E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret zv.drejtorin e Bankës Gjermane për Zhvillim

23/12/2009  Asistenca gjermane
Kryeministri Sali Berisha ka pritur dje në një takim të veçantë zëvendësdrejtorin e Bankës Gjermane për Zhvillim KFW, Roland Siller, shoqëruar nga ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borchard. Shefi i ekzekutivit ka prezantuar prioritetet e qeverisë shqiptare në fushën e investimeve, duke u përqendruar më së shumti në energjetikë. Kryeministri Berisha theksoi se prioritetet shumë të rëndësishme për bashkëpunim në të ardhmen mbeten ato në sektorin e furnizimit me ujë dhe energjetika, duke u ndalur veçanërisht në tri drejtime kryesore: efiçencën e energjisë dhe energjinë e rinovueshme, mbështetje për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla dhe projekte të tjera për transmetimin e energjisë. Ai ka vlerësuar maksimalisht ndihmën e qeverisë gjermane në projekte të shumta dhe tepër të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Berisha shprehu falënderimet për mbështetjen e konsiderueshme financiare që qeveria gjermane i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit financiar, të cilat zbatohen nga KFW në sektorët prioritarë për vendin, si: furnizimi me ujë dhe kanalizimet, energjetika dhe sektori ekonomik e financiar. Kryeministri theksoi se të gjitha projektet që po financohen nga KFW kanë gjetur një zbatim me efektivitet dhe në kohë në Shqipëri.
Nga ana e tij ambasadori gjerman Borchard theksoi se ndihma financiare e qeverisë gjermane vetëm dy vjetët e fundit ka arritur në 120 milionë euro. Ai theksoi bashkëpunimin shumë të mirë me institucionet shqiptare në realizimin e këtyre investimeve. Dy projekte të rëndësishme në fushën e energjisë, të cilat do të financohen së shpejti, janë: linja unazore 110 kilovat në Jug të Shqipërisë dhe linja e transmetimit 400 kilovat Shqipëri–Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›