Tragjedia e Ersekës, Berisha viziton dy familjet Shkoza
Jorgjeta Gjançi
Dy familjet Shkoza, që dy ditë më parë humbën fëmijët e tyre teksa po punonin për të nxjerrë skrap nga një ngrehinë dhe u goditën nga tarraca prej betoni e saj, kanë marrë dje ngushëllime nga Kryeministri Sali Berisha. Drejtuesit e degës së PD-së në Kolonjë, që e morën lajmin të parët për këtë vizitë të papritur të Kryeministrit, kanë qenë në dilemë për ta çuar te këto familje, ku varfëria shfaqej në çdo cep të banesave të tyre. Por dëshira e Kryeministrit për të ngushëlluar këta romë të varfër nuk u pengua.
Në fillim Berisha shkoi te familja e Enver Shkozës, e cila humbi ditën e enjte Fatjonin, djalin 22-vjeçar. Enveri nuk e priste ta ngushëllonte në këto ditë zie vetë Kryeministri i vendit. Ardhja enkas me helikopter e Kryeministrit dhe mandej fjalët e ngrohta dhe biseda e përzemërt e përlotën. “Shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet e mia për humbjen e djalit tuaj!”, është shprehur Berisha, duke pirë kafen e ngushëllimit. Mandej bashkëbiseduan mes tyre. Enveri nuk ka nguruar t’i tregojë Kryeministrit për varfërinë e familjes së tij, ku askush nuk ka një punë stabël dhe mbledhja e hekurishteve është kthyer në një “profesion”. Lufta për të mbijetuar i ka shtyrë të punojnë kudo ku i thërrasin bashkëqytetarët e tyre. Familja e Enverit, e mbetur e pastrehë, edhe lekët që merr nga ndihma ekonomike në Bashki, i jep qira për pallatin ku jeton së bashku me familjen e tij të madhe. Ndërsa për të jetuar përpiqen të punojnë të gjithë të rriturit e familjes, edhe pse shumë herë nuk gjejnë punë. Berisha gjatë bisedës u shpreh se fëmijët janë gjëja më e shtrenjtë dhe ata që humbën jetën nuk kthehen më. Ai u interesua për shëndetin e tre fëmijëve të tjerë të këtyre familjeve, që janë duke u kuruar në Spitalin Rajonal të Korçës, veçanërisht për shëndetin e Klodianës, vajzës 7-vjeçare të Enverit, që po kurohet në reanimacionin e këtij spitali. Duke shprehur sigurinë se e bija do të kthehet shëndoshë në shtëpi, Kryeministri nënvizoi se qeveria do t’u qëndrojë afër familjeve të tyre dhe shumë shpejt do të zgjidhë edhe strehimin e tyre në banesa të reja. Edhe më prekëse ka qenë vizita në familjen e Gëzim Shkozës. Ai në tragjedinë e dy ditëve më parë humbi djalin 12-vjeçar, Shkëlzenin. Ende nuk e ka marrë veten nga kjo fatkeqësi dhe në prani të Kryeministrit është përlotur sërish. Djali e di që nuk i kthehet më, por në këto ditë të vështira ai pati edhe ngushëllimin e Kryeministrit. Së bashku pinë kafe dhe shkëmbyen urime për ditë më të mira. “Qeveria, është shprehur Berisha, do të ndihmojë që së bashku me familjen e fëmijët e tjerë të jetosh në një banesë të mirë”. Braktisja e barakës dhe jeta në një apartament komod ka qenë një ëndërr për familjen e Gëzimit, por edhe për Shkëlzenin që gjeti vdekjen duke punuar për të siguruar bukën e gojës në gërmadhat e ish-magazinës së grumbullimit në Ersekë. Kryeministri Berisha dhe familja e tij ishin preokupuar që këtyre familjeve të varfra t’u çonin ndihma të shumta. Për të gjithë, veshje, kuverta dhe shumë ushqime.