Vera Bekteshi: Si na trajtonin në internim ne, ish-bllokmenët
Arta MARKU
Sadik Bekteshi ishte një nga të rrëzuarit e radhës nga froni. Ish- gjeneral leitnadi, dhe ish- drejtori i Institutit të Studimeve Ushtarake, mes pozicioneve të tilla paraardhëse, u internua në vitin 1974, në kuadrin e të ashtuquajturës “fshesa e hekurt... Sigurisht me të do të internohej edhe familja, përfshirë këtu edhe vajzën e madhe, Vera Bekteshin, e cila pësoi menjëherë pas internimit të të atit, divorcin nga i shoqi dhe babai i djalit të saj. Kësisoj asaj s’i mbeti tjetër veç të ngarkonte në dy kamionë “zis”, mobiliet e shtëpisë dhe veshjet, të merrte djalin dy- vjeçar në krahë dhe të nisej drejt një destini të paparashikuar. Internimi do të zgjaste 16 vjet. Çdo 5 vjet, Bekteshët ridënoheshin. Por kalvari do të vazhdonte edhe pas vitit 1990. Tashmë për Vera Bekteshin, qoftë jeta në bllok, vuajtjet e internimit apo të fillimviteve ’90, janë kujtime. Kujtime me të cilat është shkruar libri “Vila me dy porta”.
Si filloi libri “Vila me dy porta?
Filloi një natë pa drita në vitin 2000. Kisha 10 vjet që isha kthyer nga internimi, dhe për herë të parë fillova të hedh jetën time në një bllok, nën dritën e një qiriu. Shkrova derisa erdhën dritat. Pastaj “magjia” u prish… Libri i vërtetë filloi në vitin 2006.
Filloi si një “kapriço” momenti?
Jo, ka qenë gjithnjë në mendjen time. Gjithnjë kam dashur të tregoj të vërtetën time. Më lart fola vetëm për momentin e fillimit të aktit të të shkruarit.
Pse kishit menduar gjithnjë për ta rrëfyer jetën?
Ishte si një detyrë që i pata vënë vetes. Për t’i dhënë një dëshmi njerëzimit.
Pse në libër në më të shumtën e rasteve, në vend të emrave të plotë të personazheve përmendni shkurtime të emrave të tyre?
Sepse individi për mua nuk ka rëndësi. Nuk ka rëndësi kush, por çfarë… Deri edhe kur ka qenë fjala për ata që ishin spiunë, madje për ata brenda komunitetit tonë të të dënuarve apo internuarve, që na kanë spiunuar, jam kujdesur që të mos i ridënoj, nëpërmjet rrëfimit të së vërtetës sime. Tek e fundit edhe vetë spiunët kanë vuajtur. E sakaq jo të gjithë njerëzit me dosje kanë bërë gjëra të dënueshme. Mund t’ju rrëfej se kishte mes nesh spiunë që kishin pranuar “detyrën” e spiunit, por që kujdeseshin të tregonin gjëra pa vlerë, nga ato që nuk prishnin punë.
Përfytyroj që libri juaj nuk është bazuar në ditarë apo në shënime të hedhura në kohën që ka ndodhur. I keni besuar në fakt kujtesës suaj?
E kam shkruar edhe në librin tim, frazën e Saramagos: “Vetëm sytë e kujtesës mund të jenë aq zhbirues sa ata të fajkoit”. Dhe e kam vërtetuar këtë gjë. Sigurisht, pasi kam nxjerrë gjithçka nga kujtesa, (ditarë s’mund të mbaja) kam përzgjedhur.
Përqendroheni shumë në jetën brenda shtëpisë suaj. Dhe më rezulton një marrëdhënie e pazakontë mes jush dhe mamasë…
E vërteta është se ajo është përpjekur gjithnjë të na frenojë ne, fëmijëve të saj. Edhe para edhe pas dënimit. Pasi ne qemë natyra të lira dhe ajo trembej. Më këmbënguljen e saj për të na frenuar, tek e fundit ajo na shpëtoi ne nga burgu.
