Meta: Zgjedhjet në rrezik, forcat politike të gjejnë konsensusin për letërnjoftimet
Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste Për Integrim, Ilir Meta u ka kërkuar të gjitha forcave politike parlamentare që brenda kësaj jave të gjejnë mirëkuptim dhe përgjegjësi të plotë për ti dhënë zgjidhje çështjes së kartave të identitetit. Ai ka kërkuar që të evitohen replikat e panevojshme, takimet dhe komunikimet ne distancë, në mënyrë që të krijohet një klimë pozitive e një gare demokratike në një vend demokratik vërtet anëtar i NATO-s. Meta tha se kjo çështje nuk i takon vetëm partive politike, por gjithë shqiptarëve.
I pyetur për interesin e mediave në lidhje me ekzistencën e ndonjë zgjidhje tjetër për çështjen e kartave të identitetit, kryetari i LSI-së është shprehur me bindje të plotë se pavarësisht se jemi në limite kritike kohore, nëse qeveria dhe palët e tjera politike kanë vullnet, gjithçka është e zgjidhshme. Prandaj një takim i tillë, thekson Meta, mundë të realizonte me konsensus që të gjitha ato shtresa për arsye të varfërisë, që të marrin kartat falas. Gjithashtu Meta ka përmendur edhe një variant tjetër,i cili do të ishte që pagesa e kartave të identitetit të bëhej brenda disa viteve për shtresat me vështirësi ekonomike, në mënyrë që sa më shpejt të gjithë qytetarët të pajisen me karta identiteti dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. Meta tha se kryeministri nuk duhet kurrsesi të mbyllë mandatin e tij pa zgjidhur çështjen e kartave. Përndryshe sipas tij, ne do të bëhemi gazi i botës dhe kjo do të ishte një turp jo vetëm për politikën shqiptare, sepse është mësuar me turpe të tilla, por do të ishte një turp për të gjithë vendin tonë dhe kombin tonë, si i vetmi vend në Aleancën e NATO-s, i cili si shpërblim të vlerësimit që Aleanca i bën popullit shqiptar, i jep një njollë, pra prishjen e zgjedhjeve. Jemi në kohë për të shpëtuar reputacionin e Shqipërisë, jemi në kohë për të shpëtuar zgjedhjet dhe stabilitetin politik në vend, u shpreh Meta. Lidhur me ngritjen e Komisionit hetimor nga Partia Demokratike për hetimin e kryebashkiakut Edi Rama, mbi lejet e ndërtimit, Meta e ka cilësuar si të papërshtatshme kohën për të ngritur komisione hetimore, në një kohë kur ato nuk do të zgjidhnin asgjë. Ndërkohë që vijoi Meta, në një vend kur parlamenti shkon drejt mbylljes, dhe qytetarët po përgatiten për të zgjedhur parlamentin e ri. Sipas tij, ky është një parlament i dështuar në bërjen e reformave zgjedhore dhe të një Kodi Zgjedhor të standardeve evropiane. Ai nënvizoi se komisionet hetimore janë krejtësisht të pakuptimta, sepse kanë mbetur vetëm pak javë që ky parlament të zgjidhë çështjen e kartave, dhe problemin e zgjedhjeve në Shqipëri.