Berisha premton “rikthimin e letrave”, por nuk e zbatoi te ARMO
Pas 13 vitesh që nga shpërndarja e tyre, qeveria shqiptare e ka kthyer vëmendjen te letrat me vlerë të shpërndara në vitin 1995 për privatizimet. Kryeministri Sali Berisha u shpreh pak javë më parë në mbledhjen e qeverisë se ishte faji i rebelimit komunist, siç i quajti trazirat e vitit 1997, që i bëri ato inekzistente, pasi, sipas asaj që tha kryeministri, ato u shpërndanë me qëllim shpërndarjen e pasurisë kombëtare te qytetarët. “Në vitin e emetimit të tyre, për arsye jo të qëndrueshme, por më shumë si një jehonë, ato imituan lekët e privatizimit, ndërkohë që lekët e privatizimit, faktikisht, ishin lekë me destinacion privatizimin dhe që do të dëmshpërblinin ditën e vuajtjes në burg, në përputhje me ligjin e kohës. Bonot e privatizimit në asnjë vend dhe në asnjë rast nuk janë cilësuar si lekë. Sidoqoftë, ne duhet të fillojmë të hapim siparin e përdorimit të tyre”, - u shpreh kryeministri. Sipas kryeministrit, nga e drejta e parablerjes së objekteve shtetërore me letra me vlerë do të përfitojnë dhe ish-pronarët. “Fillimi i procedurave, monitorimi, eksperienca e krijuar do të na mësojnë për hapin e dytë, të tretë e të katërt e me radhë. Askush nuk mund të mendojë sot se ato janë lekë. Ato janë letra me vlerë, të cilat ne nuk i mohojmë. Qeveria ime ka zgjatur afatin e përdorimit të tyre dhe sërish do ta zgjasim afatin, por do të studiojmë edhe të gjitha mënyrat për përdorimin e tyre në mënyrë të proporcionuar”, - tha Berisha.
19 Dhjetor 2008