Më dukej, tek lexoja, se shtylla e shtëpisë ishit ju, ndërsa më e natyrshme do të ishte të qe mamaja…
Shpesh roli im bëhej i rëndësishëm. Edhe nëse kam qenë shtylla e shtëpisë, s’kam qenë e vetme. Në familjen time, gjithsecili kishte rolin e vet. Dhe ia dolëm të mbijetojmë nga fakti që gjithsecili e luante mirë rolin e vet.
Ama, mamaja juaj më ngjan, nga libri, gruaja delikate…
Në fillim po. Por, pas internimit, ajo u bë aq e fortë sa ia kërkonin rrethanat.
A ju ka shërbyer mamaja juaj si model për rritjen e djalit tuaj?
Për të tilla gjëra s’kishim kohë të mendonim në internim. Nuk na linin punët e bujqësisë që zgjasnin nga agimi në perëndim. Im bir është rritur pa fëmijëri, dhe kjo ka ndikuar tek ai. Gjithsesi, udhëheqëset e mia shpirtërore kanë qenë gjyshet e mia, nuk ka qenë ime më.
Dënimi i babait ishte një arsye që burri juaj të kërkonte divorcin…
Nuk ishte një lidhje e vërtetë. Jam e bindur se të gjitha lidhjet që u prishën asokohe për shkaqe politike nuk ishin lidhje të vërteta. Asnjë faktor i jashtëm nuk mund ti prishë lidhjet e vërteta.
Viteve të internimit, në të vërtetë a iu ka munguar një burrë? Përkundër jush motra juaj zgjodhi të martohej…
Së pari unë e kisha një fëmijë që i mungonte motrës sime dhe që ia bëri të domosdoshme martesën. Nga ana tjetër, unë nuk mund ta konceptoja që, me një lidhje timen, të rrezikoja edhe më familjen time, me të cilën isha aq fort e lidhur.
A jeni përpjekur ta justifikoni ish- burrin tuaj?
…Kam kuptuar se gjëja më e rëndësishme në një martesë është të duash familjen më shumë se veten. Gjatë viteve të internimit u binda më shumë për këtë. Unë nuk do të isha ndarë me tim shoq, nëse ai do të ishte ndodhur në vështirësitë e mia. E përderisa mendoj kështu, si mund ta kuptoj?
Por ju pranoni mungesën e dashurisë...
Ajo që thashë më lart, nuk ka të bëjë me dashurinë, por me integritetin.
Pse nuk u martuat pas mbarimit të internimit?!
Sepse këndvështrimi që kisha për burrat, pasojë e martesës sime me një burrë të padenjë, nuk ishte edhe aq i favorshëm. Më pengonte.
Në libër rrëfeni një “sekret” të djalit të ish- kryeministrit Mehmet Shehu, Vladimirit, i cili kish rrëfyer: nëse mua me ndodh një gjë e tillë, si inxhinier që jam, e di se çfarë do të bëj… Dhe ajo që ia deklaroi vite më pas ndodhi vërtet… Vrau veten. Sipas jush, shenjë dobësie? Apo forcë?
Nganjëherë, është e pamundur t’i përballosh disa vështirësi, sidomos nëse vijnë kur je i çmobilizuar. Unë vetë e kam provuar ndjesinë e vetëvrasjes… Isha e lodhur nga beteja e vjetër dhe po përballesha me një të re, pas rikthimit nga internimi.
Cilët ishin miqtë tuaj të kohës së bllokut, dhe cilët prej tyre rigjetët kur u kthyet?
Mendoj se nuk kam humbur asnjë mik të vërtetë. Ata që i kisha, i rigjeta, mes të cilëve, Spartak Ngjela apo Fatos Klosi…
Ky libër ishte një deponim dhe aq?
Sido qoftë ky libër, them se do të ketë të tjerë. Kam ende subjekte të pakonsumuara. Mendoj se do të shkruaj tregime bazuar në to...
....
Një organizatë rinie shumë luftarake e Fakultetit të Inxhinierisë, papritur e pa kujtuar për mua, por jo për udhëheqjen e rinisë së fakultetit, dhe për disa më lart, vari një fletërrufe në hollin e madh të katit të dytë, pikërisht në vendin tonë të zbavitjes. Kritikohej paraqitja ime e jashtme që ishte në kundërshtim të plotë me situatën revolucionare që po përjetonte rinia shqiptare e përfshirë në aksione të fuqishme ndërtuese dhe qytetëruese kudo nëpër atdhe.
