E Diel, 1 Nëntor 2026

Grogan-Topi: “Shqipëria, shanse të mëdha për të marrë ftesën për në NATO”

Autori i Lajmit: Red.Presidenti Bamir Topi takoi dje delegacionin parlamentar britanik të Grupit të Miqësisë Britani e Madhe - Shqipëri, i kryesuar nga z. John Grogan. Burimet zyrtare pranë Presidencës informuan se gjatë takimit, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për ratifikimin javën e kaluar nga ana e Parlamentit britanik të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit Shqipëri - BE, si një dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, por edhe të mbështetjes së Britanisë së Madhe për Shqipërinë. Nga ana e tij, Grogan evidentoi dy shembuj të pjekurisë së klasës politike shqiptare, zgjedhjet e fundit vendore, rezultati i të cilave u pranua nga të gjithë dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga Parlamenti, si një proces kushtetues, që provon se klasa politike shqiptare mund t i zgjidhë çështjet nëpërmjet institucioneve. “Gjatë vizitës sonë, na është forcuar bindja për shanset e mëdha që ka Shqipëria për të marrë ftesën për në NATO. Siç e dini, Britania e Madhe ka mbështetur aspiratën euroatlantike të Shqipërisë”, - u shpreh Grogan. Po dje, delegacioni britanik zhvilloi një takim dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Lulzim Basha.
Ky lajm është publikuar: 24/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›