E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juristi i Mehmet Shehut: Si e hartuam Kushtetutën e vitit 1976

 

Miratimi i Kushtetutës në vitin 1976 i dha goditjen më të rëndë  sistemit politik të vendit. Fetishizimi i rolit udhëheqës të partisë dhe sanksionimi i diktaturës së proletariatit, shkatërruan tërësinë e raporteve shtetërore dhe shkelën rëndë të drejtat e njeriut.Në retrospektivën e profesor Ismet Elezit, njërit prej pjesëtarëve të grupit të punës për hartimin e Kushtetutës së vitit ‘76, evidentohen disa nga pasojat e pariparueshme që solli zbatimi i dokumentit themeltar të shtetit i ndërtuar tërësisht mbi parime ideologjike. Si njëri prej juristëve më të njohur të kohës, profesor Elezi, duke rrëfyer në emisionin “Histori me zhurmues”, të Pandi Laços në TV Klan, vë në dukje se ndryshimi i Kushtetutës në vitin 1976 kushtëzoi ndryshimin e Kodit Penal, mbi të cilin do të mbështetej gjithë struktura e re e drejtësisë. Kodi i ri  parashikonte 33 lloje dënimesh me vdekje, duke shënuar kështu një nga rastet më unikale të këtyre dënimeve në tërë historinë e shtetit shqiptar. Më tej në intervistën e ish-drejtorit të byrosë juridike të qeverisë komuniste reflektohen efektet e tjera negative që solli zbatimi i Kushtetutës së tejpolitizuar, e cila penalizonte kryesisht viktimat e fushës politike dhe ato të ndërgjegjes. Në rrëfimin e profesor Elezit vihet në dukje mënyra si u përçudnua drejtësia shqiptare pas shkatërrimit të strukturave të domosdoshme të saj, siç ishin Ministria e Drejtësisë dhe partnerët e saj juridikë, duke u mbështetur verbërisht mbi modelin kinez për revolucionarizimin e jetës së vendit, vakumi juridik i krijuar pas shfuqizimit të dhjetëra e dhjetëra ligjeve e vendimeve deri në arritjen e krijimit të Kushtetutës së re të vitit 1976, dënimet me vdekje për njerëzit me influencë politike dhe kërkesat e vazhdueshme të hierarkisë së lartë shtetërore për të shtuar ligjet represive në këtë aspekt...
Zoti Ismet! Ju për disa vite me radhë keni bërë detyrën e kryetarit të Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave. Gjatë kësaj periudhe ju është dashur të punoni për hartimin e Kushtetutës së vitit 1976. A mund të na thoni si erdhët te miratimi i kësaj kushtetute?
Kjo punë filloi në vitin 1973, më saktë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Fillimisht patëm një mbledhje nën drejtimin e Adil Çarçanit në Kryeministri, ku u caktua një komision me kryetar Adil Çarçanin. Në të bënin pjesë Sul Baholli, Aranit Çela, Myqerem Fuga, Bilbil Klosi, Lefter Goga, Vito Kapo dhe unë. Ky në realitet ishte një komision për një pjesë të Kushtetutës, kryesisht për organizimin shtetëror. Të tilla grupe ishin krijuar edhe për sektorë të tjerë. Dikush për çështjet ideologjike, dikush për arsimin etj.
Pse u bë i domosdoshëm hartimi i kushtetutës së re, ndërkohë që kishte një kushtetutë të vitit 1946?
Në realitet Kushtetuta e vitit ‘46 kishte pësuar ndryshime në vitin ‘50. Madje do të thosha ndryshime themelore, siç ishte p.sh. ndryshimi që RPSH e bënte shtet të punëtorëve e të fshatarëve, duke evidentuar rolin e organizatave të masave dhe rolin udhëheqës të Partisë. D.m.th që në vitin ‘50 u hodhën bazat e një realiteti të ri, që supozonte se tashmë bazat e socializmit ishin ndërtuar dhe duhej kaluar në një stad tjetër më të lartë. Për të pasqyruar këto ndryshime politike, ekonomike e sociale lindi nevoja për të hartuar Kushtetutën tjetër. Në fillim kjo punë u bë në heshtje deri në vitin 1975. Në vitin ‘75 në një seancë të Kuvendit Popullor u bë diskutimi në grupe të vogla të padeklaruara dhe të pashpallura. Në ‘75 në seancën e Kuvendit Popullor foli Hysni Kapua dhe parashtroi nevojën e hartimit të një kushtetute të re, duke paraqitur dhe rekomandimet e KQ në katër pika kryesore. Kushtetuta të pasqyronte plotësisht vijën e partisë. Të paraqiste tiparet e vërteta të socializmit. T’i përshtatej etapës aktuale të zhvillimit socialist të vendit. Të ishte e thjeshtë, e qartë dhe e kuptueshme për masat e gjera të popullit. Në atë seancë Kuvendi krijoi komisionin përkatës. Kjo qe ana formale e jashtme.
