E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha president?



Nga Lorenc VANGJELI

Janë vetëm fjalë, por ato nuk i shqiptojnë vetëm kuriozët: çfarë ka përtej humorit të përsëritur të kryeministrit Berisha se do të qëndrojë në politikë për 35 vjet? A hyn në ambicjet e tij një “replay” për postin e Presidentit, për një mandat të tretë në Pallatin e Brigadave apo dhe një të katërt? A ka fuqi prapavepruese Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë që përcakton vetëm dy mandate presidenciale për një individ? MAPO flet me konstitucionalistë dhe tregon përvojën e ndryshme rumune, ruse, ukrainase apo dhe atë të Ish-Jugosllavisë. Nuk jemi shumë ndryshe nga demokracitë e reja të vendeve ish-komuniste

Nuk është thjesht çështje kali, sepse kali është një kafshë shtëpiake që mban barrë dhe të kalon në bregun tjetër të lumit. Eshtë problemi i pushtetit, që edhe kur i bëhesh barrë, të bën të kapërcesh matanë çdo lumi. Metafora me kalë, që do të thotë pushtet, u rikthye sërish këtë të enjte në sallën e Kuvendit nga autori i saj i hershëm, kryeministri Berisha. Ajo është një “shaka” e përsëritur, por një “shaka” e thënë seriozisht, edhe nëse nuk është krejtësisht e vërtetë, tradhton së pari të vërtetën e “fshehtë” të kujt e thotë.
Dhe në rastin e zotit Berisha, kryeministër i vendit, batuta e tij e preferuar se do të vazhdojë të qëndrojë në politikë, në pushtet ose mbi kalë për 35 vjet, (siç ka dëshirë të bëjë metaforë), ka një dozë jo të vogël realizimi. Ka gjithashtu një dozë mjaft të madhe, sidomos dëshire dhe pikësynimi. Në kuptimin e mundësisë dhe të ëndrrës së vetë zotit Berisha. Nga një llogari e thjeshtë aritmetikore, rezulton që kryeministri shpreson të jetë në podiumet e politikës, sipas tij, deri në vitin 2025. “Vjet deklarova me shaka se do te qëndroja edhe 35 vjet në këtë sallë, por po vazhduat në këtë mënyrë atëherë përgatituni të më shihni në atë kalë edhe për vite të tëra”, tha Berisha në një sallë, ku gjysma e duartrokiste me buzëqeshje dhe ku pak më pak se gjysma e kundërshtonte fort. Bëhet fjalë për politikanin që i ka marrë gjithçka të mundshme politikës. Ka provuar gjithçka, shkëlqimin e plotë dhe mjerimin e thellë, rënien dhe ringjitjen e pabesueshme. Bëhet fjalë për politikanin që në mars të 1992, sapo kishte fituar zgjedhjet, kishte porositur pankartën më të çuditshme të ndonjë mitingu festiv në Shqipëri: Skënderbeu, Smail Qemali, Sali Berisha. Bëhet fjalë për politikanin, që 18 vjet pas asaj pankarte, problemin më të madh e ka me vendin që do të zerë në historinë e Shqipërisë.

Premtimi i kryeministrit
“Do të qëndroj në politikë për 35 vjet”. Kur një premtim i tillë thuhet nga një njeri që në politikën shqiptare ka afruar shembullin më të jashtëzakonshëm të këmbënguljes proverbiale drejt synimeve të tij individuale, atëherë ka një arsye që kjo çështje të merret seriozisht. Të paktën në mundësitë formale që ekzistojnë. Në fakt, të qëndruarit në politikë për zotin Berisha, nuk ka shumë alternativa. Për shembull, ai nuk mund të jetë vetëm deputet i thjeshtë apo ministër ose kryetar Kuvendi, për shkakun e vetëm se kush ka provuar majën absolute, nuk mund të zbresë as një gisht më poshtë, pavarësisht marrëdhënies me kalin e pushtetit. Tashmë këto kostume i rrinë ngushtë zotit Berisha. Rastet e kundërta analoge gjetkë në Perëndim, janë përjashtim i fortë nga ky rregull për të. Mbeten vetëm dy poste në të cilat ai mund të vazhdojë të qëndrojë në politikë, të cilët përfshijnë de facto në të parin dhe de jure në të dytin edhe postin e kreut të PD-së.
Këto dy poste janë: Kryeministër ose President i Republikës. Postin e parë e ka (s’dihet edhe për sa kohë), i dyti, që bëhet vakant vetëm në vitin 2012, do ta gjejë zotin Berisha në moshën 68 vjeçare. Një moshë më shumë presidenciale, sesa kryeministrore. Por dhe një moshë ideale që të jep mundësinë që të drejtosh i “qetë”, me cilësinë e komandantit të përgjithshëm, Forcat e Armatosura, të dekorosh a gradosh gjeneralë, të dekretosh ligje apo të drejtosh mbledhjet e KLD-së (sidomos tani, kur këto forume po marrin ngjyrë blu). Dhe mbi të gjitha, një post që afron qetësi dhe imunitet për të paktën pesë vjet. Një detaj jo i parëndësishëm. Pastaj puna shkon me të parë e me të bërë, pavarësisht se deri në cakun e premtimit për të qëndruar në politikë deri në vitin 2025, me dy mandate presidencialë, mbeten “zbuluar” edhe vetëm tre vjet të tjerë.

