Berisha pret shiritin e Qafë Thanë-Pogradec: Mbaj çdo premtim
Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha është ndalur në Pogradec, ku ka inauguruar fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Qafë Thanë - Lin – Pogradec. Rikonstruksioni është investim i buxhetit të shtetit me vlerë mbi 2 miliardë lekë. Rruga, me gjatësi 22 kilometra, do të ketë të gjitha elementet e një rruge të standardeve evropiane, me ndriçim dhe trotuare, gjatë gjithë vijës së liqenit. Loti i parë i saj fillon nga Qafë Thana dhe përfundon në kryqëzimin e Linit. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri theksoi se çdo premtim i tij elektoral përpara 28 qershorit do të kthehet në realitet gjatë katër viteve të ardhshme. “Çdo premtim elektoral i kësaj shumice do të shndërrohet çdo ditë, çdo javë e çdo muaj në realitet. Shqipëria evropiane është destinacioni ynë. Ndaj ne, me qindra e qindra projekte, do ta ndryshojmë këtë vend dhe në krye të katër viteve do të kemi Shqipërinë tjetër”, theksoi Kryeministri. Sipas tij “Investimet në Pogradec synojnë Pogradecin turistik dhe Shqipërinë turistike. Ka përfunduar projekti jo vetëm për kolektorin, por edhe për përpunimin e ujërave për Pogradecin dhe Tushemishtin. Së shpejti fillon kolektori Lin – Pogradec. Së bashku me bulevardin e ri, që ndërtohet këtu, krijohet infrastruktura më e shkëlqyer për investime. Fatmirësisht, vlera e tokës ka filluar të rritet ndjeshëm. Kërkesat për të investuar buzë liqenit dhe në qytetin e Pogradecit janë të mëdha, ndaj dhe ne ecim në ndërtimin e kësaj infrastrukture të re”.