E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarizohet në Francë fejesa e Princit Leka me Elia Zaharian



Më datë 16 qershor 2010, Familja Mbretërore Shqiptare zyrtarizoi fejesën e Lartësisë Tij Princit Leka II me Zonjushën e nderuar, Elia Zaharia. Ceremonia e rastit u mbajt në sallonet e hotelit të famshëm « Lutetia » në Paris në orën 18.00 pasdite. Duke trashëguar traditën e vjetër shqiptare, ceremonia e shpalljes dhe e bërjes publike të fejesës u zhvillua pak ditë pasi shkuesi i N.M.T. Mbretit Leka I, Gjeneral Daut Haradinaj, kishte marrë miratimin e familjes së Zonjushës Elia Zaharia për fejesën e bijës së tyre me L.T. Princin Leka II. Përzgjedhja e kryqytetit francez për këtë eveniment gazmor ishte vendosur duke u nisur nga fakti se shumë anëtarë dhe të afërm të familjes mbretërore janë francezë ose jetojnë në Francë që prej shumë vitesh, dhe ishte parashikuar që shpallja e fejesës të bëhej në prani të të afërmve të L.T. Princit Leka II dhe në një vend ku N.M.T. Mbreti Zog I dhe N.M.T. Mbreti Leka I kishin kaluar shumë vite të ekzilit të tyre. Në koktej morën pjesë disa personalitete të rëndësishme franceze, përfaqësues të familjeve mbretërore evropiane si dhe ambasadorë të akredituar në Francë. Nga Shqipëria kishin ardhur enkas për këtë ceremoni Zëvendës-Ministri i Mbrojtjes dhe Kryetar i Partisë « Lëvizja e Legalitetit », Z. Ekrem Spahiu dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Maksim Malaj. Në emërin e personaliteteve shqiptare të pranishme në koktej, përshendeti ambasadori i Shqipërisë në Francë, Shkelqësia e Tij, Ylljet Aliçka, i cili duke uruar Princin Leka dhe të fejuarën e tij, përgëzoi L.T. Princin Leka duke theksuar se ai po ndjek traditën e Familjes Mbretërore jo vetëm si një trashëgimtar i denjë i vlerave më fisnike të vendit tonë por edhe duke shërbyer Shqipërinë dhe Shqiptarët kudo që gjenden. Ish-Sekretari shtetit i Francës për Punët e Jashtme dhe Deputet në Parlamentin francez, Z. Renaud Muselier, uroi gjithashtu Princin Leka dhe Zonjushen Elia Zaharia në emërin e Presidentit Francez, Z. Nicolas Sarkozy dhe të personaliteteve franceze të pranishme në këtë koktej. Pas ceremonisë e cila zgjati deri në orën 21.00, u shtrua një darkë në Parlamentin Francez ku morën pjesë L.T. Princi Leka II me të fejuarën, anëtarët dhe të afërmit e Familjes Mbretërore dhe të Oborrit Mbretëror si dhe deputetë dhe personalitete franceze dhe shqiptare. Ditët e fundit, shumë mesazhe urimi kanë arritur në Oborrin Mbretëror Shqiptar nga familje mbretërore nga e gjithë bota si dhe personalitete të rëndësishme të politikes evropiane si ish-presidenti Jacques Chirac i cili në letren e tij i shpreh Princit Leka II dhe Zonjushës Elia Zaharia urimet më të mira për lumturi dhe i siguron për besnikërinë e miqësisë së tij. Ndërkaq, Z. Frederik Mitterand, Ministër i Kulturës së Francës, dergoi një mesazh urimi në emërin e qeverisë franceze. Në ditët e ardhshme, L.T. Princi Leka II dhe e fejuara e tij, Zonjusha Elia Zaharia, do të marrin pjesë dhe prezantohen publikisht në disa aktivitete jashtë vendit. Me dt. 24 qershor 2010, çifti i ri princor do të marrë pjesë në afërsi të kryeqytetit anglez, në Parmoor House, në një ceremoni përkujtimore të 70 vjetorit të mbërritjes së N.M.T. Mbretit Zog I në Angli dhe, më dt. 3 korrik 2010, L.T. Princi Leka II dhe Zonjusha Elia Zaharia do të marrin pjesë në një ballo të organizuar në Hungari për nderë të tyre nga të afërmit e Nanës-Mbretëreshë Geraldine, kushërinjtë nga familja e Kontit Apponyi, dhe ku L.T. Princi Leka dhe e fejuara e tij do të takojnë miqët dhe të afërmit e tyre të aristokracisë evropiane.

19 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›