E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI paraqet qeverinë hije të paszgjedhjeve

03/06/2005  8 emra paraqesin strategjinë për drejtimin e vendit në 4 vitet e ardhshme

Konventa e Parë Elektorale e LSI-së ka zbardhur dje emrat e qeverisë hijë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Platforma qeverisëse e kësaj partie për katër vitet e ardhshme është prezantuar për çdo sektor nga 8 emra të njohur të LSI-së, që duket se do të jenë dhe ministrat e qeverisë, në rast se del forcë kryesuese pas zgjedhjeve. Sokol Nako ka prezantuar programin ekonomik, Filloreta Kodra programin social, Petrit Vasili programin shëndetësor, Pëllumb Xhufi programin arsimor, Edmond Panariti politikat për bujqësinë, Ilir Dashi platformën për energjinë dhe infrastrukturën, Artan Hajdari për shtetin ligjor dhe drejtësinë, si dhe Selim Belortaja për politikat e biznesit. Në rast fitoreje në zgjedhjet e 3 korrikut, LSI-ja premton zbatim të të gjitha pikave që ajo ka parashtruar në pratformën e saj qeverisëse. Në katër vitet e ardhshme, LSI-ja premton heqjen e regjimit të vizave për vendet e rajonit dhe më gjerë, duke i hapur rrugë proceseve të integrimit. Gjatë konventës elektorale të LSI-së janë zyrtarizuar dhe emrat e 100 kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 3 korrikut.

Legalizimi & Pronat

Ligji aktual i legalizimeve do të ndryshojë me ardhjen në pushtet të LSI-së, ky premtim është bërë nga kreu i kësaj partie, Ilir Meta, sipas të cilit ndryshimi në ligj do të sjellë barazi të të gjithë qytetarëve në procesin e legalizimit të ndërtimeve në zonat informale. Me ligjin e legalizimeve, LSI-ja premton gjithashtu zgjidhje të çështjes së pronësisë mbi tokën, duke garantuar legalizim të sigurtë dhe të pakthyshëm. Ndërsa çmimi i tokave do të jetë si ai i tokës bujqësore në vitin 1993. Fill pas legalizimit do të gjejë zbatim procesi i urbanizimit. Ndërkohë që për ndarjen dhe kompensimin e pronave, LSI-ja ka premtuar se brenda katër viteve të ardhshme do të bëhet ndarja dhe regjistrimi i tokave sipas ligjit 7501, duke përshpejtuar dhe procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, në funksion të zhvillimit të tregut të tokës.

Ekonomia & Biznesi

Në politikat qeverisëse të LSI-së, për ekonominë dhe biznesin, do t'i jepet prioritet krijimit të një klime atraktive për financimet e huaja dhe atyre vendase. Thjeshtëzimi i procedurave për hapjen e një biznesi do të reduktohen nga 11 hapa në 6 të tilla. Ndërkohë që do të ketë një rimbursim të TVSH-së për eksportet. Platforma ekonomike synon intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, duke rritur transparencën, cilësinë e shërbimeve të administratës fiskale dhe duke aktivizuar eksperiencën më të mirë ndërkombëtare, për të drejtuar veprimtarinë e vjeljes së të ardhurave në tatimet dhe doganat, përfshirë dhe kompjuterizimin e plotë të shërbimeve brenda vitit 2007.

Arsim & Shëndetësi

Reformat në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor do të pasohen dhe nga reformat në sektorë të tjerë socialë. LSI-ja premton se në katër vitet e ardhshme do të rrisë shpenzimet për frymë sa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian në sektorin e shëndetësisë. Kjo e shoqëruar dhe me rritje të pagave të punonjësve në sektorin publik.

Sokol Nako ekonomia

Filloreta Kodra çështjet sociale

Petrit Vasili shëndetësia

Pëllumb Xhufi arsimi

Edmond Panariti bujqësia

Ilir Dashi energji dhe infrastruktura

Artan Hajdari shteti ligjor dhe drejtësia

Selim Belortaja politikat e biznesit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›