Presidenca belge e BE-së: Vizat në dorën e Komisionit, vlerësimi teknik
Presidenca belge e Bashkimit Europian, që pritet të fillojë më 1 korrik 2010, ka lajmëruar se fati i heqjes së vizave me Shqipërinë është në dorën e Komisionit Europian. Deklarata është bërë nga kryeministri i Belgjikës, Leterme, i cili ka bërë të qartë se vlerësimi i procesit do të jetë tërësisht teknik dhe nuk do të kushtëzohet nga situata politike. Në një intervistë për Top Channel, zoti Leterme pohoi faktin se do të arrihet një kompromis mes vendeve anëtare për vizat, por tha se “gjithçka varet nga vlerësimi i zyrtarëve, nga ekspertët”. “Nuk mendoj se është vendim politik; është një vendim që bazohet në fakte e evidencat që do të shtrojë mbi tavolinë Komisioni”, - sqaroi kreu i qeverisë së Belgjikës. Pyetjes së bërë në lidhje me ndikimin që mund të ketë kriza politike në Tiranë në vendimin për heqjen e vizave nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, Leterme u shpreh: “Unë nuk mendoj kështu, por edhe një herë kjo varet nga Komisioni që të përpilojë opinionin, raportin, qëndrimin e tij dhe më pas merret vendimi”. Komisioni e ka përcjellë propozimin e tij për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën te Parlamenti dhe Këshilli që më datë 27 maj, por ka vënë theksin në realizimin e disa kushteve nga këto dy vende. Ndër kushtet e kërkuara nga qeveria shqiptare janë ngritja e një qendre për riintegrimin e emigrantëve të çatdhesuar, sekuestrimin e aseteve të krimit dhe forcimin e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioni Europian e ka lënë në dorën e qeverisë shqiptare që të ftojë grupin e ekspertëve të BE-së për të parë nëse janë përmbushur edhe këto tri kushte. Qeveria ka rendur që t’i realizojë sa më shpejt këto kushte dhe pritet që të muajin korrik të vijnë ekspertët e Brukselit, që ndjekin ecurinë e kushteve të përcaktuara në Udhërrëfyesin e vizave.
Edhe Presidenca spanjolle premtoi se gjatë 6-mujorit të drejtimit të BE-së nga ana e saj do të realizojë ëndrrën e shqiptarëve për të udhëtuar lirisht në zonën “Shengen”. Por mosrealizimi i kritereve e zvarriti marrjen e këtij vendimi brenda vitit të parë të mandatit të dytë të kësaj maxhorance. Qeveria ka përcaktuar si afat vitin 2010 dhe zoti Berisha i ka kërkuar homologut belg, Leterme, në kohën kur ishte për një vizitë zyrtare në Tiranë, që të japë mbështetjen e tij gjatë gjashtëmujorit të dytë të këtij viti, kur Belgjika do të ketë presidencën e radhës së BE-së.
21 Qershor 2010