Berisha pret Xhim Belushi, flasim për investimet
Kryeministri Berisha shtroi dje një drekë për nder të aktorit të mirënjohur të Hollivudit me origjinë shqiptare, Xhim Belushi, i cili po zhvillon një vizitë në Shqipëri. Z. Belushi e vlerësoi si kënaqësi të veçantë dhe emocion të madh këtë vizitë të dytë të tij pas 13 vitesh në vendin e origjinës, vendin që i ka dhënë identitetin. Aktori i mirënjohur u shpreh i impresionuar nga ndryshimet që ka bërë Shqipëria, ndërsa i kujtoi Kryeministrit Berisha se ëndrrat që kishte për Shqipërinë gjatë kohës që ishte President, po i shndërron në realitet si Kryeministër. Z. Belushi pohoi se Shqipëria po ecën në rrugën e drejtë dhe po zhvillohet me shpejtësi. Ai theksoi se jehona që kishte ndier në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhvillimin e vrullshëm të vendit tonë, pati rastin ta shihte dhe ta prekte në realitet. Aktori i Hollivudit shprehu kënaqësinë që nëpërmjet kompanisë kanadeze në fushën e minierave “Balkan Resources” po kontribuon me imazhin e tij për promovimin e investimeve të huaja në Shqipëri. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të dytë kaq të motivuar të aktorit hollivudian dhe e siguroi atë se qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë investimet e huaja dhe vendase, duke e bërë ekonominë shqiptare konkurruese në botë.