Bushati: “Deficiti buxhetor ka arritur në shifrën 12.4 miliardë lekë”
Eneida Jaçaj
Nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ervin Bushati, shprehu dje shqetësimin për boshatisjen e arkës së shtetit. Ai deklaroi se deficiti buxhetor është në nivelin 154%, ndërkohë që të ardhurat tatimore janë 10% më pak se parashikimi. Pra buxhetit të shtetit i mungojnë 12.4 miliardë lekë. Sipas tij, kjo tregon tkurrjen e prekshme të ekonomisë në vend.
Të ardhurat
Bushati bëri me dije se të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) kanë rënë 6% nga parashikimi, që sipas tij, është indikatori më real i një tkurrjeje në gjithë spektrin ekonomik. Gjithashtu, të ardhurat nga Tatim Fitimi kanë rënë 9%, që tregon një stres në rritje të sektorit privat dhe biznesit, ndërsa të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale janë - 12%, që sipas Bushatit, shpalos uljen drastike të nivelit të punësimit.
Shpenzimet
Nënsekretari për Programin në PS deklaroi se edhe shpenzimet në buxhet janë në një gjendje akoma më të rëndë. Sipas tij, pagesa e papunësisë është rritur me +10%, ndërkohë që për buxhetin vendor ka -10%, ose 1.25 miliardë lekë më pak nga parashikimi për ketë 5 mujor. “Qeveria ka dhëne deri në maj të 2010-s, 0 lekë shpenzime për kompensime në vlerë të pronarëve; 0 lekë kompensim për ish-të përndjekurit politikë; 0 lekë kompensim për energjinë. Berisha duhet të kishte paguar gjithsej mbi 1.1 miliardë lekë ndaj të tria kategorive, kjo vetëm në 5 muajt e parë të 2010”, - u shpreh Bushati. Më tej Bushati tha se huamarrja e brendshme është në nivelin 260% të parashikimit për periudhën. “Barka e shpëtimit”, eurobondi famëmadh, është abandonuar për momentin, ndërsa trysnia është transmetuar te bankat e nivelit të dytë që po financojnë deficitin buxhetor të qeverisë dhe po braktisin kredinë për biznesin vendas”, - tha Bushati, duke shtuar se “të gjitha të dhënat e vetë qeverisë japin pamjen e një fundosjeje të pandalshme dhe të pakthyeshme të ekonomisë sonë të përbashkët, nga vetë drejtuesit e shtetit. Në këto kushte, rritja e premtuar e rrogave dhe pensioneve e vë qeverinë ‘Berisha’ në rolin e një bande amatore që vazhdon bën muzikë, ndërkohë që anija po fut ujë nga të gjitha anët”, - u shpreh Bushati.
21 Qershor 2010