Kush u caktua në komisionin për hartimin e Kushtetutës?
Aty u mor vesh se komisionin e drejtonte Enver Hoxha dhe Hysni Kapua. Në rrethin kush ka qenë tjetër nga udhëheqja unë nuk e di, por di që në nënkomisione ishin Behar Shtylla, Karaman Ylli, Foto Çami, Hekuran Mara, Aranit Çela, Hasan Banja, Luan Omari, Gramoz Hysi, Arben Puto dhe Ismet Elezi. Këta kanë qenë si një nënkomision që do kalonte e shqyrtonte të gjitha punët e grupeve të punës.
Emrat që ju përmendët janë emra ekspertësh të së drejtës, si procedohej me ta. Ju bënit mbledhje veças dhe pastaj mblidheshit me përfaqësuesit e lartë politikë apo të gjitha mbledhjet ishin të përbashkëta?
Ky grup që përmenda mblidhej bashkë, por nëngrupet punonin veças. P.sh., grupi ynë për organizimin e shtetit punonte vetë dhe barra kryesore binte mbi mua se unë isha jurist dhe punoja në Kryeministri. Çdo grup përgatiste projektet nga specialistët dhe i diskutonte në grupin që përmenda...
Pra ju ishit si me thënë kryegrupi...
Po, ky ishte kryegrupi. Në fakt direktivat i jepte Hysni Kapua. Neve na i sillte ato Behar Shtylla, i cili më vonë u zëvendësua nga Karaman Ylli dhe Aranit Çela. Ata na sillnin porositë që merrnin nga Enver Hoxha dhe Hysni Kapua.
Juve patët kontakte gjatë kësaj kohe me udhëheqësit e lartë Enverin apo Hysniun?
Jo, nuk pata. Absolutisht asnjëherë. Ne patëm kontakt vetëm me Mehmet Shehun. Mehmeti thirri Aranit Çelën më 20 dhjetor, ditë e enjte ora 10:00 për të bërë vërejtje për projektin paraprak. Zgjati takimi dy orë. Aty Mehmet Shehu bëri disa vërejtje.
Ishit ju në këtë takim?
Isha dhe unë, por ai komunikoi me Aranit Çelën. Në atë takim Mehmeti shtroi disa detyra. Problemi më shqetësues, sipas tij, mbetej sigurimi i vijimësisë së diktaturës së proletariatit. Duheshin mbyllur në rrugë institucionale të gjitha shtigjet që mund të sillnin degjenerimin e pushtetit. Këto janë tekstualisht fjalët e tij. Unë ato i kam ruajtur edhe sot në ditarin tim.
Çfarë nënkuptonte ai me këtë mesazh?
Problemi shtohej që të dilte qartë që shteti ishte i diktaturës së proletariatit. Të mos vihej në diskutim jo është i punëtorëve, jo është i fshatarëve etj., siç ishte në dokumentin e vjetër. Në fakt kjo më vonë u sanksionua në nenin 2 të Kushtetutës, që e vlerësonte vendin shtet të diktaturës së proletariatit.
E dyta që tërhoqi vëmendjen Mehmet Shehu kishte të bënte me porosinë që të spikaste në Kushtetutë lufta e klasave si forcë kryesore e zhvillimit të shoqërisë. E treta, të garantohej prona shtetërore dhe ajo kooperativiste për moskthimin e pronës private, gjë që u realizua. E katërta, të ruheshin marrëdhëniet socialiste të prodhimit dhe t’i jepej përparësi stimulit moral. Të tjera çështje që ngriti Mehmeti në atë takim ishin ië ruhej raporti i drejtë në pagat shtetërore, për të mos u shkelur barazia. Të sigurohej që kasta ushtarake të mos merrte pushtetin me dhunë. Mehmet Shehu këtë e kishte marrë nga përvoja e hidhur në vendet revizioniste, të nxjerrim mësime, vuri në dukje Mehmeti nga eksperienca e BS-së dhe e vendeve revizioniste. Ndërkaq ai tërhoqi vëmendjen që dokumenti i Kushtetutës të ishte origjinal dhe të garantonte sipas tij jetëgjatësi deri në 40-vjeçare. Këto më pas u shtruan në grup. E vërteta ishte se këto nuk ishin thjeshtë mendime të tij.
