E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Maqedoni, Berisha pret në Tiranë Menduh Thaçin



Kryeministri Berisha u takua ditën e djeshme në zyrën e tij me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, Menduh Thaçi. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, në Maqedoni dhe në rajon. Diskutimi mes dy liderëve u përqendrua në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Maqedoni. Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e partive shqiptare në Maqedoni dhe ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë të angazhohen për një proces zgjedhor demokratik, të qytetëruar dhe paqësor. “Unë me këtë rast ftoj të gjitha forcat politike shqiptare dhe të gjithë qytetarët në Maqedoni të japin kontributin e tyre për këtë test të rëndësishëm të demokracisë, i cili kam besim të plotë se do të kalohet me sukses të madh. Me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni diskutuam në tërësi mbi zhvillimet në Shqipëri, zhvillimet në Maqedoni dhe rajon. Unë e njoha z.Thaçi me risitë e reformës së thellë elektorale dhe reformës kushtetuese si një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin. E njoha gjithashtu zotin Thaçi me reformat në tërësi”, - u shpreh Berisha. Nga ana tjetër Thaçi tha se e kishte siguruar kryeministrin Berisha se PDSH-ja në Maqedoni do të bëjë maksimumin si parti qeveritare dhe do të japë kontributin më të mirë për zgjedhje të lira, demokratike e civilizuese.

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›