Shokët e mi të kursit u përgjigjën menjëherë duke mohuar akuzën dhe duke quajtur tendencioze përmbajtjen e saj… Kjo mua ma përkëdheli kaq shumë sedrën sa vendosa të mos përgjigjem vetë. Të dyja qëndrimet, i imi dhe i shokëve treguan se si peshkopë të vërtetë ishim shumë larg realitetit të kohës... As nuk e merrnim me mend sa do të zgjaste kjo fushatë dhe sa e egër do të ishte.
…Udhëheqësit e rinisë së dy fakulteteve nxisnin organizatat e rinisë respektive të vazhdonin kritikat në adresë të paraqitjes sime shumë perëndimore. Filluan të merrnin pjesë edhe organizata nga klasa punëtore e kryeqytetit. Akoma më kujtohen disa prej tyre: “Vera nuk i mban për thjeshtësi flokët e lidhur bisht nga mbrapa. Ajo është frymëzuar nga modeli i kardinalëve katolikë të Romës, pasi koka me bishtin e flokëve formojnë formën e kryqit me fjongon e zezë që ajo përdor”, shkruante një mendje mprehtë.
Një tjetër, madje ish petroninse, e përfundonte kështu kritikën: “Lenini i madh ka thënë: thjeshtësia në veshje është një anë e mënyrës proletare të jetës”.
Të dyja i referoheshin thjeshtësisë. Njëra kritikonte për simbolizëm përmes thjeshtësisë së sofistikuar, tjetra kritikonte për mungesë thjeshtësie... Pas 5 muajsh u var lajmërimi për një takim shumë të rëndësishëm me Ramiz Alinë. Takimi u mbajt në sallën 401, që ishte më e mbushur se kurrë. Nuk guxoja të mos shkoja...
Ramiz Alia foli me elokuencën e zakonshme për çështjet e revolucionarizimit dhe përfundoi takimin me një frazë që dukej stereotip, por që për mua ishte lehtësim i madh:
... Mendoj se tashmë diskutimet e kanë arritur qëllimin e tyre edukues...
Në atë valë histerie u dogjën shumë minifunde vajzash dhe u qethën shumë baseta djemsh. U dhanë urdhra të prera që nga bllokimi i librave dekadentë nëpër biblioteka, deri te vendosja e berberit në Rinas...
.....
Një ditë të ftohtë dimri, pas një krize në veshka, brigadieri i brigadës së fushës, më dërgoi të ktheja misër... së bashku me Rufaninë, që kishte nja dy ditë në atë punë dhe që e quante si monopolin e saj.
U ula mbi një libër kapaktrashë, që të mos ftohesha nga toka e lagur. Këtë libër e merrja me vete gjithnjë, kur kishim punë ulur, në farishten e duhanit...
Papritur dëgjoj zërin e saj të çjerrë të dilte nga një fytyrë e irnosur, mbështjellë me shaminë e saj edhe më të irnosur nga ku dilnin shtëllunga flokësh gri si tela, mishërim i gjallë i personazhit frikësues të përrallave, të cilit s’i mungonte dhëmbi i vetëm por fshesa fluturuese.
-Pale, merr edhe plaçkë me vete për të mos u ftohur zonja (Rufania quante plaçkë librin) dhe vjen e më merr mua bukën e kalamaqëve. Këta janë armiqtë e popullitëëëë, ballistatëëëë, të arratsisuritëëëë, kurvatëëëë, që iu marrin mendjen brigadierëvetëëëëë- dhe ulërinte sa kishte në kokë duke treguar me gisht.
Tashmë isha mësuar të mos reagoja, aq më tepër në rastet e këtij lloji, sepse e dija që kjo qe rruga më e lehtë.
........