Mundësitë teorike
Zoti Berisha e ka pasur dy herë fronin e presidentit. Po aq sa dhe postin e kryeministrit të vendit deri më tani. Ka kohë, që “fantapolitika” në Tiranë, përmend herë me siguri e herë vetëm si një mundësi teorike faktin se ekziston një plan “sekret” për të nesërmen vetjake dhe politike të zotit Berisha; një plan që lidhet me Presidencën e tretë të njeriut që hyri në politikë me pardesy të bardhë, por pa hequr ende bluzën e bardhë të mjekut. Vetë zoti Berisha e ka mohuar publikisht më shumë se një herë këtë mundësi. Ai ka pohuar në intervista të ndryshme të tij se presidenca nuk përfshihet në planet e tij. Por kjo nuk ka qenë e mjaftë që tek njerëzit pranë tij të mos qarkullojë ky opsion. Madje në një nga zyrat më të rëndësishme të shtetit, e konsiderojnë edhe si fakt të kryer: në 2012, Berisha do të synojë të zëvendësojë zotin Topi në Pallatin e Brigadave.

Mundësitë praktike
Por në momentin që çështja del nga suaza e dëshirave vetjake dhe i nënshtrohet procedurave kushtetuese, ajo nis e ndërlikohet. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, miratuar me referendum në nëntor 1998 (për pothuaj shtatë vjet ajo pothuaj nuk është njohur nga partia demokratike), përcakton ndër të tjera dhe procedurën e përzgjedhjes së presidentit të ri. Ndonëse ndryshimet kushtetuese të prillit 2008 e lejojnë zgjedhjen e presidentit me një shumicë të thjeshtë, ndonëse, zoti Berisha plotëson kushtin e parë të nenit 86 të Kushtetues, që kërkon që kreu i shtetit të jetë shtetas shqiptar që nga lindja dhe që të ketë mbushur moshën 40 vjeç, neni 88 i shkakton kokëçarje kushtetuese pikërisht kësaj dëshire. Bëhet fjalë për dy pika të këtij neni,
I pari, neni 88, pika 1: “Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për pesë vjet, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë”.
Dhe i dyti, neni 88, pika 4: “Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidojë në zgjedhjen presidenciale që bëhet pas dorëheqjes së tij”.
Në shikim të parë, duket se Kushtetuta ka mbyllur çdo shteg për minimalisht një mandat të tretë presidencial të zotit Berisha dhe maksimalisht për dy të tillë. Dy konstitucionalistë të njohur, profesor Luan Omari dhe Njazi Jaho, janë të prerë në këtë pikë dhe bashkohen në një pikë tjetër: Zoti Berisha i ka konsumuar të dy mandatet e tij presidencialë. Të parin në vitet 1992-1997, (i plotë) dhe i dyti, 3 mars 1997-korrik 1997, i pambaruar për shkak të dorëheqjes). Mandati i dytë plotëson kushtin e kërkuar nga pika 4 e nenit 88. “Kushtet e vendosura nga Kushtetuta për këtë çështje janë taksative. Ato nuk mund të kenë dy interpretime dhe kanë të bëjnë me vijueshmërinë e shtetit shqiptar. Prandaj, ndonëse kushtetuta ka hyrë në fuqi në nëntor 1998, ajo përfshin edhe dy mandatet e diskutuara të zotit Berisha”, thotë profesor Omari. “Pavarësisht kohës kur ka hyrë në fuqi kushtetuta, dy mandatet e zotit Berisha numërohen”, thotë Jaho. Dy juristët pranojnë se një çështje e tillë mund të quhet kapitull i mbyllur dhe se çdo interpretim i mundshëm i këtyre neneve nga Gjykata Kushtetuese, nuk mund të japë rezultat cilësisht të ndryshëm. “Por çfarë nuk bën vaki në këtë vend”, thonë dy juristët me dëshpërim duke ju referuar rasteve të shumtë kur ligji ka pasur vetëm vlerën e fjalës së shkruar, por jo të zbatuar në vend.

