E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret Thaçin. Paqja në Maqedoni, interes kombëtar

Paqja, stabiliteti dhe integrimi i Maqedonisë janë interesi kombëtar më i mirë i shqiptarëve. Kështu u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare te Maqedonise, Menduh Thaçi ku u diskutuan zhvillimet e fundit politike, ecuritë dhe progresi në axhendën evropiane dhe euroatlantike të të dyja vendeve.

Për rolin shqiptar kryeministri Berisha u shpreh: “Unë vlerësoj kontributin e tyre në të gjitha këto drejtime. Sikundër, dua të theksoj se Marrëveshja e Ohrit përbën arritjen më madhore të shqiptarëve. Arritje të mëdha janë shënuar në zbatimin e saj, por zbatimi i plotë i kësaj Marrëveshje, në të gjithë gamën dhe spektrin, është jo vetëm interesi më i mirë dhe më i domosdoshëm i shqiptarëve, por ky është interesi më i mirë i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”.

“Bllokimi i procesit integrues është një shqetësim. Sipas vlerësimeve tona, devijimi i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit po ashtu është një shqetësim i jashtëzakonshëm. Edhe kriza ekonomike u bashkangjitet dy shqetësimeve të para. Në të njëjtën kohë, shfrytëzova rastin që ta informoj kryeministrin Berisha se Partia Demokratike Shqiptare do të bëjë gjithçka që të mos lejojë shqiptarët e pakënaqur në Maqedoni të bëhen preh e provokimeve të ndryshme ekstreme apo aventuriste” tha Thaçi.

Me këtë rast kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi i bëri thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që janë të pakënaqur, t’u bashkëngjiten opozitës politike siç është Partia Demokratike Shqiptare dhe bashkërisht të artikulojnë pakënaqësitë, duke respektuar procedurat demokratike.

Agim Popoci
Azhornuar së fundi ( e hënë , 03 maj 2010 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›