Topalli-Ramës: Në 4 vite ne rritëm pagat, ndërsa ju taksat
Kryparlamentarja Jozefina Topalli në vazhdën e akuzave ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama këtë radhë është ndaluar tek rritja e taksës. Topalli, duke vlerësuar arritjet e Partisë Demokratike gjatë mandatit katër vjeçar, ka akuzuar Ramën për rritjen e taksës gjatë mandatit të tij si kryebashkiak. Në 4 vjet ne kemi rritur rrogat, ne kemi rritur pensionet, kurse në 9 vjet kryetari i Bashkisë të Tiranës ka rritur vetëm taksat. Ne Partia Demokratike kemi ndërtuar dhe po vazhdojmë të ndërtojmë në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa në 9 vjet Edi Rama në fakt u mor vetëm me fasadat dhe nuk arriti të ndërtonte as qendrën e kryeqytetit tonë, Tiranës, ka theksuar Topalli.
Sipas saj Edi Rama ka thyer vetëm rekordin e lejeve të ndërtimit, ka thyer vetëm rekordin e dhënieve të këtyre lejeve për miqtë dhe dashamirësit e tyre. Në inagurimin e një rrugë në fshatin Ashtë, Topalli ka premtuar vazhdimin e ndërtimeve në çdo cep të Shqipërisë, dhe ka kërkuar votën e banorëve për projektet që qeveria do të realizojë. Kyeparlamentarja Topalli tha se PD do të shkojë në çdo fshat, në çdo komunë e çdo qytet për të dëgjuar banorët, për të marrë sugjerime e për të marrë edhe projekte të tjera për ti zbatuar në vitet e ardhshme. Gjatë fjalës së saj ajo përmendi investimet në bujqësi prej 1.6 miliardë dollarë gjatë tre viteve. Gjatë këtyre tre viteve, në bujqësi janë investuar më shumë seç janë investuar 15 vjet përpara. Në 4 vite ne ndërtuam 1012 shkolla të reja apo të rikonstruktuara, një shifër rekord në shërbim të fëmijëve dhe të arsimimit të tyre, theksoi ajo. Gjatë takimit në fshatin Ashtë, ku pritet të ndërtohet një H/C me 80 mega fuqi, kryetarja e Parlamentit ka pohuar se centrali atomik nuk është gjë reale. E keni marrë përgjigjen se centralit bërthamor, është një gënjeshtër dhe spekulim, ka theksuar ajo me një ton të qeshur. Në këtë mënyre ajo i ka dhënë përgjigje të prerë, të gjithë hamendësimeve se në Shkodër do të ketë një central bërthamor. Në fakt asnjë përgjigje nuk është dhënë mbas polemikave për këtë çështje, por vetëm mbasi qeveria kroate ka sqaruar disi problemin nuklear të Shkodrës. Por, mos prononcimi i lartësive si politike dhe qeverisëse ka sjellë edhe mos avancimin në kundërshtitë e planifikuara, për nuklearin në Shkodër. Gjithsesi edhe kësaj radhe gjendja është qetësuar dhe me sa duket është vepruar në këtë mënyrë me problemet nukleare, sepse ato do të ishin një moment tjetër i vështirë për këtë fushatë elektorale të 28 qershorit 2009-të. Por mbase mbas kësaj date, problemi do të rishfaqet dhe ky pastaj do të jetë momenti për të sqaruar njëherë e përgjithmonë, nëse ka plane të qartë për një central nuklear në Shkodër?