E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria tërhiqet me nder nga misioni “Liria e Irakut”

Në misionin 5-vjeçar kontribuuan 1338 ushtarë të Regjimentit Komando. Angazhimi i Forcës së Bashkuar shqiptare në Irak filloi në prill të vitit 2003

Luan Kondi

Tiranë – Ditën e shtunë do të kthehen në atdhe trupat ushtarake shqiptare, të cilat morën pjesë në misionin ushtarak në Irak. Me vizitën e ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, e cila u zhvillua në kuadër të festave të fundvitit, ashtu sikurse edhe ishte paralajmëruar, trupat paqeruajtëse shqiptare kanë përfunduar misionin e tyre paqeruajtës në Irak.
Operacionet
Në operacionin “Liria e Irakut”, në kuadrin e koalicioneve të luftës kundër terrorizmit, trupat tona u vendosën në Aeroportin e Mosulit dhe në bazën “Viktoria” në Bagdad, të drejtuar nga pala amerikane, ndërsa 3 ushtarakë shërbyen në Shtabin Multinacional. Lajmi fillimisht u publikua nga agjencia e lajmeve “Reuters”. Nga Iraku do të tërhiqen edhe trupat e Moldavisë, ndërsa Bosnja tërhoqi këtë javë trupat e saj ushtarake. Angazhimi i Forcës së Bashkuar shqiptare në misionin e quajtur “Liria e Irakut” filloi në prill të vitit 2003, me dërgimin e kontingjentit të parë paqeruajtës, bazuar në Ligjin Nr. 9025, datë 13.03.2003 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e Ligjit Nr. 1, datë 09.03.2003, të KM ‘Për vënien në dispozicion të hapësirës tokësore, detare e ajrore dhe dërgimin e një force ushtarake shqiptare në rajonin e Gjirit Persik, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit’”.
Kontributi
Në misionin “Liria e Irakut” kontribuuan kontingjente të Regjimentit Komando. Kontingjenti i parë deri te kontingjenti i katërt kanë pasur një efektiv prej 71 ushtarakësh, kontingjenti i pestë e në vijim një efektiv prej 120 ushtarakësh (një kompani komando). Kontingjentet ndërrohen me sistem rrotacioni 6-mujor.
Pak ditë më parë, gjatë kohës që ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, po zhvillonte një vizitë në Uashington, paralajmëroi largimin e misionit nga Iraku në dhjetor, duke shtuar se misioni ishte përmbushur më së miri dhe se Shqipëria kishte marrë vlerësimet maksimale nga SHBA-të dhe NATO-ja.
Vizita e ministrit
Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa është nisur në Irak për të marrë pjesë në ceremoninë e përfundimit të këtij misioni, ku marrin pjesë gjithashtu edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të koalicionit. Aktualisht në Irak ndodhen 218 ushtarakë shqiptarë të vendosur në Bagdad dhe Mosul. Nisja e trupave shqiptare paqeruajtëse në Irak ka datuar që në vitin 2003 dhe misioni i tyre ishte ruajtja e Aeroportit të Mosulit dhe bazës “Viktoria” në Bagdad. Kontingjentet që morën pjesë në këtë mision ishin struktura të Regjimentit Komando dhe në këto 5 vjet janë angazhuar në Irak 1338 ushtarë shqiptarë. Aktualisht në Irak veprojnë SHBA-të me 143 mijë trupa, Britania me 4100 trupa, Rumania me 600 trupa, Australia me 300 trupa, El Salvador me 200 trupa, Bullgaria me 155 trupa, Danimarka me 55 trupa, Lituania me 53 trupa dhe Estonia me 38 trupa.

* * * *

FORCAT KOMANDO NË IRAK

Misioni
Përgatitja dhe zhvillimi i operacioneve stabilizuese dhe të sigurimit në mbështetje të koalicionit “Liria e Irakut”

Përbërja e kontingjentit
9 oficerë, 17 kapterë, 3 ushtarë profesionistë, 42 ushtarë të shërbimit të detyrueshëm

Varësia:
Fillimisht kompania iu atashua Batalionit të Parë të Brigadës së Dytë, Divizioni 101 Airborne (i transportueshëm nga ajri), pastaj në varësi të DREAR (Vendkomanda e Logjistikës e Divizionit).

