Oketa heq municionet nga Shkozeti: Të shmangim një Gërdec të dytë
Pas tragjedisë së Gërdecit, qeveria po tenton të largojë çdo qendër të rrezikshme municionesh pranë zonave të banuara. Aksioni ka nisur nga zona e Shkozetit, banorët e së cilës u ngritën në protesta fill pas Gërdecit, duke kërkuar zhvendosjen e municioneve që ndodheshin pranë qendrës së banuar. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka parë nga afër disa nga depot e Ushtrisë në Shkozet të Durrësit, ku ndodhet municion i vjetruar. Ai ka urdhëruar largimin sa më të shpejtë të tyre prej kësaj zone të banuar. Ministri tha në këtë inspektim se “specialistët e ushtrisë po merren me sigurinë e municioneve, në mënyrë që të mos përsëritet një rast i ngjashëm me Gërdecin”. Sipas të dhënave, 59 kontenierë me municione të ndërmarrjes “Meico”, ndodhen në grup-depot e FA-së së Shkozetit, për të cilat Ministria e Mbrojtjes ka nisur praktikat ligjore për zhvendosjen e tyre, në një depo magazinimi të sigurt. I gjithë procesi është kryer nga specialistët më të mirë të ushtrisë. Operacioni i hapjes së kontenierëve, kontrollit fizik të municioneve, veçimit të municioneve të pasigurta për transport dhe zhvendosjes e magazinimit të tyre, ka nisur në datë 23 të muajit qershor dhe Ministria e Mbrojtjes ka si objektiv që këtë proces ta mbarojë pas disa ditësh. “Jo vetëm vazhdimësia e këtij operacioni, por edhe përfundimi i tij të bëhen në kohën e duhur dhe nën masa shumë të rrepta sigurie”, - tha Oketa. Njëkohësisht ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka inspektuar punën e ushtarakëve shqiptarë në zonën e shpërthimit në Gërdec, por edhe rreth saj për pastrimin e zonës dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme. Megjithëse ky është një proces i vështirë dhe kërkon një kohë tepër të gjatë, ministri Oketa garantoi si dhe kërkoi nga ushtarakët që zona të pastrohet në kohë rekord dhe banorëve t’u krijohet siguria dhe t’u kthehet jeta e mëparshme. “Forcat dhe mjetet e angazhuara në këtë operacion kanë vijuar punën për pastrimin e zonës deri në rreze 200-300 metra nga vatra e kraterit të shkaktuar më 15 mars, i rrugëve, oborreve dhe banesave”, - informoi komandanti i këtij operacioni, major Faik Skopeci. Ai tha më tej se është bërë kufizimi i zonës së rrezikshme me gardh dhe janë vënë tabela sinjalizuese si “Zonë e minuar”, si dhe janë pastruar dhe transportuar inertet e 106 banesave të dëmtuara nga konsulentë suedezë. “Duke zbatuar me rreptësi të gjitha standardet e sigurisë, të bëjnë të mundur përfundimin në kohën e caktuar të këtij operacioni, deri në certifikimin e zonës së fatkeqësisë dhe dorëzimin e saj organeve të pushtetit vendor”, - tha Oketa.
Detaj
59 kontenierë me municione të ndërmarrjes “Meico” ndodhen në grup-depot e FA-së së Shkozetit, për të cilat Ministria e Mbrojtjes ka nisur praktikat ligjore për zhvendosjen e tyre