin e mendimeve brenda komunitetit. Gjithsesi, supozimi që hebrenjtë kanë një pushtet dhe ndikim disproporcional mbi vendimmarrjen është pikërisht transformimi i një realiteti përshkrues rreth politikave në një argument antisemit rreth pushtetit hebre. E vërteta është që pothuaj çdo grup që mund të mendoni ka një lob në Amerikën e Veriut, duke filluar që nga armëmbajtësit, te mbrojtësit e shëndetit publik, ambientalistët etj. Pak a shumë, çdo grup etnik në Amerikën e Veriut, nga somalezët deri tek armenët, italianët, kubanët etj., janë të angazhuar në të tilla aktivitete lobimi rreth çështjeve të tyre (shpesh madje edhe konkurrojnë brenda grupit në mbrojtje të pozitave dhe mendimeve të kundërta). Kjo është tërësisht normale dhe e mirëpritur në një sistem të hapur demokratik, të gjithë qytetarët duhet të kenë të drejtën dhe mundësinë t’u bëjnë me dije qëndrimet dhe këndvështrimet e tyre politikanëve dhe të ndikojnë në politikat dhe në sferën publike.
Kur përdoret, pa përmendur lobet e tjera apo duke veçuar atë hebre, të cilët kanë një pozicion politik të ndryshëm mbi një sërë çështjesh, ku përfshihet edhe Izraeli, kjo është një formë “bashkëkohore” e frikës nga “komploti hebre”, term ky i përdorur me një konotacion përkeqësues nga komunistët dhe nazistët dhe ende përdoret nga antisemitët sot. Duke iu referuar frazës, kur përdoret për të treguar një lob hebre ”të plotfuqishëm” që kontrollon politikat e Lindjes së Mesme, kjo është mbështetje në një stereotip klasik antisemit. Komuniteti hebre mbron shumë, shumë çështje, dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre ka të bëjë me mbështetjen e shtetit të lirë dhe demokratik të Izraelit, i cili është ende i rrethuar nga shumë shtete dhe entitete terroriste që bëjnë thirrje për shkatërrimin e tij. Duke mbajtur parasysh këtë gjë për shembull, në Shtetet e Bashkuara mbështetja më e madhe ndaj shtetit të Izraelit ka ardhur nga komuniteti kristian johebre dhe një etiketim i tillë është tepër keqinterpretues.
Kështu pra, kur disa flasim për lobin hebre, zakonisht i referohen lobit izraelit. Dhe e përsëris, praktikisht çdo grup në botë është i angazhuar në aktivitete të tilla mbrojtëse në Amerikën e Veriut, për shembull Arabia Saudite ka hedhur dhjetëra milionë dollarë dikur nëpër universitetet amerikane me qëllim ndikimin e opinionit dhe politikëbërjes në Lindjen e Mesme. Kur dikush ka një problem të veçantë, përpjekjet e ndryshme për të “mbrojtur” Izraelin dhe vetëm Izraelin - jo shtete të tjera demokratike si Italia apo Irlanda, apo qoftë edhe Koreja e Veriut apo regjime terroriste si Irani dhe Siria, dikush pyet veten përse. Kritikat ndaj Izraelit, si ndaj çdo lloj demokracie tjetër, mund të justifikohen plotësisht dhe në mënyrë të duhur. Izraeli gabon si çdo demokraci tjetër dhe shoqëri e lirë. Por të përzgjedhësh dhe të kritikosh Izraelin për përjashtim të çdo shteti tjetër në të gjithë botën, ta mbash atë në një standard komplet të ndryshëm siç ka ndodhur të bëhet normë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara është antizionizëm. Dhe ky i fundit është fytyra moderne e antisemitizmit. Për fat të keq “Unë e urrej Izraelin” ka një farë dykuptimësie që mund të përkthehet në “Unë urrej hebrenjtë”. Vetëm kur ne të mundemi të njohim dhe të tejkalojmë këtë realitet të trishtë do të jemi në gjendje të ecim përpara drejt një paqeje të vërtetë dhe jetëgjatë në Lindjen e Mesme.
