E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi i FDE-së: Politikanët të kërkojnë falje që nuk kanë hapur dosjet

Forumi i FDE-së: Politikanët të kërkojnë falje që nuk kanë hapur dosjet

Biberaj: Votim nominal për të parë kush del kundër. Balla: Të përcaktohet një kufi kohor për hapjen e dosjeve

Lorena Kollobani

Politikanët duhet të kërkojnë falje, qoftë edhe për pazotësinë e tyre, për të hapur dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit në këto 18 vite. Kjo ka qenë ideja e debatit mbi hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sistemit komunist dhe dënimit të krimeve të komunizmit e cila u diskutua dje në një tryezë të organizuar nga Forumi për Demokraci dhe Etikë në prani të ambasadorit gjerman, deputetëve të Parlamentit shqiptar dhe pjesëmarrësve nga grupime të ndryshme. Vetë deputetët pjesëmarrës pranuan në një formë apo tjetër “fajësinë” për moshapjen e deritanishme të këtyre dosjeve, ndërsa folën për projekte që do të shkurtonin kohën e hapjes së tyre.

Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, i cili është nismëtar i një projektligji për këtë çështje, ka shprehur hapur zhgënjimin e tij për vonesat e hasura në këtë proces. “Nëse projektligji për dënimin e krimeve të komunizmit nuk miratohet tani, atëherë do të duhet të mendojmë se një pjesë e aktorëve politikë janë të implikuar me sistemin komunist dhe nuk kanë kurajën për t’u distancuar nga e shkuara”, - u shpreh Biberaj, i cili rishpjegoi përmbajtjen e projektligjit të propozuar nga ai në funksionin e deputetit.

Biberaj tha gjithashtu se në Parlament projektligji duhet të votohet nominalisht nga deputetët. “Le të bëjmë një votim nominal për këtë ligj dhe të shohim se cilët janë deputetët që janë kundër hapjes së dosjeve”, - u shpreh Biberaj, i cili sqaroi pozicionin e tij se arkitektët e sistemit komunist dhe bashkëpunëtorët e tyre duhet të ndëshkohen për të mos marrë pjesë në strukturat vendimmarrëse të vendit. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i pranishëm në tryezën “Transparenca, e vërteta dhe pajtimi kombëtar”, tha se çështja e lustrimit është përdorur politikisht për efekte elektorale. Ai shtoi se nëse do të vazhdohet me këtë mënyrë, ligji nuk do të miratohet asnjëherë.

“Ajo që duhet bërë, është që Parlamenti në ditët në vijim të përcaktojë një afat brenda të cilit ky proces duhet të mbyllet me patjetër”, - tha Balla, i cili do të marrë nismën në Kuvend për të propozuar përcaktimin e këtij afati. Balla tha se do të propozojë që në projektligj të përfshihet edhe krijimi i një regjistri të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, i cili të jetë transparent. “Për sa i përket pastërtisë së figurës së zyrtarëve, unë mbetem i qëndrimit se nuk duhen lejuar bashkëpunëtorët në pozicionet me emërim, ndërsa në pozicionet me zgjedhje, për shkak të të drejtës kushtetuese, të jenë të lirë, por pasi t’u jetë bërë transparenca”, - tha Balla.

Kryetari i lëvizjes PS’91, Petro Koçi, tha se është detyrim moral miratimi i këtij ligji, duke shtuar se partitë politike po përdorin mungesën e konsensusit për ta vonuar edhe më tutje procesin. “Unë jam i mendimit se modeli gjerman është i përshtatshëm”, - tha Koçi.

Ndërsa Musa Maçi, një ish-i burgosur politik prej 23 vitesh, u shpreh në këtë takim se si përfaqësues i ish-të përndjekurve politikë, ata si hap primar donin kërkimin e faljes që në fillim duhet të vinte nga ish-anëtarët e Sigurimit të Shtetit. Në fund shprehja “kontrolli që kontrollon kontrollin” duhet të reshtë së ekzistuari dhe kthimi i dinjitetit moral është obligimi kryesor jo vetëm i partive, po edhe i të gjithë shqiptarëve për njëri-tjetrin.

Forumi për Demokraci dhe Etikë në bashkëpunim me deputetin e PR-së, Alfred Gega, po shqyrton mundësinë e propozimit të një projektligji alternativ që do të harmonizonte të gjitha propozimet e deritanishme. Drejtori ekzekutiv i FDE-së, Arian Galdini, u shpreh se klasa politike shqiptare duhet t’i kërkojë ndjesë shoqërisë shqiptare dhe në veçanti shtresave të persekutuara nga sistemi komunist për mosbërjen e transparencës në këto 18 vite.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›