Ngjela kandidat në qarkun e Vlorës, kërkon konfigurim të ri në drejtimin e shtetit
Deputeti dhe kryetari i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela ka zhvilluar një takim me të rinjtë vlonjatë në kuadër të forcimit të Federatës Rinore Kastriotiane Shqiptare, qëllimi i së cilës është rritja e respektimit të vlerave kombëtare. Në takim, por edhe jashtë tij, Ngjela ka qenë shumë i ashpër me drejtuesit politik të këtyre viteve demokraci në vend dhe ka kërkuar një konfiguracion të ri në drejtimin e shtetit.
Ai po ashtu ka qenë i ashpër edhe në drejtim të kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano që është dënuar pak ditë më parë nga gjykata e shkallës së parë me 6 muaj burg. Ai ka theksuar se shteti shqiptar nuk duhet të lejojë asnjë shtetas të tij të shfaqë shenja nacionalizmi të sëmurë dhe të dënojë ashpër të gjithë ata që nuk zbatojnë ligjet e shtetit. Avokat Ngjela ka treguar se do të kandidojë në emër të partisë së tij në qarkun e Vlorës dhe është shprehur entuziastë për fitore në këtë qark. Vlora nuk e ka humbur asnjëherë vlerën e saj kombëtare dhe ka qenë gjithmonë përkrah njerëzve që e duan atdheun dhe këtu e gjej unë fitoren tim për në parlamentin e ardhshëm është shprehur Ngjela.