E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton lehtësira fiskale, troje me 1 euro për investitorët kinezë

Kryeministri bisedon me presidentin kinez për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe  
Kryeministri Berisha ka shprehur angazhimin e qeverisë shqiptare për krijimin e lehtësirave fiskale për investitorët e mëdhenj kinezë. Gjatë vizitës së tij në Kinë, kreu i qeverisë ka zhvilluar një takim me presidentin kinez, Hu Jintao, ku ka hedhur idenë e krijimit të një zone të lirë ekonomike për sipërmarrjet kineze, që do të investojnë në Shqipëri. Kreu i qeverisë ka deklaruar se qeveria shqiptare do të vazhdojnë përpjekjet për të inkurajuar thellimin e investimeve në vendin tonë, ku sipas tij Shqipëria edhe pse është një vend i vogël, ofron potenciale shumë të mëdha për biznesin kinez. Qeveria shqiptare është e gatshme ti ofrojë biznesit kinez një zonë të lirë ekonomike për të investuar në Shqipëri, e cila ka një pozicion gjeografik kyç në Ballkan dhe Europë. Çdo kompani kineze që ka dëshirë të investojë në Shqipëri do të këtë mbështetjen dhe lehtësitë më të mëdha nga qeveria shqiptare. Qeveria shqiptare u ka ofruar dhe do tu ofrojë biznesit kinez troje me një euro për të zhvilluar aktivitetin e tyre ekonomik dhe do të vazhdojë të krijojë çdo lehtësi për ta kthyer investimin e tyre në histori suksesi, ka nënvizuar Berisha. Më tej, kryeministri veçoi faktin se ai dhe qeveria që ai drejton e konsiderojnë një thesar shumë të çmuar miqësinë e popullit kinez, dhe e cilësoi marrëdhënien 60 vjeçare mes dy vende si një miqësi e sinqertë, e cila do të zgjerohet akoma dhe më tepër. Kina dhe Shqipëria kanë një të shkuar në të cilën kanë elementë bashkëpunimi të shumanshëm, por kanë një të ardhme ku dy partitë, Partia Komuniste e Kinës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, janë forcat politike që kanë ndryshuar në mënyrën më rrënjësore vendet e tyre me programet e paraqitura, ka theksuar Berisha. Ndër të tjera, ai ka vlerësuar ndihmën që Kina i ka dhënë popullit shqiptar në momente shumë të vështira të historisë dhe në mënyrë të veçantë, në periudhën e ndryshimit. Por, pikërisht atëherë kur Kina, nën doktrinën e Deng Hsiao Pin-it, filloi të ndërtonte Shenzhenin, diktatori shqiptar ndërtonte mijëra bunkerë dhe e çonte popullin e tij drejt varfërisë së thellë, ka veçuar kryeministri Berisha, i cili gjithashtu njohu presidentin e Kinës me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e vendit. Ndërsa nga ana e tij, presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao e konsideroi kryeministrin Berisha një mik të vjetër të popullit kinez dhe vlerësoi faktin se vizita e tij do të shërbejë si një shtysë e mëtejshme për zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë, si dy vende me një miqësi tradicionale 60 vjeçare. Miqësia e dy popujve tanë përbën një pasuri të vyer për marrëdhëniet midis dy vendeve. Drejtimi i kryeministrit Berisha ka ndikuar shumë pozitivisht që këto marrëdhënie të forcohen në interesin më të mirë të të dy palëve. Kjo vizitë përbën një pikënisje të re historike për zgjerimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës në fushat e ekonomisë, tregtisë së ndërsjellë, shkëmbimeve kulturore etj, një hap i ri i miqësisë sonë në shekullin e 21- të, ka theksuar presidenti kinez.
Berisha ngjit 1500 shkallët e Murit të Madh Kinez
Kryeministri Berisha, si pjesë të agjendës së tij në vizitën zyrtare të zhvilluar në Kinë, ka pasur edhe ngjitjen në Murin e Madh Kinez, gjë që nuk ka kaluar pa ngjyrime elektorale. Pasi ka ngjitur 1500 shkallët, që të çojnë në pjesën më të lartë të Murit, kryeministri Berisha, paralelizoi ngjitjen tek Muri me ngjitjen elektorale. Të ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit, lodhja shkrihet. Kjo ngjitje është një ngjitje sa kulturore aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim. Pjesa tjetër, është pjesa zyrtare, është shprehur kreu i qeverisë, i cili e ka cilësuar ngjitjen në këtë mur të lodhshme por që sipas tij të lartëson. Kryeministrit Berisha iu akordua nga autoritetet lokale, një certifikatë si kryeministri që është ngjitur në pikën më të lartë të murit. Muri i Madh kinez në Badaling, është pjesa më strategjike e murit mijëravjeçarë të ndërtuar për të mbrojtur Kinën nga sulmet e jashtme. Pjesa e murit në Badaling, e mbiquajtur edhe çelësi i portës veriore të Pekinit, është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s që nga viti 1987. Më shumë së 400 kryeministra dhe presidentë të vendeve të ndryshme të botës e kanë vizituar këtë mur në Badaling, i cili konsiderohet si një simbol paqeje dhe miqësie midis popullit kinez dhe popujve të tjerë të botës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›