E Diel, 1 Nëntor 2026

Transparenca e zgjedhjeve, Rama dhe Dade në Internacionalen Socialiste në Nju Jork



Eneida Jaçaj
Kriza politike në Shqipëri për transparencën e zgjedhjeve do të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Nju Jork. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me sekretaren për Marrëdhënien Ndërkombëtare, Arta Dade, janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Këshillin e Internacionales Socialiste. Në takim, i cili do të zhvillohet në datat 21 dhe 22 qershor në ambientet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të marrin pjesë personalitete si Jorgo Papandreu apo Hose Luis Zapatero, të cilët pritet të jenë pjesëmarrës në këtë mbledhje, ashtu si përfaqësuesit e Partisë Demokratike amerikane.
Dade
“Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Edi Rama, do të ketë një pjesëmarrje aktive, në mënyrë të veçantë edhe pas mbledhjes që u mbajt në Tiranë, sepse Këshilli i Internacionales kurorëzon të gjithë veprimtarinë e Internacionales dhe bëhet edhe mbi baza rajonale apo mbi baza tematike”, - tha Dade. Ajo informoi se takimi do të ketë në fokus diskutimin e temave mjaft interesante për zhvillimin ekonomik global, por do të trajtohen edhe tema lidhur me sfida që kanë sot bota lidhur me mjedisin.
Internacionalja
Takimi në Nju Jork për transparencën e zgjedhjeve vjen pas mbledhjes së Komitetit të Europës Juglindore të Internacionales Socialiste që u zhvillua ditë më parë në Tiranë. Komitet i mbylli punimet me një rezolutë, e cila thekson se Internacionalja Socialiste i kushton vëmendje të veçantë krizës politike në Shqipëri. Në të u bëhet thirrje autoriteteve shqiptare që të lejojnë një transparencë të plotë për zgjedhjet e kaluara.
Komiteti vlerësoi se kriza politike dëmton rëndë përpjekjet e Shqipërisë për integrimin europian. Komiteti, në mbledhjen e organizuar në Tiranë, ka njohur hapat e përgjegjshëm të ndërmarrë nga Partia Socialiste si daljen nga greva dhe hyrjen në Parlament. Internacionalja Socialiste njeh dhe vlerëson angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri, ndërkohë që kërkohet bashkëpunim mes vendeve të rajonit për të arritur synimin e përbashkët: BE-në. Në fund të saj rezoluta shpreh mbështetjen e plotë ndaj Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj duke vlerësuar se reformat në Shqipëri janë thelbësore, ku përfshihet edhe transparenca e plotë e zgjedhjeve.

Topalli: “Votimi i hapur për dekretet presidenciale është mjaft demokratik”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vlerëson se votimi i hapur i dekreteve presidenciale për kandidatët për anëtarë në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese përbën standardin më të lartë në praktikat parlamentare demokratike. Duke e vënë theksin në transparencën e lartë që ofron kjo mënyrë votimi, Topalli tha se ndryshimi i rregullores i ofron opozitës mundësinë për të gjykuar mbi vendimet e Kuvendit.
“Ne kemi një raport shumë interesant të Komisionit të Venecias, i cili tregon në bazë të një opinioni, analize marrë nga gjitha procedurat parlamentare në Europë mënyrat e votimit dhe procedurat në parlamente të ndryshme, duke i konsideruar të gjitha këto mënyra votimi, të hapura apo të mbyllura, si demokratike. Do të ishte papërgjegjshmëri sikurse në një votim të fshehtë një deputet i caktuar, për shkak të një lidhjeje miqësore, një njohje personale, t’i jepte një vlerësim në një institucion që është aq i rëndësishëm siç është pushteti gjyqësor”, - tha Topalli. Ndërsa po afron 28 qershori, i cili shënon një vit nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, Topalli i bën thirrje opozitës të pranojë rezultatin dhe të bashkëpunojë për të realizuar reformat e nevojshme në kuadër të procesit të liberalizimit dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. “Pas ditës së votimit, partia të cilën votuesit e kanë caktuar në detyrën që të bëjë opozitën, detyra e parë është të pranojë rezultatin dhe të nderojë verdiktin e qytetarëve. Unë mezi pres bashkëpunimin e deputetëve të opozitës me pjesën tjetër të Parlamentit për të çuar përpara çdo ligj, çdo reformë që i duhet vendit, jo qeverisë”, - tha Topalli.

Presidenti Topi bën apel për mbrojtjen e liqenit të Shkodrës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, mori pjesë dje në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore me temë “Liqeni i Shkodrës - gjendja dhe perspektivat”, që po zhvillohet në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë. Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti shqiptar vlerësoi lart përpjekjet dhe realizimin e kësaj veprimtarie shkencore nga akademitë e shkencave të dy vendeve tona. “Liqeni i Shkodrës është një bashkim i kulturave dhe historisë së dy popujve, të cilët sot më shumë së kurrë kanë bashkuar edhe aspiratën e tyre për t’u integruar duke dhënë shembullin e shkëlqyer të fqinjësisë së mirë”, - u shpreh Topi, duke nënvizuar se “nxitja e zhvillimi i mëtejshëm i këtyre marrëdhënieve dhe sidomos atyre turistike, duhet të jenë një përparësi për të gjitha strukturat e të dy vendeve tona”.
Në vijim, presidenti Topi apeloi për ruajtjen dhe mbrojtjen e kësaj pasurie mjedisore dhe shfrytëzimit të saj me eficiencën dhe kujdesin e duhur. “Është e domosdoshme që dy vendet tona jo vetëm të hartojnë projekte e plane të përbashkëta, të shfrytëzojnë financime të ndryshme, që vendet e BE-së ofrojnë me shumë zemërgjerësi, por në mënyrën të shpejtë t’i venë në zbatim, në të mirë të komuniteteve që i shfrytëzojnë ato”, - vuri në dukje presidenti. Ai nënvizoi se gjetja dhe zbatimi i instrumenteve eficiente mbështetëse të këtyre projekteve të përbashkëta duhet të kthehet në një moto e shtysë të spikatur të sistemeve tona shkencore akademike. Në përfundim u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis dy ministrave të Mjedisit, në prani të presidentit Topi dhe presidentit Vujanoviç.

21 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›