E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillim të marrëdhënieve me Serbinë

23/12/2009  Ministri i Jashtëm Ilir Meta takon ministra serbë të qeverisë së Kosovës
Premtohet mbështetje dhe ndihmë për komunitetin serb të Kosovës
Shqipëria synon thellimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë. Këtë e ka deklaruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta pas takimit që pati me kreun e Partisë Liberale Serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviç, ministrin për Kthime dhe Komunitete në qeverinë e Prishtinës Sasha Rashiç, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiç dhe kryetarin e sapozgjedhur të komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviç. Shefi i diplomacisë shqiptare e ka vënë theksin në bashkëpunimin rajonal, duke e cilësuar si pararendës të integrimeve europiane. Ministri Meta theksoi se popujt dhe qeveritë e vendeve të rajonit duhet të shohin nga e ardhmja dhe të mos kthejnë e kokën nga e kaluara. Pikërisht ky vizion, sipas ministrit të Jashtëm shqiptar, do t’i japë këtij bashkëpunimi dimensione të reja dhe perspektivë të sigurt europiane. “Në këtë drejtim, Shqipëria vlerëson edhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të saj me Serbinë si marrëdhënie jo vetëm me interes dypalësh, por edhe më të gjerë”, - deklaroi Meta.
Në konferencën për shtyp ministri Meta e ka vlerësuar komunitetin serb në Kosovë si një vlerë shumë të rëndësishme për një shtet demokratik. Për të pjesëmarrja e këtij komuniteti në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë është shprehje e qartë e ndërgjegjësimit të tyre se vetëm në këtë mënyrë ata do të marrin në dorë fatet e tyre dhe do të bëhen pjesë e proceseve integruese europiane. Ministri Meta tha se qeveria shqiptare do të mbështesë serbët e Kosovës. “Ripërsërita premtimin e qeverisë së Shqipërisë për të kontribuar për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit ose për ndërtimin e objekteve socialkulturore në komunat me shumicë serbe”, - ka thënë Meta. Nga ana e tij kreu i Partisë Liberale serbe të Kosovës, Sllobodan Petroviç, e ka vlerësuar shumë të rëndësishme dhe në shumë aspekte mbështetjen e ministrit Meta dhe të qeverisë shqiptare. Petroviç tha se për qytetarët shqiptarë të Kosovës shteti i Shqipërisë ka një autoritetet me rëndësi të veçantë, prandaj një vizitë e tillë do të ketë një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy komuniteteve. “Ajo që është e rëndësishme është që kjo vizitë do të jetë një shembull shumë i mirë dhe për vendet e tjera, për më tepër që do të jetë dhe një garanci më e sigurt për qeverinë e Kosovës, me të cilën kemi marrëdhënie mjaft korrekte”, - ka deklaruar drejtuesi i Partisë Liberale serbe të Kosovës.
Integrimi europian
Shefi i diplomacisë shqiptare ka vlerësuar angazhimin e presidencës suedeze të Bashkimit Europian në funksion të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. “Një nga rezultatet shumë të rëndësishme të kësaj presidence ishte miratimi i aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe njëkohësisht dorëzimi i pyetësorit. Mjaft e suksesshme ka qenë kjo periudhë edhe për plotësimin dhe realizimin e të gjitha standardeve që janë kërkuar nga udhërrëfyesi i BE-së për liberalizimin e vizave. Viti 2010 do të jetë viti i liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Të njëjtën gjë shpresojmë për Bosnjën dhe shumë shpejt dhe për Kosovën”, - tha Meta.
Bashkëpunimi me opozitën
Ministri Meta ka vlerësuar vendimin e kryeministrit Sali Berisha për të mos ndryshuar kufirin për taksat e biznesit të vogël, si rezultat i vullnetit të qeverisë për të marrë në konsideratë ato sensibilitete që u krijuan dhe u gjykuan si të pranueshme pas kërkesave të përfaqësuesve të pushtetit vendor. “Mendoj se është një rezultat i një tolerance, dhe ai që është më i fortë toleron, por gjithmonë për kërkesa legjitime”, - deklaroi Meta. Për numrin dy të qeverisë kryeministri Berisha gjatë gjithë kohës ka qenë shumë i hapur për të dialoguar me opozitën për të gjitha çështjet që ajo i ka gjykuar dhe i gjykon të arsyeshme. Por sipas tij opozita nga ana e saj ka zgjedhur rrugën e protestave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›