Në Kanada ekziston një komunitet i madh shqiptarësh. A keni lidhje apo bashkëpunime me këtë komunitet. Çfarë synoni nga ky bashkëpunim?
Me të vërtetë që ekziston një komunitet i ngrohtë dhe kumbues shqiptaro-kanadez. E kuptoj që tashmë janë më shumë se 20 mijë të tillë dhe shumica jeton në zonën e Torontos. Njëra nga shpresat e mia më të mëdha gjatë kësaj vizite në Shqipëri është të zhvilloj më tej disa lidhje dhe miqësi të reja dhe të vazhdoj t’i forcoj këto lidhje pas kthimit tim në Kanada.
Le të kthehemi pak pas në vite. Shqipëria ka qenë një nga shtetet e pakta në Europë që nuk pranoi t’i dorëzonte hebrenjtë e strehuar në vend në duart e nazistëve. Si e kuptojnë hebrenjtë anembanë botës këtë veprim të shqiptarëve?
Konferenca e AAYPL përkon me një ditë shumë të veçantë. 1 Maji është dita përkujtimore e Holokaustit në Otavë, ku do të organizohet një ceremoni në të cilën do të marrë pjesë edhe kryeministri Stephen Harper, si edhe politikanë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria pati një kulturë të pasur dhe të ndryshueshme, ku bashkëjetonin në harmoni për shekuj myslimanët, kristianët dhe hebrenjtë. Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në Europë ku ka pasur më shumë hebrenj se kudo pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa disa liderë arabë dhe myslimanë janë përpjekur ta kthejnë mohimin e Holokaustit si një vegël kundër Izraelit dhe Perëndimit, Shqipëria, që ka shumicën e popullsisë myslimane, është treguar si një nga qoshet e vetme islame me një qëndrim të drejtë ndaj së shkuarës. Në fakt, këtë janar, Shqipëria organizoi ditën e saj të vet përkujtimore ndaj holokaustit për herë të parë, pikërisht me qëllim për ta konfirmuar. Banorët e Shqipërisë janë me të drejtë krenarë për historinë e tyre, duke shpëtuar jetën e kaq e kaq hebrenjve pa marrë parasysh rrezikun personal dhe populli hebre është shumë mirënjohës për këtë tolerancë fetare dhe mbështetje që kanë treguar.
Ju jeni anëtar i AAYPL, ku përfaqësohet edhe Shqipëria. Çfarë kërkoni të arrini duke marrë pjesë dhe bashkëpunuar me këtë strukturë? A do të ketë kjo një qëndrim nxitës ndaj brezave të rinj në Shqipëri?
Unë personalisht e shoh AAYPL si një mënyrë të paçmuar ndërlidhjeje të të rinjve nga e gjithë Europa dhe Amerika e Veriut, që kanë pasion mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë. Këto lloj miqësish dhe lidhjesh që krijohen në të tilla konferenca mund të zgjasin për gjithë jetën dhe shpresojmë se do t’i bëjnë të mundur shteteve tona të lëvizin drejt forcimit të këtyre vlerave dhe parimeve. Të gjithë anëtarët tanë të rinj duan të sigurohen që Shqipëria, Kanadaja dhe demokracitë e tjera gjenden aty pranë njëra-tjetrës, në kohëra të këqija dhe të mira, tamam si shokë të mirë. Në një botë me një situatë sigurie të vështirë gjithnjë në rritje dikush mund të mbështetet gjithnjë te miqtë dhe aleatët e mirë. Do të dëshiroja t’i them rinisë shqiptare që megjithëse ndryshimet vijnë zakonisht vonë, ndodh që me përpjekje të përbashkëta dhe me durim arrihet ajo çka dikush dëshiron. E di që për të rinjtë shqiptarë ka shumë gjëra të mira që janë duke pritur dhe dëshiroj t’i inkurajoj të vazhdojnë të punojnë fort në arritjen e ëndrrave të tyre.

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›