Juve ua përmendët pjesëtarëve të tjerë të grupit që këto ishin porosi të Mehmet Shehut?
Jo, nuk ua përmendëm. Atëherë dihej që kryetar ishte Enver Hoxha, por ai nuk na mblodhi asnjëherë. As Hysni Kapua bile..
Ju keni patur kontakte pune me Mehemt Shehun, cilat ishin njohuritë e tij në fushën juridike?
Njohuritë e tij ishin të gjithanshme. Ai ishte një burrë shteti në kuptimin e vërtetë të fjalës, për arsye se studionte dhe lexonte sistematikisht. Gjatë një takimi që kemi patur në zyrën e tij dhe ra fjala se ku referohej në argumentet që parashtronte, Mehmeti tha se kam si model enciklopedinë britanike. D.m.th ai atë e kishte si Bibël. Ai kishte nocione të qarta dhe të sakta për çështjet ligjore. Kaq e vërtetë është kjo, sa që kur erdhi puna për prishjen e Ministrisë së Drejtësisë, ai në fund të mbledhjes u ngrit dhe iku i revoltuar. I tha Zija Beqirit që ishte sekretar i tij ta regjistronte se ai nuk ishte dakord të shkurtohej kjo ministri. Tjetër gjë që Enver Hoxha e kishte miratuar këtë të servirur nga Haki Toska. Pikërisht të nesërmen e kësaj mbledhje për punën e Ministrisë së Drejtësisë më thirri mua dhe më tha të përgatisja një relacion për Byronë Politike dhe të argumentoja të dy variantet, pasi në Byronë Juridike që unë drejtoja ishim shprehur se nuk duhej prishur kjo ministri për arsye se Ministria e Drejtësisë ka kodifikimin, i cili është zemra dhe truri i sistemit të drejtësisë...
Pra, mund të themi se për shkak të përvojës së gjatë si kryeministër, Mehmet Shehu përfaqësonte ligjshmërinë ose ndjenjën e shtetit, ndërkohë që Enveri përfaqësonte ideologjinë e Partisë...
Deri në një farë shkalle ka qenë pikërisht kështu. Mjafton t’ju kujtoj rastin e tufëzimit, ato që nxori Ramiz Alia. Duke folur në një mbledhje qeverie Spiro Koleka, kemi bërë këtë dhe atë për kolektivizim, Mehmet Shehu e ndërpreu dhe i tha: Paske ndërmend t’i numërosh edhe vezët e pulave fshatarit me këtë reformë?! Mehmet Shehu nuk donte të shkeleshin ligjet. Tjetër punë që në gjaknxehtësi e sipër kishte raste që fliste sikur i merrte nëpër këmbë të gjitha ligjet. Mirëpo kur dëgjonte argumentet tërhiqej. Ja dhe një shembull tjetër. Erdhi në qeveri ligji për trashëgiminë. Më thirri mua. Çfarë është ky ligj, më pyeti. Si lejohet trashëgimia kur ne e kemi zhdukur pronën private. Pranoni juve, i thashë që orën tuaj ta marrë komunalja e Tiranës apo ta marrin djemtë tuaj. Nuk kemi pronë private, i thashë, por kemi vetjake. Ajo me ligj duhet trashëguar...
Cili ishte dallimi midis pronës private dhe asaj vetjake?
Kur u shtetëzua toka mori fund prona private, tregtia private. Ndërsa prona vetjake kishte të bënte me ato që kishe brenda në shtëpi. D.m.th radio, televizori dhe orenditë shtëpiake. Në këtë kuptim dhe oborri i fshatarit që u ngushtua në maksimum...
Direktiva e partisë dhe ndjenja e shtetit e ligjshmërisë. A kishte përplasje në komision për këto?
Doemos që nuk mund të themi se Mehmet Shehu kundërshtoi direktivat e partisë. Ai në ato vendime që nxirrte qeveria, ishte fanatik. Koncepti i tij ishte se ligji me doemos duhej zbatuar. Në realitet të gjitha vendimet e qeverisë më parë kalonin në Byronë Politike, kalonin në KQ, pastaj vinin në qeveri. D.m.th çdo gjë e Këshillit të Ministrave ishte vënë në tutelën e Partisë...
Kush ishte ai që mbikëqyrte punën e qeverisë në Byronë Politike?
Ishte Byroja Politike nëpërmjet mekanizmit që ishte aparati i vet. Nuk di asnjë projekt që miratonte qeveria pa kaluar në Byro Politike. Ishte një qeveri e komanduar nga Byroja Politike...
