E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis sot dorëzimi i dokumenteve për 338 licencat e taksive

TIRANE- Bashkia e Tiranës ka hapur procesin e konkurrimit për dhënien e 334 licencave për taksitë 4 + 1 dhe 4 licencave për taksitë 8 + 1, duke ftuar të marrin pjesë të gjitha subjektet fizike apo juridike të interesuara në ushtrimin e këtij shërbimi. Tashmë kanë filluar procedurat për pranimin e praktikave. Procesi i konkurrimit do të kryhet, sikurse është përcaktuar në rregulloren e miratuar, nga ana e Këshillit Bashkiak nëpërmjet sistemit të pikëve që do të grumbullohen, mbështetur në dokumentacionin e paraqitur nga të interesuarit. Rregullorja përcakton se, ky dokumentacion duhet të dorëzohet nga subjektet e interesuara pranë Zyrës së Informimit Qytetar në Bashkinë e Tiranës, gjatë periudhës së përcaktuar, nga 3 maj 2010 deri më 15 maj 2010. Pasi të jetë dorëzuar dokumentacioni i nevojshëm, ai do të shqyrtohet nga komisioni i ngritur në Bashki dhe shpallja e rezultateve do bëhet brenda 60 ditëve. Për sa i përket mënyrës së përzgjedhjes së fituesve dhe prioriteteve në shqyrtimin e dokumentacioneve, të parët në shqyrtim do të jenë subjektet fizike (shtresa në nevojë), të dytët do të jenë subjektet juridike, dhe të tretët subjektet e tjerë fizikë. Dokumentacioni duhet të paraqitet i plotë. Në të kundërt, aplikimi nuk mund të kryhet, përveç rasteve kur mangësia në dokumentacionin e paraqitur nuk është për faj të subjektit. Të gjitha aplikimet e kryera pas datës 15 maj nuk merren në shqyrtim.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›