Punoja me Nailen në skuadrën e farishtes, që quhej punë e privilegjuar për gratë me barrë, për të moshuarat ose të sëmurat. Nailja, ashtu si Vika, kishte privilegjin të quhej e bukur, bile do të quhej tamam e bukur, sikur të mos ishte sykaltër, gjë kjo jo aq e pëlqyer në fshat. Pra Nailja ishte çuditërisht e shëndetshme, megjithë 6 fëmijët që kishte lindur e rritur, bile kishte edhe nipër, por kur ishte fjala për shëndetin e saj, nuk bënte asnjë lëshim.
-Dëgjo Hava, i tha mamasë. Verës i kanë mbetur vetëm dhëmbët. Do ta shpëtosh vajzën nga dobësia, sa pula ke- vazhdoi ajo- zgjidh me të majmen, piqe në saç dhe vërja vajzës përpara të tërën!
-Si të tërën, pa i ndarë as Arturit e as djemve që lodhen aq shumë, një krah?!
-Të gjithë të them. Unë për vete kështu e kam këtë shëndet. Kur sëmurem, s’dua njeri të më vardiset. I çoj të gjithë në punë dhe pasi ikin, kap pulën matkë të qymezit, i pres kokën, e qëroj pa e përvëluar, se s’pret puna, dhe pasi e pjek në saç, e vë përpara dhe tëk e tëk, pasi e mbaroj të tërën dhe i bëj kockat kapule, lëshoj një gromësime të madhe, dhe atëherë them se sëmundja ma mori të keqen.
....
Të nesërmen e rrëmbimit të Zanës me Ferdiun, një i dërguar nga Ministria e Brendshme me emrin Nazmi, na mblodhi në dhomën e sekretarit të partisë së fshatit, Veiz Patrikut, në praninë e të gjithë autoriteteve të vendit dhe të dy familjeve të të “rrëmbyerve”, duke përfshirë edhe ata vetë.
Kësaj radhe nuk ishte vetëm mamaja që duhej mbështetur, por edhe babai, po ta prisje s’nxirrte pikë gjaku. Djemtë ishin tërbuar, kurse Arturin e lamë në shtëpi që të mos tronditej.
-Ti Sadik Bekteshi e quan për ofezë të madhe që jot bijë të rrëmbehet me një fshatar?- shoku Nazmi theksoi fjalën rrëmbim.
-Ne të gjithë kemi ardhur dikur nga fshati. Ajo që na rëndon ne si familje është se na erdhi krejt papritur dhe kjo për të dy palët.
-Ti armik i popullit, shiko familjen tënde se ne kurrë nuk do të pranojmë që djali ynë të marrë grua vajzën tënde, - u hodh përpjetë i ati i Fedriut, meqë ia përmendi të dy palët.
-Dinit gjë më parë ju të familjes së djalit? - pyeti i dërguari i ministrisë.
-Dinjim, por kujtonim se e kishte vetëm për qejf, - tha plaku inatçor...
-Ne nuk mendonim kurrë se do e merrte për grua, ia mori mendjen e bija e armikut, janë me shkollë ata, kurse ky i imi vetëm ka vetëm 7 klasë me shkelma,- vazhdoi edhe më thellë ai...
Sytë tanë lëshuan shkëndija zemërimi, por babai u bëri me shenjë djemve që të përmbanin veten gjë që, shoku Nazmi e kapi dhe ndërhyri:
-Mbaje gjuhën se je burrë plak dhe s’të kanë lezet këto llafe vagabondësh!
-Nuk ma mori mendjen, por e desha vetë dhe e bëra unë rrëmbimin! – u përgjigj Ferdiu.
-Dhe po deshët, pas triskave të frontit merrmani dhe pasaportën!-iu drejtua ai në delir të dërguarit të ministrisë.
-Kujt i bën shantazh ti, a e di me kë po flet, e di se të bëj të kafshosh gjuhën për këto fjalë?
Ferdiu u step, por akoma nuk e merrte me mend se s’e kish të lehtë të përballej me ata, në strofkën e të cilëve kish shkuar vetë për t’u dorëzuar. Në vitet që do të vinin, si i ri dhe fare i papërgatitur, ai do të thyhej shpesh, duke lënduar për vite, jo vetëm Zanën, por të gjithë ne, përfshirë edhe tim bir që po rritej...
.....