Po Byrosë Politike kush ia përgatiste materialet e qeverisë? A kishte një tru që i përgatiste dhe e bënte të përditshëm monitorimin e punës së qeverisë?
Mund të kenë qenë 3-4 ekspertë, por “iko njito”. Ata merreshin me sigurimin e raporteve qeveri-parti...
Në këtë linjë arritëm te çështja e afirmimit të Partisë si forca kryesore udhëheqëse, gjë që nuk ishte në kushtetutën e vitit 46...
E vërteta është se në kushtetutën e vitit 46 nuk ishte, por në atë të vitit 50 u vu, pavarësisht se ishte në një formë tjetër. Në kushtetutën e 50 u vu roli i organizatave të masave dhe roli udhëheqës i partisë mbi to. Pra, në një mënyrë tjetër, jo si ai i kushtetutës së 76. Në kushtetutën e 76 roli udhëheqës i partisë ishte kategorik, absolut dhe i tillë u sanksionua dhe në dokumentin bazë.
Sa herë u mblodhën grupet e punës që përgatitën projektin e Kushtetutës?
E vërteta ëshëts e puna e grupeve vazhdoi rreth tre vjet. Ne si grup pune mblidheshim shpesh. Nëngrupet punonin pandërprerje dhe na i dërgonin ne materialet. Aty i shqyrtonim...
Është thënë se projekti i kushtetutës i është nënështruar dhe një diskutimi popullor. Cila ëshët e vërteta?
Po, u bë një diskutim popullor. Në atë kohë u tha se rreth 300 mijë vetë bënë propozime konkrete. Po ashtu u raportua se në këtë diskutim popullor morën pjesë 1 miloinë e 500 mijë vet. Vrejtjet e sugjerimet e mbledhura nga ky diskutim popullor i morëm në shqyrtim një për një në sensin cilat janë të arsyeshme, cilat jo. Ishte një punë shumë serioze dhe tepër intensive për ne pjestarët e grupeve. Ndër anëtarët e tyre mund të përmend Behar Shtyllën dhe Karaman Yllin që gjatë tërë kohës demotronin  kopetencë dhe kulturë të  lartë.
Vijon nesër

Elezi, juristi që drejtoi kabinetin e qeverisë komuniste

Profesori i njohur i jurisprudencës shqiptare, Ismet Elezi, ka lindur në vitin 1920, në fshatin Fterrë të Sarandës. Në vitin 1942 përfundoi liceun shtetëror të Tiranës dhe po atë vit shkoi në Firence të Italisë, ku filloi studimet në degën Filozofi-Letërsi. Një vit më pas u aktivizua në lëvizjen e rinisë antifashiste të zonën e jugut. Në prillin e vitit 1945 u caktua të punojë në sektorin e Propagandës në Bashkimin e Rinisë Antifashiste të Shqipërisë (BRASH). Në periudhën shtator-qershor 1946-1951 kreu Fakultetin e Drejtësisë në Leningrad, ku u diplomua “shkëlqyer”. Në vitet 1957-1960 po në Leningrad kreu studimet pasuniversitare në interes të gradës shkencore “Kandidat i Shkencave” për drejtësi dhe në vitin 1972 mori titullin “Profesor”. Në vitet 1951-1955 ishte Prokuror Kasacioni i Gjykatës së Lartë. Në 1955-1957 ishte sekretar i Institutit të Shkencave. Në vitin 1955 u zgjodh sekretar Shkencor i Universitetit të Tiranës. Nga viti 1966 deri në vitin 1985 kreu detyrën e lartë të drejtorit të Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave. Ismet Elezi për 50 vjet me radhë ka qenë pedagog i fushës së drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Ndërkohë që për 33 vjet, duke filluar nga viti 1957 deri në 1990 ka qenë shef i Katedrës Penale të Fakultetit të Drejtësisë. Ai njihet si autor i 30 librave monografikë, ndërkohë që botimi i tij “E drejta zakonore penale” ka marrë çmimin e dytë të Republikës. Ndërkaq ai është hartuesi i dhjetëra leksioneve për Kriminologjinë si dhe bashkautor i teksteve: “Histori e Shtetit dhe e së Drejtës Shqiptare”, “Komentari i Kodit Penal” dhe “Politika Penale”. Sot megjithëse në moshën 90-vjeçare vazhdon të shkruajë e botojë pa ndërprerje. Së fundi ka botuar ditarin e tij nga periudha kur punonte në kabinetin e Mehmet Shehut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›