“E megjithatë rrotullohet”
Kështu është shprehur dikur Galileo Galilei dhe batuta e famshme mund të riprodhohet sërish në një kontekst tipik shqiptar. Të tjerë juristë që nuk pranojnë të citohen me emër nga MAPO, nxjerrin një argument tjetër: ai sipas të cilit Kushtetuta nuk mund të ketë pushtet dhe veprim prapaveprues. Si e tillë, ajo nuk njeh dy mandatet e para të zotit Berisha dhe se ai mund të “hyjë” në garë nga niveli zero i mandateve presidenciale. Shembujt që japin, më shumë se interpretimi i kushtetutës shqiptare, shkojnë nga Rumania, në Rusi, Ukrainë dhe Ish-Jugosllavi. “Ky është një debat i konsumuar më parë në këto vende dhe ka pasur zgjidhjen që mund t´i jepet dhe rastit të zotit Berisha. Domethënë, dy mandatet e para presidenciale nuk konsiderohen te konsumuar dhe hyrja në fuqi e kushtetutës, nuk ka efekt prapaveprues”, thonë ata.

Precedentët e presidentëve
Kështu ka ndodhur në Rumani në rastin e Presidentit Iliesku, kur në vitin 2000 ai kërkoi të marrë mandatin e tretë presidencial, pavarësisht se kushtetuta rumune e ndalonte një gjë të tillë. Zoti Iliesku pretendoi se mandatet e tij të para, në dhjetor 1989-korrik 1990 dhe 1990-1992, vit kur u miratua edhe kushtetuta, nuk duhej të numëroheshin si të tillë. E njëjta situatë edhe me ish-presidentin rus Boris Jelcin dhe sërish e njëjta situatë edhe në Ukrainë dhe Ish-Jugosllavi. Rasti i pestë, nëse ju besohet “zërave” parapolitikë për fatin e nesërm të zotit Berisha, mund të ndodhë në Shqipëri. Kur kandidatura e mundshme e zotit Berisha për postin e Presidentit, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të saktësojë pikërisht këtë ndalesë të kushtetutës.
Deri në vitin 2012, do të duhet të rrjedhë shumë ujë dhe me siguri, shumë më parë se kjo datë, do të jenë shpjeguar shumë horoskopë të tjerë politikë, përfshi edhe atë personal të kryeministrit të sotëm. I cili sot është përfshirë në një nga betejat e tij të rëndësishme: emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Të cilët, nesër, me gjasë, mund të kenë në dorë edhe fatin e tij personal.
Po PD-ja? Çdo të ndodhë me PD-në?
Si gjithmonë në rrafshin e supozimeve. Largimi i Berishës në periferi të Saukut, në dalje të Tiranës, në fakt është edhe një dalje e butë e tij prej politikës së fortë të ditës. Presidenca e Berishës mund të konsiderohet në këtë mënyrë si paradhoma e qetë e një politikani që pak kërkon nga politika e ditës, por që bastin kryesor e ka me historinë. Megjithatë, një lëvizje e tillë, ngre disa pikpyetje: së pari për të nesërmen e PD-së të “çliruar” nga krijuesi dhe sunduesi i saj absolut. Eshtë afërmendsh të besohet se një ikje e tillë, do të kishte si parakusht edhe rregullimin e punëve brenda oborrit të ngushtë blu. Që do të thotë, sistemimi dhe risistemimi i figurave kryesore të PD-së. Që do të thotë, pozicionim dhe ripozicionim mes kryetares aktuale të Kuvendit, zonjës Topalli, të ministrit të brendshëm, zotit Basha në rradhë të parë. E më pas, pozicioni i ministrit të financave Bode e ndoshta edhe i presidentit aktual zotit Topi. Një lojë me shumë pikpyetje që ngrihet mbi një terren të rrëshkitshëm dhe shumë pak të qëndrueshëm, si mbi rërë të lëvizshme.

