E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton listat e 6 subjekteve zgjedhore, ndryshon fleta e votimit

Miratohen listat e 6 subjekteve elektorale, mes tyre edhe një kandidat i pavarur. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme edhe listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë të 6 partive që do të garojnë në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa refuzoi listat e dy subjekteve; Partisë Aleanca Kombëtare dhe Partisë Agrare. Ashtu si për 14 subjektet e dy ditëve më parë, ekspertët e Drejtorisë Juridike të KQZ-s, paraqitën dokumentacionin e plotësuar në përputhje me Kodin Zgjedhor edhe për partitë 6 paritë që kishin mbetur pa u miratuar. Listat e partive që u miratuan gjatë mbledhjes së djeshme, qenë refuzuar kohë më parë nga KQZ-ja, pasi u konstatuan parregullsi në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, si parregullsi në dokumentacion dhe në kriterin e kuotës së grave në masën 30 %. Subjektet zgjedhore, listat e të cilave u regjistruan dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si të ligjshme për të garuar në zgjedhje janë: Partia për Drejtësi dhe Integrim, Partia Rruga e Lirisë, Partia Ora e Shqipërisë, Partia Demokristjane dhe Partia e Punës së Riorganizuar. Ndërkaq, KQZ-ja ka miratuar edhe kandidatin e pavarur Abdulla Omurri, i cili përfaqëson të verbrit si kategori sociale. Kështu, gjatë mbledhjes së djeshme, Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve, pasi kishin plotësuar mangësitë e mëparshme, miratoi listat shumëemërore të partive të lartpërmendura, por ende nuk i ka dhënë fund këtij procesi. Nga 36 subjekte zgjedhore që kanë paraqitur kërkesë në KQZ për tu regjistruar në garën elektorale të 28 qershorit, deri tani janë pranuar 33 prej tyre. Ndërkaq, përfshirja e një numri të madh subjektesh politike në koalicionet për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ka nxitur Komisionin Qendror Zgjedhor që të ndryshojë përmasat e fletës së votimit. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani ka bërë të ditur se ky institucion e sheh të nevojshme që me shtimin e numrit të partive politike në zgjedhjet e 28 qershorit, duhet të rimerret në shqyrtim vendimi për përmasat e fletës së votimit. Duhet të rishqyrtojmë formatet e fletës së votimit, për shkak të numrit të madh të subjekteve zgjedhore, u shpreh Ristani, duke paralajmëruar një mbledhje posaçërisht për këtë qëllim në ditët ne vijim. Vendimi i KQZ-së i datës 5 mars 2009, parashikon që fleta e votimit të ketë gjerësi 300 milimetra dhe gjatësi 420 milimetra. Zgjedhësit do të votojnë në një fletë votimi me ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore. Sasia e tyre është e barabartë me numrin e zgjedhësve, plus 2 %. Sipas vendimit të KQZ-së, fletët e votimit duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla, që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie. Në zgjedhjet parlamentare të 2005-s, zgjedhësit votonin në dy fletë votimi; në njërën për kandidatin dhe në tjetrën për partinë politike ose koalicionin. Në të dy rastet, përmasat e fletës së votimit kanë pasur një gjerësi pre 210 milimetrash, nga 300 mm që është miratuar për zgjedhjet e 2009-s. Megjithatë, pas dorëzimit të listës së zgjedhësve për çdo njësi vendore, KQZ-ja, në bashkëpunim me kompaninë e përzgjedhur, do të nisë procesin e prodhimit të fletës së votimit. Por, mësohet se ekzistojnë dy propozime të modelit të fletës së votimit. Në modelin e parë është parashikuar që në krye të listës shënohet emri i koalicionit dhe pastaj vijnë me radhë emrat e partive që janë pjesë e tij. Modeli tjetër parashikon që emri i koalicionit shënohet në anë të fletës në të majtë të saj, paralel me anën tjetër të fletës ku është një kuti e vogël, në të cilin bëhet shënimi i zgjedhësit se për kë parti voton. Ndërsa partitë e koalicionit renditen në kuti, si në rastin e modelit të parë. Modelet janë vetëm propozime dhe mbeten për tu shqyrtuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pritet të shtypen plot 3 133 248 copë fletë votimi për këto zgjedhje, duke marrë parasysh jo vetëm numrin e saktë të zgjedhësve, por edhe 2% më shumë për çdo rast nevoje. Fleta e votimit përmban siglat dhe emrat e koalicioneve që garojnë në zgjedhje dhe partive që bëjnë pjesë. Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën e votimit shënon krah emrit të partisë a të koalicionit shenjën x ose +, apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij. Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sërish u bëri apel njësive vendore që të dorëzojnë sa më parë listat me emrat e votuesve pa kaluar data 30 maj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›