“Zgjedhjet u zhvilluan të lira dhe të ndershme”
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka uruar Kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike për fitoren e zgjedhjeve parlamentare. Gjithashtu Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan përmes Drejtorit Ekzekutiv, Avni Mustafaj, ka shprehur urime të përzemërta për popullin shqiptar “për një proces zgjedhor që u vlerësua nga vëzhguesit ndërkombëtarë, si i lirë dhe i ndershëm”. Më tej në mesazhin e tij të urimit, Këshilli Kombëtar Shqiptaro- Amerikan përgëzon bashkëpunimin e forcave politike për përpilimin e ligjeve të reja në lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Këto ndryshime ligjore krijuan mundësinë që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme”, ka vlerësuar, Avni Mustafaj, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro- Amerikan. Kryeministri Sali Berisha ka marrë urime dhe nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve të Malit të Zi me rastin e fitores së mandatit të dytë qeverisës nga zgjedhjet parlamentare. “Fitorja e Koalicionit të Djathtë të cilin Ju e udhëhiqni, z. Kryeministër, është shenjë e qartë e besimit që kanë zgjedhësit shqiptarë për vizionin Tuaj në zhvillimin e vendit dhe rrugën e sigurt që Ju po ndiqni, drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh kryetari i Këshillit Kombëtar i shqiptarëve të Malit të Zi.