Harasani: Do punësojë 1200 persona me një projekt

03/06/2005 Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në zonën elektorale numër 36, Andis Harasani, u ka premtuar banorëve të kësaj zone ulje të papunësisë me mbi 1200 persona, vetëm nga një projekt punësimi. Harasani, duke iu drejtuar banorëve të kësaj zone, tha se “kur erdha në zonën tuaj, thashë që do të angazhohem për lehtësimin e problemeve të komunitetit dhe sot mund të them se kjo zonë ka vëmendjen e investitorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, si kompania e mirënjohur italiane DUCATI, ajo amerikane KATERPILLAR, apo kompani austriake, që janë impenjuar për të hapur impiante prodhuese në këtë zonë. Drejtori aktual i KESH-it është prezantuar dje nga Kryeministri Fatos Nano, ku u është premtuar banorëve se brenda datës 20 qershor do të përfundojë projekti për futjen e rrjetit 20 KV që do të bëjë të mundur përmirësimin e ndjeshëm në sasi e cilësi të furnizimit me energji elektrike të banorëve. Gjithashtu, kandidati i PS-së nuk ka ngurruar të sulmojë dhe kundërshtarin e tij politik në këtë zonë, Shaban Meminë. “Dua të sjell në vëmendjen tuaj se nuk do të ulem në nivelin e kandidatëve të tjerë, që me hapje deposh kanë marrë mandate deputeti, por do të respektoj vullnetin e lirë të çdo zgjedhësi, pavarësisht bindjeve të tij”, tha Harasani. Kreu i KESH-it, duke kritikuar mungesën e theksuar të investimeve për zonën, u shpreh se “kur erdha në zonën tuaj nuk premtova investime, por në fakt, ajo çfarë kam bërë këto muaj është më shumë sesa kanë sjellë investime deputetët që kanë qenë më përpara këtu gjatë 10 viteve të marra së bashku”, tha Harasani. Duke shpresuar në ndryshimin e realitetit aktual të zonës, Harasni i ka ftuar banorët që të votojnë për të në datën 3 korrik për ta bërë dhe vetë kandidatin Harasani pjesëtar të problemeve dhe të zgjidhjeve.