Është edhe një personazh tjetër, gjithaq i veçantë dhe i pazakontë për kohën, Burka, të cilit ia kuptuam identitetin menjëherë që në natën e parë, kur prisnim në rresht para zyrës së Këshillit për të vënë firmën për mbërritjen tonë, në vendin e ri të izolimit, firmë që vihej çdo ditë dy herë dhe në raste të jashtëzakonshme, e tri herë në ditë.... Ai kaloi aty pari si kot, duke lëshuar një mërmërimë që pak a shumë donte të thoshte:
Sa djem të pashëm na paskan ardhur në Vodëz!
Ky Burka kishte 4 fëmijë dhe një grua që nuk kishte si bëhej më e shkathët, por ja që e kishte zakon tu blinte sefte djemve të rinj të fshatit nga një paketë duhani partizan, derisa më pas ata vetë e tregonin si mesele gallate historinë e kësaj pakete.
Por të gjithë këto ishin llafe në krahasim me historinë e gjatë që pati me karrocierin bandill të fshatit që shpëtoi nga kthetrat e Burkës, në momentin që ndërroi destinacionin e karrocës, dmth, në vend që të ngarkonte bukë në furrën e fshatit ku punonte, Burka filloi të çojë jonxhë në stallën e lopëve. Atje në stallë, pasi shkarkoi dengun e parë me jonxhë, përfundoi në krahët e fortë të sylarushes më të zjarrtë që më kanë zënë sytë... Kjo grua, më të cilën punoja herë pas here ishte pakrahasueshme me asnjë tjetër për pastërtinë dhe zhdërvjelltësinë e lëvizjeve, si dhe mënyrën e të folurit përherë me buzë të hapura, gjithnjë gati për të lëshuar britmat e saj të gëzuara.
Kishte një lloj posti në organizatën e partisë dhe për këtë arsye sytë i ktheheshin nga të arta, në të gjelbër të fortë, kur dikush merrte guximin në ankohej për mungesat apo vështirësitë e pafundme që hasnim në çdo hap... Partia jo vetëm i kishte besuar sekretet e organizatës (që në fakt i dinim të gjithë që të nesërmen, duke përfshirë edhe ne armiqtë) por i kishte siguruar edhe lirinë e daljes netëve për mbledhje, duke i dhënë mundësinë që të takonte bandillin e saj.
lufta e klasave
Një ditë erdhën për kontroll nga Tirana, nga Ministria e Arsimit.
Ajo shoqja e ministrisë që erdhi për kontroll, pa mbarëvajtjen në klasat e kopshtit të fshatit dhe papritmas dalloi Arturin që rrinte si i trembur dhe i fshehur pas dikujt. Ajo dalloi këpucët blu italiane dhe veshjen që s’para gjendej në tregjet tona të asaj kohe, por që im bir i kish të blera nga i ati, diplomat, dhe pyeti për përkatësinë e tij.
-Është nipi i armikut të popullit, Sadik Bekteshi,- iu përgjigj me shumë vigjilencë Llazi, përgjegjësi i Vatrës së Kulturës së kooperativës.
Pastaj e dërguara e ministrisë i kërkoi Llazit t’i bënte një foto me fëmijët e kopshtit të Kutallisë dhe Llazi, përsëri shumë vigjilent, e mori përkrahu Arturin për ta veçuar nga grupi.
Unë fare rastësisht po kaloja andej për në stallën e duhanit, kur dëgjoj të qarën e dhimbshme me zë të ulët të tim biri, që rrinte në qoshe të gardhit i veçuar.
Kur mora vesh se përse behej fjalë, harrova atë porosinë e profesor Pilikës për t’u sjellë si 60- vjeçare dhe pa më të voglin hezitim iu vërsula Llazit:
-Po ti mor përgjegjës i vatrës, tek një 3-vjeçar e gjen të bësh luftën e klasave?
Llazi u befasua aq shumë, sa fytyra tejet e kuqe edhe në situata normale, iu mavijos deri në rrëzë të veshëve.
Që në atë moment ia shpalla hapur armiqësinë atij surratkuqi, por edhe ai nuk do të linte rast pa ma kthyer.