E Diel, 1 Nëntor 2026

“Investime për të sjellë mirëqenie dhe zhvillim për Veriun”

24/05/2009  Meta në Kukës për programin elektoral të LSI-së

“Plani për veprim” u është prezantuar qytetarëve të Kukësit gjatë një takimi me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjatë fjalës së tij kryetari i kësaj partie ka shprehur angazhimin e tij se pas fitores së 28 qershorit LSI-ja do të bëjë të mundur përfundimin e disa akseve rrugore në këtë qark, për t’i kthyer Alpet shqiptare në një Zvicër. Gjithashtu, referuar rrugës Durrës–Kukës, Meta jo vetëm që e cilësoi të rëndësishme ndërtimin e saj, por nga ana tjetër theksoi faktin se ideja për ndërtimin e kësaj rruge ishte kohë më parë se Berisha të bëhej Kryeministër. “Përfundimi i kësaj rruge është i rëndësishëm, pasi vetëm duke shfrytëzuar resurset e kësaj zone do të bëhet e mundur rritja e mirëqenies së njerëzve në këtë zonë”, - deklaroi Meta gjatë fjalës së tij. Po kështu kreu i LSI-së është ndalur dhe tek aeroporti i këtij qyteti, ku ka shprehur vendosmërinë se ai do të kthehet në një pikë tranziti ndërkombëtar. “Ky aeroport, i cili është fiktiv, do të kthehet në një burim mirëqenieje dhe zhvillimi për gjithë Veriun”, - deklaroi Meta sa i takon një çështjeje të tillë. Duke vijuar me premtimet e LSI-së, Meta u ndal sërish te statusi i minatorit, duke premtuar dhe siguruar në të njëjtën kohë se “edhe pse ky ligj nuk u miratua nga Parlamenti, LSI-ja do ta miratojë në parlamentin e ardhshëm, pasi është e domosdoshme të tregojmë solidaritet për këta punonjës, të cilët kanë punuar në kushte tejet të vështira. Po kështu do të miratojmë edhe ligjin për kujdesin e individëve të moshës së tretë, i cili u rrëzua nga Parlamenti që përfundoi mandatin”. Kryetari i LSi-së garantoi gjithashtu angazhim dhe mbështetje për të gjithë fermerët për nxjerrjen e bujqësisë nga kriza, duke subvencionuar deri në 25 për qind të gjitha inputet, si dhe subvencionim të njësisë së prodhimit deri në masën 20 për qind. Sipas tij, vetëm duke ndjekur një politikë të tillë subvencionuese do të synohet që brenda 4 vjetve të ardhshëm të punësohen 100 mijë shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›