Detyrat
- Shoqërim konvoi
- Pikë kontrolli (check point)
- Patrullim në qytet
- Kontroll objektesh (banesash)
- Ruajtja e qetësisë dhe e rendit publik (gaz, karburant)
- Detyra siguruese (sigurimin e bazës, të shtabit, stacionit të trenit etj.)
- Patrullim brenda dhe jashtë perimetrit të bazës

Operacionet më të vështira

Futja në Irak nga veriu i Kuvajtit deri në Bagdad, me masa të plota sigurimi nga vetë ushtarët tanë, duke shkelur në zona që në çdo çast ishte prezent dhe na kërcënonte rreziku. Rruga që përshkruam për të arritur në Bagdad ishte 600 km, koha dy ditë. Shoqërimi i 2 konvojeve për sigurimin e grupit operacional të Divizionit 101 Airborne në datën 23 prill, për daljen nga zona e rrezikshme e Bagdadit në një distancë prej 40 km. Shoqërimi i 4 konvojeve të shtabit të D101ABN më 25 prill me të gjitha masat e sigurimit. Përbërja e këtyre konvojeve shkonte deri në 318 makina, ku detyra e tyre ishte sigurimi nga goditjet e befasishme të kundërshtarit, pasi lufta në këtë kohë nuk ishte shpallur e përfunduar dhe vatra të vogla të besnikëve të regjimit të Sadamit mundoheshin të godisnin forcat e koalicionit në hapësirat që mund të krijoheshin. Kjo për ta ishte detyra më e vështirë si për planëzimin e përdorimin e forcave e deri në finalizimin e veprimeve që do të kryheshin nga ushtarët tanë. Në këtë detyrë kërkoheshin lëvizje e manovrime të shpejta të forcave për të bllokuar autostradat e Bagdadit për minuta të tëra dhe për të krijuar lehtësi dhe siguri në mënyrë që ata të lëviznin të sigurt edhe në zonat problematike, siç ishin dalja e Bagdadit, kalimi i qytetit të Tikritit (vendlindja e Sadamit), Samarrah etj. Gjithashtu, me dislokimin e forcave tona në Mosul janë kryer detyra të vështira si sigurimi i Aeroportit të Mosulit, në bashkëveprim me një kompani tankesh amerikane. Përveç 8 pozicioneve të luftimit ne siguronim edhe forcën e reagimit të shpejtë. Qëllimi ishte përballimi i rrezikut të nivelit të shkallës së parë (sulmi ndaj aeroportit) dhe vonimi i rrezikut të nivelit të shkallës së dytë (depërtimi në aeroport).
Detyra e patrullimit në qytet, ku, në bashkëveprim me ushtarët amerikanë, është bërë i mundur zbulimi i armëve, i municioneve, kapja e personave që i posedonin ato, duke i dërguar pranë organeve kompetente amerikane.
Është mbajtur rregull dhe është ndihmuar në vendosjen e qetësisë në pikat e karburantit, të shpërndarjes së gazit, të mbajtjes në kontroll të trenave që lëvizin në qytet, detyra të cilat janë kryer shumë mirë dhe incidentet janë shmangur me qetësi. Kontrolle banesash ku ka pasur dyshime se kryenin aktivitetin e tyre militantë të Partisë Ba’ath. Gjatë këtyre kontrolleve, për shkallën e lartë të profesionalizmit në kryerjen e detyrave, janë marrë vlerësime të larta nga komandanti i Batalionit të Parë, nënkolonel Hikman dhe komandanti i Brigadës së Dytë, kolonel Anderson.

Sulmet e drejtpërdrejta
- Goditje me mortaja në aeroport (4 korrik)
- Sulm me armë zjarri ndaj vendrojës nr. 4 (3 gusht)
- Sulm me armë zjarri ndaj vendrojave 4, 5 e 6 (14 korrik)
- Sulm me armë zjarri ndaj patrullës jashtë bazës (29 gusht)
- Sulm me armë zjarri ndaj vendrojës nr. 1 (31 korrik)
- Vendosja e një bombe artizanale në rrugën ku do të kalonte patrulla (2 shtator)
- Goditja me granatë dore e patrullës në qytet, u plagos ushtari M. Leka (15 shtator)
- Goditja me armë zjarri e vendrojës nr. 1 (17 shtator, 14, 16, 18 tetor)

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›