Rasti shqiptar, shpjegimi

Një botim voluminoz i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, me titull Debati Kushtetues dhe nëntitull, Diskutimet në Komisionin Parlamentar për Hartimin e Projektkushtetutës, hedh një dritë interesante për atë çfarë kanë menduar draftuesit e dokumentit themeltar të shtetit pikërisht për çështjen e dy mandateve presidenciale. Për “çudi”, edhe në një moment të tillë, ashtu siç ka ndodhur rregullisht në këto 20 vjet, është përmendur emri i zotit Berisha. Në atë kohë, ish-presidenti jetonte ditët më të rënda të karrierës së tij politike; kishte humbur thellë zgjedhjet e qershorit të 1997, kishte dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit në korrik të të njëjtit vit dhe qëndronte më shumë se kurrë i izoluar në barrikadën e tij të fundit, në postin e kreut të PD-së, me një grusht të vetëm qëndrestarësh, siç quante ai vetë bashkëpunëtorët e tij të paktë. Në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve, anëtarët e komisionit për hartimin e kushtetutës, diskutonin në 28 maj 1998 për kohëzgjatjen e mandatit të presidentit dhe sesa të tillë mund të kishte një individ i tillë në Shqipëri.
MAPO boton pa koment dialogjet, të cilët nisin me shqetësimin e ish-deputetit të PSD-së Haxhi Aliko, i cili mendonte se mandatet presidencialë nuk mund të kufizohen në vetëm dy të tillë. Më pas, diskutimi vazhdon:
Sabri Godo: Një president si ai që foli zoti Aliko nuk besoj t´i ketë mbetur më aftësia e nevojshme mendore për të kryer detyrën e presidentit të vendit. Ai është mirë të qëndrojë në shtëpi. Mbretërit janë të mërzitshëm.
Kastriot Islami: nëse dëshironi, mund ta bëjmë: “President mund të zgjidhet një person jo më i ri se 40 vjeç dhe jo më i madh se 70 vjeç”.
Haxhi Aliko: Unë qëndroj në idenë që shpreha.
Më pas kërkohet që kjo çështje të zgjidhet me konsensus, domethënë që zoti Aliko të heqë dorë nga propozimi i tij. Islami insiston se shqetësimi i kolegut të PSD-së mund të zgjidhet duke rritur moshën minimale të qytetarit që mund të marrë detyrën e presidentit deri në 45 vjeç. “Ky president do të ketë të drejtën të zgjidhet vetëm me dy mandate”, thotë Islami. Dhe mbas tij ndërhyn ish-deputeti socialit Leontiev Çuçi që i jep drejtim bisedës: “E zgjidhëm zoti Aliko këtë problem. Me këtë variant i heqim mundësinë Berishës të rizgjidhet”. Replika e fundit vjen sërish nga Aliko: “Nuk është Berisha historia e Shqipërisë, zotëri”!, por Aliko atëherë nuk e dinte se historia e Shqipërisë kishte përgatitur një surprizë gati të pabesueshme për atë kohë: zoti Berisha jo vetëm u rikthye në pushtet, jo vetëm mori mandatin e dytë si kryeministër, por ka mundësi praktike që të zerojë dy mandatet e tij të parë si president dhe të rihyjë në Pallatin e Brigadave për dhjetë vjet të tjera. Deri në vitin 2022. Dhe kur bëhet fjalë për zotin Berisha, politikanin me një marrëdhënie krejt të veçantë me pushtetin, me një ngulm të jashtëzakonshëm drejt tij, ka gjasa që të shtyjnë të besosh se ai mund t´i hipë këtij kali beteje për betejën e tij finale në politikë, presidencën. Që është një nga rrugët kryesore në të cilën do të kalojë vendi i tij i nesërm në historinë moderne të Shqipërisë postpluraliste.

Marre nga revista MAPO

21 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›