E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Prokuroria të hetojë për mungesën e operacioneve në QSUT

Partia Socialiste kërkon hetim nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për mungesën e zhvillimit të operacioneve në QSUT. Nënsekretari për programin, Ilir Beqja, tha se prej javësh në Qendrën Spitalore Universitare të vendit ka mungesë ilaçesh, mungesë furnizimi me ujë, mjekime të pasakta deri me pasojë vdekjen. “Prej javësh i kemi kërkuar Kryeministrit të vendit të ndërhyjë. Për ironi të fatit, përgjigjja që vjen është anulim i operacioneve në QSUT deri në muajin shtator. Pra, shqiptarëve u kërkohet që të mos sëmuren këtë verë. Kjo qeveri e papërgjegjshme, e paaftë dhe e korruptuar po konsumon krimin më të fundit shtetëror të mosdhënies në mënyrë masive të ndihmës mjekësore në QSUT. Mosfunksionimi i më shumë se gjysmës së shërbimeve të këtij spitali po rrezikon jetën e shqiptarëve”, - tha Beqja

Meta: Të rinjtë shqiptarë, ridimensionim Shqipërisë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i pranishëm në Konferencën e Lëvizjes Rinore për Integrim, që u zhvillua me të rinjtë kryeqytetas në Njësinë Bashkiake nr. 2, deklaroi se LSI-ja prioritet kryesor në angazhimin e saj politik në vend ka rininë shqiptare. Sipas tij, dy janë qëllimet e LSI-së në këtë drejtim: së pari, për të ndryshuar mënyrën e bërjes politikë në Shqipëri dhe së dyti, përmes rritjes së pjesëmarrjes së të rinjve në politikë dhe për këtë arsye ne jemi të bindur të fuqizojmë dimensionin evropian të Shqipërisë. Dhe ne jemi të bindur, - tha Meta - se ne do të fuqizojmë dimensionin evropian të Shqipërisë. “Nuk mund t’i japë atë energji thithëse dhe tërheqëse Shqipërisë për në Evropë, as Sali Berisha dhe as ndonjë tjetër që kërkon të bëjë garë me të për të qenë më autoritar apo më demagog sesa ai. Dhe nuk mundet të shkohet në Evropë duke përdorur rininë si fasadë”, - u shpreh Meta. Por, sipas tij, në Evropë shkohet duke u mbështetur fortë tek rinia dhe sidomos duke u përqendruar akoma më shumë në çështje që kanë të bëjnë me arsimimin e rinisë dhe në çështje që kanë të bëjnë në punësimin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›