E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha- Uizner: Zgjerimi i NATO, stabilitet për rajonin

Ish-i dërguari special i SHBA-ve në procesin e negociatave për zgjidhjen e statusit final të Kosovës, Ambasadori Frank Uisner, gjatë vizitës që po zhvillon në Shqipëri me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, po zhvillon takime me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare, si dhe është ftuar për të ndarë përvojën e tij të gjatë në fushën e diplomacisë, me studentët e disa prej universiteteve të Shqipërisë. Gjithashtu, diplomati amerikan do të njihet me disa nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Për nder të ambasadorit Uisner, ministri Basha ka shtruar një darkë pune. Gjatë bisedës, Basha falënderoi ambasadorin Uisner për kontributin e tij personal gjatë procesit të negociatave që kulmoi me pavarësinë e Kosovës. Nga ana e tij, ambasadori Uisner falenderoi autoritetet e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të procesit të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, duke e vlerësuar si një tjetër shprehje të rolit konstruktiv dhe moderues të Shqipërisë në rajon. Në vijim të bisedës, ambasadori Uisner përshëndeti aderimin e Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe shprehu bindjen se zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s do ti shërbejë paqes dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›