E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta e PE-së për Shqipërinë shtyhet për në shtator

Drafti për Shqipërinë do të diskutohet më 23 qershor në Komitetin e Jashtëm të BE-së

Rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë rrezikon të shtyhet për në vjeshtë. Drafti, i përgatitur nga europarlamentari grek, Nikolaos Chountis, do të diskutohet mëngjesin e datës 23 qershor në Strasburg nga Komiteti i Jashtëm i PE-së. Sipas draftit të publikuar që më 7 maj të këtij viti, Shqipëria po futet në rrugë qorre. As dokumenti i hartuar nga deputetët e Parlamentit Europian nuk do të ketë kohë që të thotë fjalën e vet për “Tiranën zyrtare”, që ende nuk po kupton mesazhet e qarta që vijnë nga institucionet e BE-së për shkak të shtyrjeve të procedurave të diskutimit të tij. Kur kanë mbetur edhe pak javë nga mbyllja e sesionit të radhës së PE-së, draft-rezoluta për integrimin europian të Shqipërisë do të mbetet për t’u futur në procedurë miratimi vetëm në fillimin e sesionit të ri.

Procesi
“Shqipëria po futet në rrugë qorre”. Kështu thuhet në dokumentin e përgatitur nga eurodeputetët nga grupi i deputetëve të Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Në dokumentin e hartuar që më 7 maj theksohet se “Shqipëria po futet në rrugë qorre”. Në draft-rezolutën që pritet të votohet javën e ardhshme në Komitetin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian specifikohet qartësisht rëndësia e një marrëveshjeje politike, në mënyrë që proceset eurointegruese për Shqipërinë të vijojnë normalisht. Ndërkombëtarët përcjellin mesazhin se zgjidhja e kësaj rruge qorre në të cilën ndodhet Shqipëria janë: transparenca dhe dialogu. Në tekstin e amendamenteve shtesë theksohet se dy forcat më të mëdha politike duhet të reagojnë për të bërë të gjitha përpjekjet për të arritur një qasje konstruktive midis tyre.

Dokumenti
Nëse nuk zgjidhet kriza politike, Shqipëria rrezikon përshpejtimin e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE. Kjo pikë është shtuar në dokumentin që do të diskutohet pas dy ditësh në takimin e Komitetit të Jashtëm në Strasburg. Drafti i përgatitur nga eurodeputeti Chountis është mbyllur në procedurën e propozimit të mendimeve që më 6 maj, por kriza e stërzgjatur politike në Tiranë e ka detyruar Komitetin që të shtojnë sanksionet. Për zgjidhjen e krizës politike në këtë dokument janë propozuar 7 amendamente nga shtatë eurodeputetë që i njohin mirë zhvillimet e fundit në Shqipëri, të cilët të gjithë pohojnë njëzëri se Brukseli është i shqetësuar lidhur me situatën politike në vendin tonë dhe se nevojitet një stabilitet për të mos krijuar barriera në negociata me institucionet e BE-së. Në amendimin për paragrafin 3, i cili lidhet me krizën politike, në mënyrë eksplicite thuhet se “shprehim shqetësimin e thellë për politikën në vend, e cila është futur në një rrugë qorre, pavarësisht se të gjitha palët kanë hyrë dhe bërë betimin në Parlament. Nënvizojmë se funksionimi i institucioneve përfaqësuese, veçanërisht Parlamenti, ka një rëndësi themelore në përmbushjen e kritereve politike të kërkuara nga BE-ja. Ndaj u bëjmë thirrje aktorëve politikë të marrin përgjegjësitë dhe të nisin një dialog politik konstruktiv”.
Një tjetër çështje që pritet të diskutohet gjerësisht në Komitetin Parlamentar për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian janë edhe katër propozimet për transparencën e procesit zgjedhor në Shqipëri. “Ndiejmë keqardhje që në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, përpara seancës plenare të 18 marsit, maxhoranca dhe opozita nuk arritën një marrëveshje për ngritjen e një komisioni parlamentar për zgjedhjet e 2009-s. Përsëris se një zgjidhje për këtë rrugë qorre në të cilën ndodhet vendi janë principet themelore të demokracisë, transparenca dhe dialogu. Nxisin maxhorancën dhe opozitën të bëjnë të gjitha përpjekjet për të arritur një qasje konstruktive”, - shprehet Nikolaos Kuntis. Në draft-rezolutën e PE-së ka kritika përsa i përket edhe shumë fushave ku reformat integruese nuk janë në lartësinë e kërkuar; luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në Gjyqësor dhe në administratën publike, krijimin e një klime të përshtatshme për investimet e huaja e shumë pika të tjera ngrihen në dokumentin që synon të ofrojë mbështetje në rrugën e anëtarësimit të vendit në BE.
Një tjetër kërkesë e shtruar për diskutim nga eurodeputetët është edhe anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën e Konferencës Islamike. Në një nga amendimet është kërkuar informacionin për angazhimet e vendit tonë dhe problemet që kanë të bëjnë me sheriatin. Dokumenti i hartuar nga një grup anëtarësh të Parlamentit Europian, të cilët i njihnin mirë zhvillimet politike në Shqipëri, pasi të miratohet në Komitetin e Jashtëm, do të hyjë për votim në seancë në PE. I parashikuar për t’u votuar brenda këtij sesioni, duke pasur parasysh edhe kohën e shkurtër, pritet që të miratohet në seancë plenare vetëm pas pushimeve të verës.

Box 2
Presidenca spanjolle: Bllokimi nuk çon asgjëkund

Pas deklaratave të bëra nga krerët e dy grupeve politike të Parlamentit Europian dhe zëdhënësja e shefes për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, mbrëmjen e së premtes reagoi edhe Kristina Gallak, zëdhënëse e Presidencës spanjolle. Ai tha se “duhet reflektuar ndaj situatës së krijuar e duhet gjetur, pa dyshim, një rrugëdalje, sepse bllokimi aktual nuk çon asgjëkund”.
Të njëjtin mesazh përcolli edhe Maja Kocijancic. “Në mënyrë që të gjendet zgjidhja ndaj këtij ngërçi politik dhe për të çuar përpara reformat që janë të domosdoshme për Shqipërinë që të bëjë progres drejt BE-së, tashmë e ka në dorë qeveria dhe opozita që të gjejnë zgjidhjet në mënyrë transparente e duke respektuar Kushtetutën e vendit”, - tha zëdhënësja e zonjës Eshton, Kojijancic. Sipas saj, tani u takon qeverisë dhe opozitës. Nevojitet që ata të punojnë bashkë për të përparuar”.

Kreu i së djathtës në PE, më 23 qershor në Tiranë

Pikërisht në ditën kur Komiteti i Jashtëm i PE-së do të diskutojë draft-rezolutën për Shqipërinë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane, Zhozef Doul, një nga negociatorët e zgjidhjes së krizës politike shqiptare, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë. Sipas njoftimit për shtyp të PPE-së, kreu i së djathtës europiane do të vizitojë Tiranën nga data 23 qershor dhe do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit dhe maxhorancës.
Në axhendën e tij nuk është përfshirë asnjë takim me përfaqësues të opozitës. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Zhozef Doul do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, me kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Jashtëm Ilir Meta, si dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Kjo vizitë vjen pas dështimit të përpjekjeve për të gjetur një marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe opozitës”,- shkruhet në njoftimin për shtyp të Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane.

21 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›